Leoni XIV u kërkon lefebvrianëve të ndalin shugurimet pa mandat papnor
Vatican News
Siç kishte paralajmëruar ditët e fundit gjatë takimit me gazetarët në Castel Gandolfo, Papa Leoni XIV u ka drejtuar një thirrje të fundit anëtarëve të Vëllazërisë Meshtarake Shën Piu X, duke u kërkuar të mos vazhdojnë me shugurimin e katër ipeshkvijve të rinj pa mandat papnor, programuar të zhvillohet në Écône, në Zvicër, paraditën e 1 korrikut.
«Me zemër atërore dëshiroj t’ju drejtohem Juve – shkruan Leoni XIV – dhe, përmes Jush, ipeshkvijve, meshtarëve, seminaristëve dhe besimtarëve të lidhur me Vëllazërinë Meshtarake Shën Piu X, i vetëdijshëm për përgjegjësinë që Zoti më ka besuar si Pasardhës i Apostullit Pjetër. Kisha e njeh dashurinë tuaj për jetën liturgjike, përkushtimin në formimin meshtarak, zellin apostolik dhe dëshirën për besnikëri ndaj Traditës, që karakterizojnë shumë persona dhe bashkësi të lidhura me këtë Vëllazëri. Pikërisht kjo ka frymëzuar qëndrimin e vëmendshëm dhe dashamirës që paraardhësit e mi kanë treguar vazhdimisht ndaj jush».
Papa vazhdon:
«Me këtë frymë dhe i mbushur me dashuri të krishterë, ju lutem dhe ju kërkoj me gjithë zemër: kthehuni nga kjo rrugë! Ju nxis të mendoni me kujdes për të mirën shpirtërore të besimtarëve, sepse akti skizmatik që do të kryenit do t’i privonte ata nga marrja e ligjshme dhe, në disa raste, madje edhe e vlefshme e sakramenteve që ata i duan dhe i kërkojnë për shenjtërimin e tyre».
Në letrën, e shkruar në gjuhën frënge dhe drejtuar Eprorit të Përgjithshëm të Vëllazërisë, don Davide Pagliarani, Papa shkruan gjithashtu:
«Kisha mbetet e hapur ndaj një rruge dialogu dhe mirëkuptimi, të cilën Shpirti Shenjt mund ta bëjë të mundur dhe frytdhënëse. Lutem për ju, sepse grisja e Petkut të pandarë të Krishtit është një mëkat me rëndësi jashtëzakonisht të madhe. Zoti i ndriçoftë ndërgjegjet tuaja dhe i zgjoftë zemrat tuaja. Me autoritetin që kam marrë nga Krishti, me zemër të pikëlluar, por ende plot shpresë, e ndiej detyrë t’ju kërkoj të hiqni dorë nga ky synim dhe ia besoj këtë lutje Zemrës së Papërlyer të Marisë, Nënës së Këshillit të Mirë».
Papa, pra, u kërkon edhe një herë lefebvrianëve të heqin dorë nga shugurimet ipeshkvnore pa mandat papnor, të cilat do të përbënin një akt skizmatik. Është domethënëse se argumenti më i fortë që Ati i Shenjtë paraqet në letër është e mira shpirtërore e besimtarëve të Vëllazërisë Shën Piu X. Një veprim i tillë do t’i bënte të paligjshme dhe, në disa raste – si në rastin e rrëfimit sakramental dhe të martesës – madje edhe të pavlefshme sakramentet që do të kremtoheshin.
