Papa Leoni XIV Papa Leoni XIV

Papa: faleminderit për mbështetjen e misionit tim dhe të bamirësisë, të ecim së bashku

Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Zotit, Papa Leoni XIV kujtoi Ditën e Lëmoshës së Shën Pjetrit, që kremtohet më 29 qershor, dhe shprehu mirënjohje për të gjithë besimtarët që kanë dhënë donacione për të mbështetur misionin e tij baritor dhe veprat e bamirësisë në ndihmë të popullsive më të brishta.

Vatican News

Është një "falnderim" i përzemërt që Papa Leoni XIV e shpreh nga dritarja e Pallatit Apostolik, në Sheshin e Vatikanit, për të gjithë ata që kontribuan në mbështetjen e misionit dhe veprave papnore bamirëse. Lëmosha e Shën Pjetrit synon të mbështesë punën baritore dhe bamirëse të Papës për të varfrit dhe ata që jetojnë në mjerim, në luftë dhe situata të tjera të vështira. Pikërisht sot, më 29 qershor, kremtohet Dita e lëmoshës së Shën Pjetrit, ngjarje që ripërtërin lidhjen e bashkimit me Papën. E Leoni XIV - para 15.000 besimtarëve në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, pavarësisht vapës që ka “pushtuar” Romën dhe mbarë Evropën – i falënderon "nga thellësia e zemrës" të gjithë ata që "me dhuratën e tyre mbështesin shërbesën time si Pasardhës i Pjetrit".

Le të vazhdojmë të ecim së bashku në besim dhe bashkim.

Sipas të dhënave zyrtare të Lëmoshtaria Shën Pjetrit për vitin 2025 - regjistron të ardhura totale prej 58 milionë eurosh, kryesisht nga ofertat e drejtpëdrejta të besimtarëve- mbledhja vjetore  në festën e Shën Pjetrit mbulon shumicën e nevojave, ndërsa pjesa tjetër është destinuar për të mbuluar shpenzimet e  projekteve të ndihmës dhe misionin apostolik të Ipeshkvit të Romës.

Urime romakëve

Si Papë, Leoni XIV u drejtohet Romakëve "dhe të gjithë atyre që jetojnë në këtë qytet", me "urimet më të mira" për festën e shenjtorëve mbrojtës qiellor Pjetër dhe Pal. Një mendim i shoqëruar me lutje për të ligshtit në Qytetin e Amshuar - për të sëmurët, të vetmuarit, të burgosurit – e edhe me mirënjohje për meshtarët e famullive, motrat rregulltare dhe meshtarët që punojnë në qytet dhe që "me praninë dhe shërbimin e tyre të përditshëm e mbajnë gjallë zemrën e tij të madhe të krishterë".

Faleminderit ekipit L'Osservatore di Strada

Në të njëjtën frymë, Papa Leoni përshëndet të pastrehët që ishin sot në Sheshin e Shën Pjetrit për të shpërndarë L'Osservatore di Strada (Vëzhguesin e Rrugës) suplementin mujor të së përditshmes L'Osservatore Romano, i lindur pikërisht më 29 qershor, katër vjet më parë (2022) për t'u dhënë zë të pastrehëve dhe të plagosurve nga jeta. Një Gazetë që, siç e përsëriste gjithmonë Papa Françesku, bën një "punë të mirë", domethënë, duke përfshirë drejtpërdrejt të varfrit në punën editoriale së bashku me artistët dhe intelektualët, duke u lejuar atyre të shkruajnë, të intervistojnë ose të intervistohen, të ilustrojnë faqet dhe të tregojnë historitë e tyre. Gjithçka është falas, e L'Osservatore di Strada ofrohet falas në ditën e botimit të saj. E njëjta gjë ndodhi sot gjatë Engjëllit, në Sheshin e Shën Pjetrit, me "redaktorët" e gazetës, të veshur me petka të reja dhe duke mbajtur një pirg gazetash për t'ua shpërndarë besimtarëve. Nga dritarja, Papa i "sheh" ata dhe shpreh falënderimet për të gjithë ekipin, një përfaqësues i të cilit valëvit banderolën me logon e revistës.

Urimet më të mira për ata që e zbatojnë këtë projekt.

Festivali i luleve në Via della Conciliazione

Me mirënjohje, Papa shikon edhe kompozimet mahnitëse me lule, që shtrihen nga Piazza Pio XII përgjatë Via della Conciliazione a Udhës së Pajtimit, para Sheshit të Vatikanit. Këto janë vepra të krijuara nga Pro Loco d'Italia për "Festivalin e Luleve" tradicional në festën e Shenjtorëve Pjetër e Pal. Edhe këtë vit, në një epokë të shkatërruar nga konflikti, iu kushtuan kryesisht temës së paqes. Qilimat me lule përfshijnë pëllumba të bardhë, duar të kapura, zemra të shpuara, një ushtar me përkrenare dhe pushkë, e pranë tyre, fjala "Paqe" e përkthyer në disa gjuhë. Së fundmi, një homazh për Don Tonino Bello-n, zë i përjetshëm paqeje në Itali e jo vetëm. Papa falënderon vullnetarët e Pro Loco për këtë dhuratë.

Faleminderit dhe urime

I falënderon edhe ata që organizojnë "Girandola di Castel Sant'Angelo", shfaqjen madhështore të fishekzjarreve, që organizohet në Romë çdo vit për festën e Shenjtorëve Pajtorë. Këtë vit, "Girandola" do t'i kushtohet një shenjti tjetër Pajtor, atij të Italisë, Shën Françeskut të Asizit, dhe Këngës së tij të Krijesave.

29 qershor 2026, 13:36