Fjala hyrëse e Papës hap Koncistorin në Sallën Pali VI me kardinalë nga e gjithë bota Fjala hyrëse e Papës hap Koncistorin në Sallën Pali VI me kardinalë nga e gjithë bota

Papa kardinajve: "kam nevojë për mbështetjen tuaj, kërkoj sinqeritet dhe besnikëri"

Ndërhyrja e Leonit XIV hap punimet e Koncistorit me kardinalët nga mbarë bota, duke përfshirë edhe ata nga "tokat e shënjuara nga luftërat, dhuna, polarizimi shoqëror apo fetar". Papa bën thirrje që të jemi "ndërtues të bashkësisë" dhe kujton se shërbimi i tij “nuk mund të jetohet i vetëm”. Prandaj kërkon që të shoqërohet në shërbimin e tij ndaj Kishës për "të dalluar shenjat e shpresës që rriten në heshtje", por gjithashtu "për të mos shpërfillur mundimet, keqkuptimet dhe rezistencat"

Vatican News

Papa Leoni XIV u kërkoi kardinalëve nga e gjithë bota mbështetje të plotë, besnikëri dhe sinqeritet në hapjen e punimeve të Koncistorit të dytë të papnisë së tij, i cili nisi sot në Vatikan dhe do të zgjasë deri nesër më 27 qershor, i ndarë në katër seanca pune.

"Mbështetem tek ju që të më ndihmoni të dalloj atë që Shpirti i Shenjtë i thotë sot Kishës. Kam nevojë për mbështetjen tuaj – të fortë, të qartë dhe publike. Kam nevojë ta ndiej veten të mbështetur nga ju si nga vëllezër", u tha Papa më shumë se njëqind kardinalëve të mbledhur në Sallën "Pali VI, në Vatikan".

Leoni XIV foli në këmbë, pranë tryezave rrethore, në Sallën Pali, në Vatikan, ku kardinalët, sipas metodës sinodale, luten, reflektojnë dhe diskutojnë gjatë dy ditëve të punimeve, sot më 26 e nesër më 27 qershor. Ata janë ndarë në grupe pune dhe përfaqësojnë pesë kontinentet, përfshirë edhe vende të goditura nga luftërat, dhuna dhe polarizimi shoqëror e fetar.

Në emër të Kolegjit të Kardinalëve, dekani kardinali Giovanni Battista Re e përshëndeti Papën, duke theksuar se Koncistori zhvillohet në një kohë të vështirë për njerëzimin, të karakterizuar nga përparimi i shpejtë teknologjik, zhvillimi i inteligjencës artificiale, por edhe nga rritja e varfërisë njerëzore dhe dobësimi i vlerave etike e morale. Kardinali Re e falënderoi gjithashtu Papën për enciklikën "Magnifica Humanitas", të cilën e cilësoi si "dritë dhe udhërrëfyese" për kohën e sotme.

Komunikimi ndërtohet çdo ditë

Papa Prevost në fjalën e tij para kardinajve të ardhur nga mbarë bota kujtoi se edhe në Koncstorin e mëparshëm kishte shprehur dëshirën që këto takime të ndihmonin për të mësuar gjithnjë e më shumë bashkëpunimin në shërbim të Kishës.

"Vazhdoj të besoj se kjo është një nga përgjegjësitë më të rëndësishme që i janë besuar Kolegjit të Kardinalëve. Edhe ne, ashtu si e gjithë Kisha, mësojmë duke ecur së bashku. Bashkimi nuk është një arritje përfundimtare", tha Papa dhe kërkoi "kthim të përditshëm, lutje, besim dhe gatishmëri për të dëgjuar njëri-tjetrin".

Të sodisim botën me sytë e fesë

Leoni XIV i ftoi kardinalët të jenë "ndërtues të bashkimit të Krishtit", duke theksuar se ky bashkim merr formë në një Kishë sinodale, ku të gjithë bashkëpunojnë në të njëjtin mision sipas karizmës dhe shërbesës së secilit.

Katër temat kryesore të Koncistorit të këtyre ditëve janë: vështrimi mbi botën, paqja, e mira e përbashkët dhe sinodaliteti.

"Para se të pyesim çfarë duhet të bëjmë, duhet të ndalemi përballë realitetit, ta shohim atë me sytë e fesë dhe të dëgjojmë pyetjet që na vijnë nga vëllezërit tanë" , u tha Ati i Shenjtë kardinajve.

Askush nuk është i paprekur nga konfliktet

Papa Leoni XIV theksoi se askush nuk mbetet jashtë konflikteve, padrejtësive dhe ndarjeve që karakterizojnë shoqërinë e sotme.

"Bashkëndarja që jemi thirrur të bëjmë na përket të gjithëve dhe prek misionin e Kishës në çdo vend".

Një pjesë e rëndësishme e reflektimeve gjatë Koncistorit do t'i kushtohet enciklikës "Magnifica Humanitas", e cila trajton kontributin që Kisha mund të japë për ndërtimin e së mirës së përbashkët.

"Sot është më i fortë tundimi për copëzimin dhe mbizotërimin e interesave të veçanta. Doktrina shoqërore e Kishës na kujton se e mira e përbashkët nuk lind vetvetiu, por kërkon përgjegjësi të përbashkëta".

Sinodaliteti nuk është vetëm procedurë

Sesioni i fundit i Koncistorit do t'i kushtohet zbatimit të rrugëtimit sinodal të Kishës.

"Sinodaliteti nuk është para së gjithash një grup procedurash. Ai është një qëndrim, një hapje dhe një gatishmëri për të kuptuar. Disa e kanë interpretuar si dobësim të autoritetit, por në të vërtetë ai na ndihmon të kuptojmë më thellë vetë kuptimin e autoritetit, i cili ekziston për të ruajtur bashkimin, për të nxitur pjesëmarrjen e të gjithëve dhe për të orientuar ecjen e përbashkët të Kishës".

"Shërbesa ime nuk mund të jetohet vetëm"

Në fund të fjalës së tij, Leoni XIV kërkoi një mbështetje të veçantë nga kardinalët.

"Shërbesa që Zoti më ka besuar nuk mund të jetohet vetëm. Ajo ka nevojë për përvojën tuaj, urtinë tuaj baritore dhe njohjen që keni për Kishat dhe popujt që ju janë besuar".

Papa u bëri thirrje kardinalëve ta shoqërojnë jo vetëm gjatë ditëve të Koncistorit, por edhe në shërbimin e përditshëm ndaj Kishës universale.

"Më ndihmoni të dëgjoj atë që po lind në Kishat lokale, të dalloj shenjat e shpresës që shpesh rriten në heshtje, por edhe të mos anashkaloj lodhjet, keqkuptimet dhe rezistencat që mund të ngadalësojnë rrugëtimin".

Duke përmbyllur fjalën e tij, Papa Leoni XIV u kërkoi kardinalëve ta jetojnë me besim përvojën sinodale.

"Kam nevojë për lirinë tuaj, sinqeritetin dhe besnikërinë tuaj. Një këshillë e sinqertë është gjithmonë një akt bashkimi. Edhe ne mësojmë sinodalitetin duke e praktikuar atë; mësojmë së bashku të rritemi në bashkim".



26 qershor 2026, 10:54