Leoni XIV: lufta nuk bekohet kurrë nga Zoti. Paqja, detyrë drejtësie
Vatican News
Liria e vërtetë të ndahet me të tjerët në fenë e gjallë, duke ndjekur shembullin e Shenjtorëve Pjetër dhe Pal; dhurata e paqes në unitet, me gjithë përplasjet dhe luftën ndërkombëtare, e cila "nuk është kurrë e denjë për njeriun dhe nuk bekohet kurrë nga Zoti"; harmonia në bindje, e cila, ndërsa ideologjitë e botës vyshken, mund të bëjë që mirëkuptimi vëllazëror, bamirësia dhe zelli misionar të lulëzojnë në Kishë.
Këto janë tri udhëzimet e përshkruara nga Leoni XIV në bazilikën e Shën Pjetrit këtë mëngjes, të premten, më 26 qershor, gjatë Meshës hapëse të Koncistorit. Duke iu drejtuar kardinalëve të mbledhur në Vatikan për takimin – i dyti i thirrur nga Papa, pas atij të janarit të kaluar. Seancat e këtij Koncistori filluan këtë mëngjes në Sallën Pali VI dhe do përfundojnë nesër mbrëma.
Mes tjerash Papa vërejti se: "Kemi ardhur nga çdo pjesë e botës për të kremtuar këtë Eukaristi. Bashkë me jetën tonë, i ofrojmë Zotit bashkësitë dhe popujt që kemi në zemrat tona, si dhe projektet dhe përvojat tona baritore, si ato të gëzueshme ashtu edhe ato sfiduese."
Nëpër gjurmët e Pjetrit dhe të Palit
Një "dashuri dhe larmi mendimesh" të përqendruara në Krishtin, "hardhia e vërtetë" nga e cila rrjedh hiri dhe e vërteta, "limfë pjellore" për Koncistorin, i cili po hapet në prag të festës së Apostujve të Shenjtë Pjetër dhe Pal.
Le të ndalemi së bashku në këtë përkujtim, i cili na sjell ndërmend shtyllat e Kishës Katolike dhe Romake, dy misionarët martirë, predikimi i të cilëve qe aq i plotë në jetën e tyre saqë u bë pjesë e Shkrimeve të Shenjta.
Në vijim, Papa Leoni XIV u kthye te metafora fillestare, duke reflektuar në homelinë e tij mbi fjalët e Shën Palit drejtuar Korintasve dhe mbi "karizmat e ndryshme" – shërbesat dhe aktivitetet kishtare, të ngjashme me "degët e së njëjtës hardhi" – Zoti që fut Shpirtin e Shenjtë në Kishën e tij – sipas një "uniteti organik" që i përgjigjet parimit të së mirës së përbashkët, "që i bën të gjitha këto shërbime kishtare të mira dhe të begata".
Liria e vërtetë te feja e gjallë
Prej këndej buroi edhe e para nga tri këshillat për të dalluar punën që po zhvillohet tani. Më kryesori, thotë Papa, është "shembulli i Shenjtorëve Pjetër dhe Pal i cili na jep zemër që lirinë e vërtetë ta ndajmë me të tjerët në fenë e gjallë". Është pikërisht marrëdhënia me Zotin Jezus që na çliron nga mëkati dhe frika.
Besimi është ai virtyt, që nuk duhet të mendojmë kurrë se e kemi në grusht; është ai virtyt që i jep jetë Kishës, sepse puqet me hirin që ushqen degët e një hardhie të vetme. Kisha e gjallë është Kisha që beson, nëpërmjet dhuntisë së Shpirtit të Shenjtë të derdhur në zemrat tona. Kjo Kishë jep shumë fryt.
Dhurata e paqes në unitet
Prandaj, Ipeshkvi i Romës na nxit të kërkojmë "dhuratën e paqes në unitet". Ndërsa grishja për besim, në të cilin jemi "vërtet të lirë", u drejtohet të gjithë popujve. Përplasjet dhe konfliktet ndërkombëtare "e plagosin rëndë familjen njerëzore", kujton Papa. Megjithatë, vazhdon ai, "nuk ka mungesë, në të vërtetë, në Kishë dhe në të gjithë botën, të nismave dhe të përvojave që kërkojnë respekt për dinjitetin njerëzor, drejtësinë, ligjin dhe thjesht për njerëzimin".
Ky aspekt i fundit, thekson Papa, "është një arsye për shpresë", sepse "dëshmon bukurinë e veprës së Zotit", për lavdinë e të cilit në botë, njerëzimi është një shenjë. Dhe kur kjo shenjë lëndohet, nënvizoi Ati i Shenjtë, "ne të gjithë plagosemi". Kur ajo prishet, "të gjithë vuajmë". Kur ajo vritet, "të gjithë ndihemi të copëtuar".
Prandaj, lufta nuk është kurrë e denjë për njeriun dhe nuk bekohet kurrë nga Zoti, sepse Krijuesi na ka pajisur me inteligjencën dhe vullnetin për të zgjidhur konfliktet si qenie njerëzore, jo si bisha, madje të armatosura edhe me armë superteknologjike.
Ungjilli u flet të gjithëve
Familja njerëzore është një përbashkim – sqaroi Papa më tej në homelinë e vet – i cili "u paraprin popujve dhe secilit shtet". Dhe, sqaroi ai, "ky nuk është vetëm një fakt biologjik: është një parim etik". Paqja është një "detyrë drejtësie sepse ne jemi një familje njerëzore, një njerëzim madhështor që te Krishti gjen Kryet dhe Shëlbuesin e tij".
Duke përmendur enciklikën e shpallur më 15 maj, Papa Leoni XIV nënvizoi vijueshmërinë e saj në rrugën e çelur nga Shën Pali VI me "qytetërimin e dashurisë", pavarësisht Luftës së Ftohtë, garës së armatimeve dhe krizave të rënda ekonomike që karakterizonin atë kohë. Edhe sot, mund të imagjinohet një "rrugë tjetër": kështu, dëshmia e krishterë bëhet "një profeci e një bote të re, ungjillizimi dhe shërbimi, një projekt kulturor dhe shoqëror që nxit në mënyrë të plotë zhvillimin njerëzor".
Ndërkohë që shpall Ungjillin, mes gëzimit dhe persekutimeve, Kisha nuk është kurrë e njëanshme: është për të gjithë dhe çdo njeriu i drejton të njëjtat fjalë kthimi në fe dhe shëlbimi.
Kisha nuk vyshket
"Harmoni në bindje" është udhëzimi i tretë që u përcolli Papa të pranishëmve: zbatimi i Sinodit, theksoi ai, "i fton të gjithë të ecin në bashkimin e besimit, në nxitjen e paqes, në bindje ndaj Fjalës së gjallë, që është Jezusi". Pasi u bë njeri, Fjala u shpreh "në të gjitha gjuhët". Mbasi vdiq dhe u ngjall, Ai është hardhia e vërtetë që "jep fryt përmes të gjitha kulturave që të krishterët i shndërrojnë nga brenda".
Kështu, ndërsa ideologjitë e botës vyshken, Shpirti i Shenjtë bën që mirëkuptimi vëllazëror, bamirësia dhe zelli misionar të lulëzojnë në Kishë.
Parësia e atyre që dëgjojnë
Ja, pra, në punën e përbashkët, kolegjialiteti "përmbledh sinodalitetin në të cilin marrin pjesë të gjithë të pagëzuarit, në unitetin e Popullit të Zotit", theksoi Papa, duke nënvizuar se sinodaliteti dhe kolegjialiteti janë "trajta të vëllazërisë së krishterë".
Nga ky këndvështrim, ndihma që vjen nga kardinalët “në ushtrimin e detyrës së Pjetrit gjen tek unë një njeri që kërkon, jo një që urdhëron”, përfundoi Papa, sepse autoriteti i primatit “i përket atij që dëgjon dhe vetëm për këtë arsye udhëzon, atij që nxë dhe vetëm për këtë arsye mëson, duke i shkuar pas gjithnjë të vetmit Mjeshtër”.
