Papa në Sinod, Grech: "Një shenjë mbështetjeje dhe që na jep zemër"

Papa Leoni XIV vizitoi dje Sekretarinë e Përgjithshme të Sinodit për të përfunduar takimin e krerëve të organeve kontinentale ku u mblodhën përfaqësues nga të gjitha kontinentet në Romë nga 23 deri më 25 qershor.

Vatican News

"Takimi me Atin e Shenjtë ishte një shenjë e fortë mbështetjeje dhe nxitjeje për pjesëmarrësit që të vijojnë punën e tyre për kthesën sinodale të Kishës", tha Kardinali Mario Grech, Sekretar i Përgjithshëm i Sinodit, në përfundim të takimit të krerëve të organeve kontinentale (CELAM, SECAM, FABC, CCEE, FCBCO). Takimi me dyer të mbyllura me Papa Leonin XIV kurorëzoi takimin triditor (23-25 ​​qershor 2026) të përfaqësuesve të Amerikës Latine, Afrikës, Azisë, Evropës, Oqeanisë, Lindjes së Mesme dhe Amerikës së Veriut, të cilët shoqëroheshin nga bashkërenduesit e ekipeve sinodale kontinentale.

Udhëheqësit e organeve kontinentale kanë ardhur në Romë për të punuar së bashku në fazën e zbatimit të Sinodit, duke marrë shkas nga teksti i fundit me titullin «Drejt Asambleve 2027-2028: fazat, parimet dhe mjetet për përgatitjen».

Sekretari i Përgjithshëm i Sinodit, kardinali Mario Grech, hapi takimin të martën, më 23 qershor, duke shqyrtuar shkurtimisht përparimin e bërë deri tani dhe duke theksuar natyrën e posaçme të procesit të tashëm. Nisma të shumta janë ndërmarrë nga Kishat lokale – shkolla të sinodalitetit të krijuara për të mbështetur formimin, simpoziume, konferencatdhe programe dëgjimi dhe gjykimi – për të angazhuar besimtarët. Përshëndetjes së  kardinalit i parapriu një çast lutjeje, i udhëhequr nga Motra Nathalie Becquart, XMCJ, nënsekretare e Sinodit. Ditët në vijim iu kushtuan dëgjimit dhe gjykimit në zbatimin e kësaj periudhe "të re" sinodale. Faza e zbatimit, e cila përqendrohet në Dokumentin Përfundimtar të Asamblesë së Përgjithshme të XVI të Zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve, nuk është një përsëritje e procesit të zhvilluar para asamblesë, por një proces i ri, i pashembullt në llojin e vet, në të cilin bashkësitë lokale thirren të përkthejnë rekomandimet e dokumentit sinodal, duke u nisur nga gjendja e veçantë e secilës bashkësi.

Dëgjim i ndërsjellë

Një pjesë e punës iu kushtua dëgjimit të zhvillimeve kryesore në zbatimin e Dokumentit Përfundimtar të Sinodit në kontinente të ndryshme: përvoja të rëndësishme, vështirësi në zhvillim, pyetje të hapura dhe përparësi baritore. Ajo që doli nga ky takim është një Kishë krijuese dhe dinamike, një Kishë që ndjen nevojën për formim, për zhvillimin e përshpirtërisë sinodale dhe angazhimin më të madh për rrënjosjen e stilit sinodal. Pavarësisht dallimeve që kanë situatat e posaçme shoqërore, kulturore dhe kishtare, Kishat lokale po punojnë kryesisht për të shndërruar sinodalitetin nga një ngjarje e vetme në një përmasë të përhershme të jetës së Kishës. Ajo që e bën udhëtimin më të vështirë, por që nuk e ndalon, janë vështirësitë ekonomike, strukturore dhe mungesa e personelit, dhe nganjëherë gjeografia, paqëndrueshmëria politike ose varfëria.

Takimi u përqendrua te dokumenti i paraqitur nga Atë Giacomo Costa, SJ, këshilltar i Sekretariatit të Përgjithshëm të Sinodit. Dokumenti shqyrton hap pas hapi rrugëtimin drejt Asamblesë Kishtare të tetorit 2028, me katër faza të njëpasnjëshme, të cilat janë, e para: Përkujtimi – gjysma e parë e vitit 2027, me asambletë vlerësuese në dioqeza dhe eparki, të thirrura për të shqyrtuar përvojën e zbatimit të Dokumentit Përfundimtar. Faza e dytë: Përkujtimi – gjysma e dytë e vitit 2027, me asambletë e Konferencave Ipeshkvnore Kombëtare ose rajonale; Dhënia e drejtimit – katër muajt e parë të vitit 2028, me asambletë kontinentale, nga të cilat do të dalë një raport me udhëzime, dhe faza e fundit: Kremtimi – tetor 2028, me Asamblenë Kishtare të të gjithë Kishës, të mbledhur në Vatikan, së bashku me Atin e Shenjtë.

Asambletë dioqezane-eparkiale dhe kombëtare

Motër Becquart më pas drejtoi diskutimin mbi rolin e organeve kontinentale të Kishës Katolike dhe të ekipeve të tyre sinodale dhe në asambletë dioqezane-eparkiale dhe kombëtare. Ky diskutim u plotësua me një prezantim mbi rolin e komunikimit përgjatë këtij rrugëtimi, i mbajtur nga Thierry Bonaventura, menaxher i komunikimit i Sekretariatit të Përgjithshëm të Sinodit.

Pjesëmarrësit theksuan me forcë se roli i tyre është kryesisht shoqërues, jo mbikëqyrës, për të mbështetur mënyrat e shkëmbimit midis Kishave lokale, me një frymë ndihme të vërtetë. Ata gjithashtu përsëritën se asambletë – duke filluar nga ato të Kishave lokale deri te Asambleja Kishtare e vitit 2028 – nuk janë përbëjnë pikën e mbërritjes në udhëtimin e kthesës sinodale të ndërmarrë nga Kisha, por janë më shumë një kohë kremtimi dhe gjykimi për të kuptuar si të veprohet më tej.

Asambletë kontinentale

Para takimit të fundit me Atin e Shenjtë, pjesëmarrësit ia kushtuan ditën e tretë të punimeve Asambleve Kontinentale, duke iu referuar edhe Asamblesë Kishtare të vitit 2028. Organet kontinentale, me ekipet e tyre, tashmë po punojnë jo vetëm për të organizuar vetë asamblenë, por edhe për të përgatitur delegatët që do të marrin pjesë. Po studiohen formate të ndryshme asamblesh, të gjitha me qëllim që të bëhet e mundur një pjesëmarrje sa më e madhe besimtarësh.

26 qershor 2026, 10:57