2026.05.18 Delegazione della "Catholic Extension Society"

Papa: ndihma ndaj të brishtëve dhe të varfërve kërkon zellin e Kishës së hershme

Papa pret në audiencë këshillin drejtues të Shoqërisë së Zgjerimit Katolik, e cila mbështet dioqezat dhe famullitë më të varfra në disa vende të Amerikës, përmes projekteve të ndryshme dhe inkurajon, në veçanti, kujdesin baritor për "familjet e shumta të emigrantëve në Shtetet e Bashkuara". Atje ku ka "një bashkësi të vërtetë feje, bamirësia e krishterë i frymëzon anëtarët t’ua lehtësojnë vuajtjet e të tjerëve"

R.SH. – Vatikan

Është po “ai zell", që i pati nxitur të krishterët e parë "të ndanin me të tjerët lajmin e mirë të Jezu Krishtit dhe dhuratën e Shpirtit Shenjt", që e shtyu atë Francis Clement Kelley, 120 vjet më parë, drejt "bashkësive më të largëta të fesë në Shtetet e Bashkuara" për të çuar "sakramentet dhe mbështetjen" e Kishës. Kjo është arsyeja e themelimit të Shoqërisë së Zgjerimit Katolik, një organizatë për mbledhjen e fondeve, e miratuar dhe e njohur kanonikisht nga Papa Piu X, e cila sot realizon projekte të ndryshme dhe mbështet dioqezat misionare të SHBA-së, duke subvencionuar ndërtimin e kishave, duke rinovuar ndërtesa, duke ofruar bursa për meshtarët, murgeshat dhe punonjësit e ardhshëm baritorë dhe duke mbështetur shërbesa të ndryshme. Ky "entuziazëm misionar" i organizatës jofitimprurëse është "ende i nevojshëm sot", tha Papa Leoni XIV, duke pritur në audiencë sot paradite, më 18 maj, në Sallën e Koncistorit të Pallatit Apostolik, anëtarët e këshillit të drejtorëve në shtegtim në Romë dhe Vatikan me familjet e tyre.

  (@VATICAN MEDIA)

Shprehje e universalitetit të Kishës

Papa e filloi fjalimin e tij duke përshëndetur, ndër të tjera, të ardhurit nga Dolton, një periferi e Çikagos, ku është rritur edhe ai vetë. Uroi që "koha e kaluar" në zemër të Krishterimit të forcojë "lidhjen me Pasardhësin e Shën Pjetrit dhe me Kishën universale", si edhe i falënderoi të gjithë për "angazhimin e tyre të vazhdueshëm në shërbim të bashkësive më të varfra katolike, si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës", ashtu edhe në vende të tjera. Në veçanti, i përgëzoi për punën e tyre në Kubë dhe në Porto Riko.

“Mbështetja që u ofroni këtyre bashkësive – pohoi Papa - është shprehje e shkëlqyer e universalitetit të Kishës dhe kujtesë e gjallë se "dashuria për të afërmin është provë e prekshme e autenticitetit të dashurisë sonë për Zotin".

  (@VATICAN MEDIA)

Frytet e bamirësisë së krishterë

Papa i kërkon Shoqërisë së Zgjerimit Katolik të vazhdojë të ofrojë kujdes baritor për ata, që "kanë më shumë nevojë" dhe për "familjet e shumta emigrante në Shtetet e Bashkuara", duke theksuar rëndësinë që këta njerëz "ta përjetojnë ngrohtësinë e një bashkësie ku ndihet prania e Krishtit". Shton se aty ku ka "një bashkësi të vërtetë feje, bamirësia e krishterë i frymëzon anëtarët e saj t’ua lehtësojnë vuajtjet të tjerëve dhe të kujdesen për nevojtarët, veçanërisht për më të varfrit".

“Dashuria për të varfrit mund të kuptohet si "shenja dalluese ungjillore e një Kishe besnike ndaj zemrës së Zotit", dhe u hap dyert atyre, që u shërbejmë, për ta njohur Zotin më thellë, duke dëshmuar për dashurinë e Tij”.

  (@VATICAN MEDIA)

Mbështetja e ofruar nga bashkësitë plot fe

Për Leonin XIV, është themelore t’u përgjigjemi "nevojave materiale të më pak fatlumëve, por edhe të investojmë në krijimin e bashkësive katolike të gjalla", gjë që Shoqëria e Zgjerimit Katolik e bën duke vazhduar "misionin" e saj. Duke e hedhur vështrimin mbi gjithë Kishën, Papa thekson se janë "bashkësitë plot fe” ato, që u japin të tjerëve mundësinë "për të përjetuar gëzimin e një jete të re në Krishtin, çdo ditë", që mbështesin ata që kanë më shumë nevojë dhe që transmetojnë "forcën" e nevojshme për t'u përballur me sfidat e jetës me besim. Këto bashkësi "janë gjithashtu 'toka e mirë' në të cilën thirrjet e reja në meshtari dhe në jetën rregulltare mund të zënë rrënjë dhe të fillojnë të rriten, duke siguruar punëtorë të rinj për vreshtin" e Zotit.

18 maj 2026, 13:29