Papa mbyll Koncistorin: Zoti dëshiron paqen, dhuna nuk do ta ketë fjalën e fundit
Vatican News
Fjalimi i Papës nisi me një mendim për Venezuelën, të goditur nga një tërmet shkatërrues, dhe përfundoi me një thirrje profetike për paqe: "Dhuna nuk do ta ketë fjalën e fundit." Me këtë fjalim, Papa Leoni XIV mbylli, dje pasdite, në Sallën e Sinodit Koncistorin e Jashtëzakonshëm të mbajtur më 26–27 qershor, në sallën Pali, në Vatikan, ku morën pjesë 178 kardinalë nga e gjithë bota, ndër ta edhe kardinali shqiptar Hirësia tij Ernest Simoni Troshani. Kardinalët u mblodhën për të reflektuar, lutur, bashkëndarë përvoja dhe biseduar gjatë katër sesioneve, i fundit prej të cilëve përfshiu një dialog të lirë me Papën.
Pas këtij shkëmbimi, që zgjati më shumë se sa ishte planifikuar, Papa njoftoi se ky nuk do të jetë një takim i izoluar:
"Ende nuk e kam caktuar datën, por shpresoj ta komunikoj deri në fund të vitit. Ky Koncistor ishte një moment shumë i çmuar, por nuk duhet të mbetet një ngjarje e vetme".
Duke përfituar nga ky takim që pasqyron universalitetin e Kishës, Papa Leoni XIV kërkoi një lutje të përbashkët për Venezuelën, e goditur nga tërmeti, duke shprehur solidaritet me viktimat, familjet e tyre dhe ekipet e shpëtimit.
Zoti dëshiron paqen
Papa rikujtoi temat kryesore të diskutimeve të Koncistoit dhe bëri të vetën thirrjen unanime të kardinalëve:
"Zoti dëshiron paqen për çdo komb dhe çdo popull. Prandaj nuk duhet të dorëzohemi para dhunës. Dhuna nuk do ta ketë fjalën e fundit. Zoti vazhdon të hapë në histori rrugë pajtimi dhe paqeje. Ne kemi përgjegjësinë t'i ndjekim ato me guxim dhe ta ndihmojmë botën t'i njohë".
Një vështrim mbi botën
Leoni XIV tha se ishte burim ngushëllimi dhe shprese të shihte kardinalë nga kultura dhe vende të ndryshme të botës që dëgjonin njëri-tjetrin dhe kërkonin së bashku atë që i shërben më mirë Ungjillit.
Ati i Shenjtë kujtoi vuajtjet e shkaktuara nga luftërat, dhuna, varfëria dhe padrejtësitë, duke theksuar se pas tyre fshihet një plagë edhe më e thellë: vetmia, kriza e marrëdhënieve, humbja e shpresës dhe vështirësia për ta parë tjetrin si vëlla apo motër.
"Shumë njerëz sot kërkojnë shpresë dhe marrëdhënie të vërteta".
Lufta lind nga një kulturë e pushtetit
Papa theksoi se lufta nuk është vetëm përballje mes shteteve, por buron nga një kulturë e pushtetit që ndikon mënyrën se si mendojmë, jetojmë marrëdhëniet, ushtrojmë pushtetin dhe përdorim ekonominë, teknologjinë e madje edhe fenë.
Përgjigjja, sipas Leonit XIV, është:
"Të rindërtojmë një kulturë bashkëpunimi dhe dialogu, që t'i japë forcë të re edhe multilateralizmit".
Ati i Shenjtë shtoi:
"Popujt duhet të mësojnë përsëri të kërkojnë së bashku të mirën e përbashkët të gjithë familjes njerëzore".
Mosdhuna që thyen urrejtjen
Papa shpjegoi se mosdhuna nuk do të thotë shmangie e konfliktit apo pasivitet.
"Mosdhuna nuk heq dorë nga e vërteta dhe nuk hesht përballë së keqes, por refuzon ta mbrojë atë me dhunë dhe të shndërrojë tjetrin në armik. Ajo fillon duke çarmatosur vetveten".
Leoni XIV shtoi se dashuria është më e fortë se urrejtja dhe falja e thyen spiralen e hakmarrjes.
Në këtë kuadër, Papa kërkoi që të vazhdohet reflektimi mbi të drejtën e mbrojtjes së ligjshme në dritën e ndryshimeve të thella të konflikteve bashkëkohore.
Vuajtjet e të rinjve
Papa tha se paqja lind në zemrën e njeriut.
"Para se të shfaqet në histori, lufta lind brenda nesh, kur dyshimi zë vendin e besimit, frika zë vendin e shpresës dhe tjetri shihet si kërcënim".
Ati i Shenjtë shprehu shqetësim për vuajtjet e të rinjve, të cilat ndonjëherë i çojnë deri në dëshpërim e madje edhe në vetëvrasje.
Sipas tij, kërkimi i tyre për autenticitet, marrëdhënie të vërteta dhe kuptim tregon se Ungjilli vazhdon t'u përgjigjet nevojave më të thella të zemrës njerëzore.
Familja
Papa e quajti familjen një temë themelore për Kishën dhe shoqërinë:
"Aty ku familja mbështetet dhe shoqërohet, rritet një shkollë marrëdhëniesh, solidariteti dhe shprese. Aty ku ajo plagoset ose mbetet e vetmuar, e gjithë shoqëria i ndien pasojat".
Leoni XIV kujtoi se tetorin e ardhshëm do të zhvillohet një takim me drejtuesit e Kishave Lindore dhe presidentët e Konferencave Ipeshkvnore për të vlerësuar hapat e ndërmarrë pas dokumentit Amoris Laetitia, ku do të marrin pjesë edhe disa familje për të ndarë përvojat e tyre.
Dinjiteti i çdo personi dhe e mira e përbashkët
Papa theksoi rëndësinë e Doktrinës Shoqërore të Kishës si udhërrëfyes për formimin e ndërgjegjeve dhe dallimin baritor. Ai nënvizoi se e mira e përbashkët nuk është vetëm një objektiv, por një realitet që duhet rizbuluar së bashku.
"Jetojmë në një kohë kur bëhet gjithnjë e më e vështirë të dallojmë se çfarë është me të vërtetë e mirë për të gjithë".
Sipas Leonit XIV, kjo kërkon një punë të durueshme edukimi që ndihmon në njohjen e dinjitetit të paprekshëm të çdo njeriu dhe përgjegjësisë që kemi ndaj njëri-tjetrit. Ai shtoi se të varfrit nuk janë vetëm përfitues të kujdesit të Kishës, por protagonistë të shpresës që Zoti vazhdon të zgjojë në histori.
Zbatimi i Sinodit
Në fund, Papa u kërkoi kardinalëve të vazhdojnë zbatimin e procesit sinodal.
Ai theksoi se sinodaliteti i Kishës nuk është thjesht një seri mbledhjesh apo një metodë pune, por një stil shpirtëror që lind nga takimi, rritet përmes dëgjimit dhe piqet në dallimin shpirtëror.
"Pyetja e vërtetë nuk është sa biseda do të organizojmë, por çfarë cilësie ungjillore do të kenë takimet tona".
Koncistori si përvojë bashkimi
Në përfundim, Papa Leoni XIV tha se Koncistori nuk është një parlament apo një kongres ku mbizotërojnë interesat dhe opinionet, por:
"Një përvojë bashkimi në shërbim të misionit".
Leoni XIV përfundoi duke theksuar se ky stil bashkimi duhet të përhapet në të gjithë Kishën, në mënyrë që çdo i pagëzuar, sipas thirrjes dhe përgjegjësisë së tij, të kontribuojë në ndërtimin e qytetërimit të dashurisë dhe në shërbim të së mirës së përbashkët.
