Papa Leoni XIV gjatë takimit me të rinjtë e Dioqezës së Romës (foto arkivore) Papa Leoni XIV gjatë takimit me të rinjtë e Dioqezës së Romës (foto arkivore)

Papa një të riu "të shqetësuar": koha një mësues i durueshëm dhe i shëron plagët

Papa Leoni XIV i përgjigjet në revistën “Piazza San Pietro” një studenti kalabrez, i cili ndien brenda vetes "aq shumë shqetësim dhe aq shumë konfuzion, që prek kryesisht marrëdhëniet dhe lidhjet që kam ndërtuar me kalimin e kohës". Papa e siguron se: "Zoti nuk i zhgënjen dëshirat që Ai vetë ka ndezur në zemër"

R.SH. - Vatikan

"Mos u nxito të kuptosh gjithçka menjëherë. Koha është një mësues i durueshëm dhe i shëron plagët. Lutja e përditshme, qoftë edhe e thjeshtë dhe e varfër me fjalë, dëgjimi i Fjalës së Zotit, kremtimi i Sakramenteve dhe këshillimi me njerëz të urtë do të të ndihmojnë të dallosh se cilat lidhje duhet t'i ruash e t'i rritësh, dhe cilat jo, pa gjykuar". Ky është sugjerimi i Leoni XIV për studentin e ri, Pjetrin, nga Reggio Calabria, Itali, i cili në një letër në revistën Piazza San Pietro, e botuar nga Bazilika e Vatikanit dhe e drejtuar nga françeskani konventual Enzo Fortunato, i rrëfen Papës se ndien "brenda aq shumë shqetësim dhe aq shumë konfuzion", lidhur mbi të gjitha me marrëdhëniet dhe lidhjet e ndërtuara përgjatë kohës.

"Ti je i dashur nga Jezusi"

"Ndiej frikën – shkruan Pjetri në numrin e muajit maj të revistës “Piazza San Pietro” – se do të humbas të gjitha miqësitë e fituara në këtë kapitull të jetës sime, jo vetëm në shkollë, por edhe në famulli dhe në jetën time të përditshme". Por Papa e qetëson të riun, duke i kujtuar: "Ti je i dashur nga Jezusi. Jo në mënyrë abstrakte, por personalisht, kështu siç je sot, me pyetjet dhe ëndrrat e tua, frikërat dhe dëshirat e tua. Kjo dashuri të paraprin dhe do të të shoqërojë gjithmonë, nuk varet nga zgjedhjet që do të bësh e as nga rrugët që do të përshkosh", shton Leoni XIV, duke kujtuar se "Jezusi e njeh mirë përvojën e miqësisë. Ai i quajti miq dishepujt e tij, me ta ndau bukën dhe rrugëtimin, ishte mik i Lazrit, Martës dhe Marisë. Ai jetoi lidhje të vërteta dhe autentike, deri në pikën sa të përjetonte edhe mundimin e ndarjes dhe të tradhtisë". Prandaj, vijon Papa, "Jezusi do të ishte i pari që do ta kuptonte frikën tënde për të humbur miqësitë që kanë shënjuar këto vite. Për ty jo gjithçka do të mbetet njëlloj, por ajo që ka qenë autentike nuk humbet, përkundrazi dashuria e vërtetë nuk tretet dhe mbetet përjetë, ajo piqet edhe kur ndryshon formë".

Pjetri, gjithashtu, në letër rrëfen se ëndërron "të ecë së bashku me dikë në rrugën" e dashurisë së Krishtit, por – vazhdon i riu italian – "siguritë e mia në marrëdhënie po lëkunden; kam frikë se nuk do të arrij as të kuptoj se cilat janë lidhjet autentike që ia vlen të ruhen e të ushqehen, dhe cilat janë ato më pak të sinqerta pa të cilat mund të bëj. Ati i Shenjtë – përfundon letra – për të gjitha këto dhe për të ardhmen time të afërt Ju kërkoj të luteni për mua, që të mund të kuptoj se si të bashkëjetoj me këtë ndjenjë shqetësimi dhe nostalgjie që po më shoqëron dhe të arrij të marr me qetësi rrugën time, gjithmonë duke bërë vullnetin e Zotit".

Familja, një dhuratë e çmuar për Kishën

Në përgjigjen e tij, Papa e qetëson të riun duke vënë në dukje se si ëndrra e tij "për një familje të themeluar mbi dashurinë e Krishtit" është një dhuratë e çmuar edhe për Kishën: "ruaje atë me besim. Zoti nuk i zhgënjen dëshirat që Ai vetë ka ndezur në zemër. Të siguroj për lutjen time. Kërkoj për ty hirin e paqes së brendshme, të besimit dhe të një vështrimi të kthjellët mbi jetën tënde. Të të besoj Marisë Virgjër – përfundon Leoni XIV – e cila që në rini mësoi të kishte besim, pavarësisht se kishte në zemër pyetje më të mëdha se Vetë Ajo".

19 maj 2026, 12:21