Papa në Tokën e zjarreve: «Kam ardhur këtu për të mbledhur lotët tuaj»

Papa Leoni XIV kthehet në Kampania, disa javë pas vizitës në Napoli e në Pompei. Duke u takuar me klerin dhe familjet e viktimave të ndotjes, në Katedralen e Santa Maria Asunta, i nxiti ta çmontojnë kulturën e privilegjit, që e dëmtoi këtë tokë. "Lëreni pakënaqësinë të vdesë, praktikoni drejtësinë që kërkoni" - pohon - dëshmoni jetën, edukoni njerëz të kujdesshëm"

R.SH. / Vatikan

Erdha, para së gjithash, për të fshirë lotët e atyre që humbën të dashurit e tyre, të mbytur nga ndotja ambientale e shkaktuar nga individë e organizata të paskrupullta, që për një kohë shumë të gjatë qenë në gjendje të veprojnë, pa u ndëshkuar.

Nuk janë vetëm fjalë - fjalët që tha Papa Leoni në Katedralen e Santa Maria Assuntës në Acerra. Pasardhësi i Pjetrit erdhi për t’i ngushëlluar ata që luftojnë me dhimbjen e sëmundjes në familjet e tyre, ata që luftojnë me humbjen e një prindi që mungoi tepër shpejt, ata që vajtojnë një fëmijë, një lule të këputur, pikërisht kur lulëzoi. Është afërsi, por edhe premtim për një vizitë, që Papa Françesku nuk mundi ta bënte, si dhe nxitje për të shkruar një kapitull të ri, në atë që dikur ishte Campania felix.

Papa mbërriti rreth orës 8:45 të mëngjesit me helikopter, që u nis nga heliporti i Vatikanit në orën 7:58 të mëngjesit dhe u ul në fushën sportive "Arcoleo", në Acerra. U prit nga Ipeshkvi i Acerrës, Imzot Antonio Di Donna, i shoqëruar nga dy fëmijë, të cilët i dhuruan Papës Leoni një buqetë me lule. Të pranishëm, edhe institucionet: Presidenti i Rajonit të Kampanjës, Roberto Fico; Kryetari i Bashkisë së Napolit, Gaetano Manfredi; Kryetari i Bashkisë së Acerrës, Tito D’Errico, dhe Prefekti i Napolit, Michele Di Bari. Një turmë me fëmijë me kapele e bluza të verdha, që u mblodh sakaq, e përshëndeti ngrohtësisht. E një skenë u përsërit jashtë Katedrales së Santa Maria Assunta, ku e prisnin tri nëna, me të porsalindurit e tyre.

Një britmë që duhet dëgjuar

E në katedralen ku mbretëronte heshtja, edhe pas realitetit të ashpër të përshkruar nga Ipeshkvi i Acerrës, Imzot Antonio Di Donna, Papa kujtoi forcën e Laudato si’, enciklikës që ishte dhuratë e madhe për misionin e Kishës, veçanërisht në Acerra.

Britma e krijimit dhe e të varfërve ndërmjet jush u dëgjua më dramatikisht, për shkak të një përqëndrimi vdekjeprurës interesash të errëta dhe indiferencës ndaj të mirës së përbashkët, e cila e helmoi mjedisin natyror e shoqëror. Është britmë, që kërkon kthesë!

Kthesë, për ata që kryen të keqen, por fjalët e Papës shprehin edhe mirënjohje për "ata që iu përgjigjën të keqes me të mirë, veçanërisht një Kishë"- nënvizoi - "që guxoi të denonconte dhe të profetizonte, t’i mblidhte njerëzit në shpresë".

Zgjedhja e përgjegjësisë

Shpresa e rizgjimit të jetës, e rikompozimit të kockave në një trup - si në vizionin e Ezekielit - e ndryshon një zemër prej guri – në zemër mishi dhe rilindje me një frymë të re. Duke filluar nga "zhgënjimi" i vetë profetit për të kompozuar një himn për jetën, në emër të drejtësisë dhe të përgjegjësisë.

Ne vuajmë nga shkatërrimi që ka kompromentuar një ekosistem të mrekullueshëm, vende, histori e kujtime. Përballë këtij realiteti, ekzistojnë dy qëndrime të mundshme: indiferenca ose përgjegjësia. Ju zgjodhët përgjegjësinë e, me ndihmën e Zotit, nisët një udhëtim angazhimi dhe ndjekjeje të drejtësisë.

"O Zot Hyj, ti e di!"

Por kini kujdes të mos e shtyni atë në një kohë "të pacaktuar e të largët". Duhet t’i kuptojmë, thekson Papa, pyetjet e reja që shtron Zoti dhe t’i japim hov të ri Fjalës së jetës si Kishë, sepse është Zoti që na merr për dore, që e shndërron zinë në gëzim dhe e bën shkretëtirën të lulëzojë.

O Zot, vdekja duket se është kudo, padrejtësia duket se ka fituar, krimi, korrupsioni dhe indiferenca vazhdojnë të vrasin, mirësia duket se mbetet e vyshkur. Megjithatë, nëse na pyesni: “A mund të jetojnë përsëri këto kocka, ne besojmë e themi: “Zot Perëndi, ti e di!”.

Të përgjigjemi me “rezistencë kokëfortë”

“E gjithë kjo është shumë konkrete: është një premtim”- pohon Papa - “që tashmë po bëhet realitet”. E është edhe “premtimi i përhershëm” që kujtohet në Laudato si' të Françeskut e që “lulëzon si rezistencë kokëfortë ndaj asaj që është autentike”.

Jini dëshmitarë të kësaj “rezistence kokëfortë” që bëhet rilindje, ku Ungjilli e ndriçon dhe e shndërron jetën.

“Gjithë këtë - pohon Papa - na e mësoi Koncili II i Vatikanit, veçanërisht me Kushtetutën Gaudium et Spes.” Ka pyetje të reja të cilave Zoti na kërkon t'u përgjigjemi "rreth mënyrës se si jetojmë në lagjet tona, rreth gatishmërisë për të punuar së bashku ndërmjet njerëzve dhe institucioneve, rreth pasionit tonë për arsimin, rreth ndershmërisë në punë, rreth shpërndarjes së drejtë të pushtetit dhe pasurisë, rreth respektit për individët".

A mund të ringjallen këto toka? Jeni vetë përgjigja: një bashkësi e bashkuar në besim dhe angazhim. Atëherë jeta do të shumëfishohet.

Një zjarr, që ngushëllon e krijon një jetë të re

Çka është e sigurt - thotë Papa Leoni - është se "mrekullia nuk ndodh menjëherë". Si Ezekieli, "duhet të besojmë ende, të dëgjojmë ende, të shpresojmë ende". Zgjedhjet e bëra, udhëtimi kishtar i përshkuar, dhimbja e përballur me fillimet e reja, të mëdha e të vogla, "nuk janë ende gjithçka". "Nëse ndalemi, kthehemi prapa". "Shpirti Shenjt ju ndihmoftë të shihni një 'ushtri' paqeje që ngrihet dhe shëron plagët e kësaj toke dhe të bashkësive të saj".

Në prag të Rrëshajëve, Papa ndez një zjarr "që ringjall e ngroh", jo zjarr që shkatërron; zjarr "që ndriçon zemrat dhe mendjet e mijëra e mijëra burrave dhe grave, fëmijëve dhe të moshuarve, e frymëzon kujdes, ngushëllim, vëmendje dhe dashuri të vërtetë".

Në veçanti, ju, familje të goditura nga vdekja, krijoni jetë të re duke u transmetuar bijve dhe bijave tuaja, nipave e mbesave e fqinjëve atë ndjenjë përgjegjësie që shumë shpesh ka munguar. Lëreni pakënaqësinë të vdesë, jini të parët që praktikoni drejtësinë e kërkuar, dëshmoni jetën, mësoni kujdesin.

Çmontimi i kulturës së arrogancës

Papa Leoni tregon rrugën drejt Kishës lokale, "anëtarët e gjallë të këtij populli", duke i ftuar ta demonstrojnë çdo ditë "autoritetin e shërbimit, që përulet - e afrohet, që bën hapin e parë - e fal".

Në të vërtetë, ne duhet të çmontojmë një kulturë privilegji, arrogance dhe mosdhënie llogarie, e cila i ka bërë kaq shumë dëm kësaj toke, si dhe shumë rajoneve të tjera të Italisë dhe botës.

Përshpirtëria e njerëzve

Fjalët e Papës bëhen lutje drejtuar Shpirtit Shenjt, që të marrë dhe "të frymëzojë forma të reja të shpalljes së Ungjillit, bashkëpunimit dhe rigjenerimit mjedisor dhe shoqëror". Leoni na kujton se ekziston një përshpirtëri e vendeve, por i detyrohet në gjithçka përshpirtërisë së njerëzve. "Ndryshimi në botë, në fakt, fillon gjithmonë nga zemra".

Jezusi i Ngjallur na dhëntë dhuratën e të jetuarit së bashku kështu, të aftë për të mirëpritur dhe për të vënë në praktikë Fjalën e Zotit, shtegtarë këtu poshtë, e qytetarët në amshimin e tij.

23 maj 2026, 10:28