Papa të rinjve që do të krezmohen: t'i thoni "po" Jezusit, në një botë që dëshiron të na çojë larg Tij
R.SH. - Vatikan
Kushtojini vëmendje të veçantë njërës prej dhuratave të Shpirtit Shenjt, që quhet këmbëngulje.
Papa nxit për të qëndruar, jo për t`u ndalur. Këto lëvizje, në dukje kontradiktore, burojnë nga një fe, që "e jetojmë së bashku", përtej çastit "të bukur" por kalimtar të festës, në një udhëtim që duket se i bën jehonë veprës së poetit Eugenio Montale, ku "të gjitha shembëllesat mbajnë mbishkrimin: 'Më tej'". Këto janë vargje nga poema "Maestrale", shkruar nga Poeti gjenovez, fitues i Çmimit Nobel. E pikërisht nga Kryeipeshkvnia e kryeqytetit Ligurian, të shoqëruar nga Kryeipeshkvi Marco Tasca, erdhën afërsisht 600 kandidatë, së bashku me 150 priftërinj dhe katekistë. Leoni XIV i priti sot, 16 maj, në Sallën e Bekimeve të Pallatit Apostolik të Vatikanit, ku u ofroi këto njohuri, në një përshëndetje të lirshme.
"Mirëseardhët!"
Famulli të shumta të zonës u përfaqësuan dhe u përshëndetën nga Papa, i cili veçoi posaçërisht një bashkësi "që e njoh pak më mirë" ̵ tha ̵ atë të Manessenos, qytet i vogël në brendësi të Liguries, jo shumë larg Gjenovës.
Ku janë ata? A jeni këtu? Bravo! Ju bëftë mirë të gjithëve! Mirë se vini!
"Ndiqeni me guxim"
Kremtimi i Krezmimeve, pohoi Papa, është "një nga gëzimet më të mëdha" për një ipeshkëv. E dhënia e dhuratës së Shpirtit Shenjt, është gjest plotësie, që të jep entuziazëm e forcë:
Të jep aftësi për të ndjekur Jezu Krishtin, për t'i thënë gjithnjë "po" Zotit, për të mos pasur frikë ta ndjekësh me guxim, për ta jetuar fenë në një botë që kaq shpesh dëshiron të na largojë nga Jezusi.
"Jemi të gjithë të ftuar"
Prania e Shpirtit Shenjt zbulohet liturgjikisht në kremtimin e Rrëshajëve, që do të kremtohen të dielën, më 24 maj, duke kujtuar përvojën e dishepujve të parë që morën Paraklitin për të filluar ungjillëzimin.
Dhe të gjithë ju jeni, dhe do të jeni, pjesëmarrës në këtë mision, sepse të gjithë jemi të dërguar: në familjet tuaja, në miqtë tuaj, në të gjithë njerëzit. Edhe ju duhet të jeni dëshmitarë të gjallë të Shpirtit që jeton në ne.
"Trishtimi"pas Sakramentit
Megjithatë, në gëzimin e dhënies së Sakramentit të Krezmimit, fshihet një "trishtim".
Është se vetëm ndonjëherë, kur ipeshkvi jep Krezmimin, dhuratën e Shpirtit Shenjt, nuk i shihni kurrë më fëmijët! Ζhduken nga famullia.
"Të jeni dishepuj besnikë"
Prej këndej edhe ftesa e Leonit XIV për të mos harruar kurrë emocionet e përjetuara gjatë kohës së përgatitjes, përfshirë vizitën në Romë, mundësi për të festuar dhe për t'u lutur së bashku.
Uroj që ky gëzim të jetojë në zemrat tuaja dhe të vazhdoni të jeni dishepuj besnikë të Jezu Krishtit.
"Fenë nuk e jetojmë të vetëm"
Një këmbëngulje që Papa na inkurajon ta vëmë në praktikë përmes shumë aktiviteteve të jetës famullitare. Është pikërisht ky dimension komunitar që udhëheq këshillën e Papës:
Fenë nuk e jetojmë të vetëm, ne e jetojmë atë së bashku. E të formosh këto marrëdhënieve miqësie, është një mënyrë për të jetuar këmbënguljen, si dishepuj të Jezusit.
"Një ndihmë e madhe në udhëtimin tuaj të fesë"
Sado e bukur të jetë të vish në Romë dhe të marrësh Krezmimin, kjo ndjenjë duhet të shoqërohet me angazhimin për të "vazhduar" të jemi "miq" dhe "misionarë të Jezusit".
Uroj që kjo ditë të jetë edhe për ju ndihmë e madhe në udhëtimin tuaj të fesë!
