Lampedusa falënderon Papën, në kujtim të viktimave të Mesdheut

Kryeipeshkvi Alessandro Damiano dhe kryetari i Bashkisë Filippo Mannino i shprehin mirënjohjen Leonit XIV për vizitën e sotme. Prelati kujton përkëdheljen e fundit të Papës për ata që e humbën jetën në shtegtimet e shpresës. Kryetari i Bashkisë flet për pamjen e ishullit, si fanar paqeje për botën.

Vatican News

"Në emër të viktimave të panumërta të këtij deti, familjeve të tyre dhe bashkësive të tyre, faleminderit! Faleminderit për aktin e mëshirës që erdhët të kryeni, e edhe për lutjen që erdhët të lartoni drejt qiellit". Këto ishin fjalët që iu drejtuan Papës nga Kryeipeshkvi i Agrigentos, Imzot Alessandro Damiano, para bekimit të fundit, nga altari i ngritur në fushën sportive, ku u kremtua Mesha nga Papa Leoni XIV.

"Sot në mëngjes këtu, në Lampedusa", kujtoi prelati, "kishte, para së gjithash, nga ata që nuk ia dolën, si Jusufi i vogël, të cilit i bënë homazhe gjatë ndalesës së parë në varreza. Për ata, kjo Mare Nostrum është bërë  humnerë dëshpërimi dhe humnerë vdekjeje. Kush e di sa shumë ka mbajtur në thellësitë e saj, përveç atyre që i ktheu e që prehen në varreza të ndryshme të kësaj dioqeze".

Nga ledhatimi i fundit, tek ëndrra e një jete të re

Sipas kryeipeshkvit, vizita e Papës padyshim "përfaqësoi për secilin prej tyre atë puthje e atë përkëdhelje të fundme, që ndoshta do ta kishte bërë vdekjen më pak të hidhur", por së bashku me ata që nuk ia dolën, "kishte edhe nga ata që ia dolën të arrinin në breg. Për ta - shpjegoi ai - "ëndrra e një jete të re, e cila filloi me ikjen nga vdekja, mund të vazhdojë! Por është një ëndërr që ende vjen me çmim shumë të lartë, sepse varfëria e atyre që duhet të fillojnë nga e para, është gjithmonë e frikshme". Prania e Papës, përveç ngushëllimit dhe ngjalljes së guximit, për Imzot Damianin "ishte për secilin prej tyre përqafim paqësor, mikpritës pa dallim, e edhe një dorë e shtrirë, inkurajuese, pa parapëlqime".

Që këtu, prelati falënderoi Leonin XIV në emër të atyre që arritën të gjallë dhe po përpiqen të fillojnë nga e para, si dhe të atyre që, nga larg, ndjekin gjurmët e tij me ankth, shqetësim e me një faleminderit!". Së fundmi, duke kujtuar se Lampeduza është "dheu i premtuar" i çuditshëm sepse "i mungojnë potenciali dhe burimet për të garantuar një të ardhme dhe, zakonisht, është vetëm një tokë kalimi", Kryeipeshkvi i Agrigentos theksoi se vizita e Papës "u kujtoi të mos i shmangen, për asnjë arsye, kësaj barre, e cila është, para së gjithash, nder! Ai na zgjoi - përfundoi prelati - në thirrjen tonë origjinale si "rojtarë të vëllezërve"; na riktheu shërbesën e mikpritjes, në të cilën mund të takojmë Zotin dhe të takohemi prej Tij”.

Kryetari i Bashkisë: një dritë paqeje për botën

"Në një kohë kur bota është ende e copëtuar nga luftërat, dhuna, përçarjet dhe frika, Lampedusa ndjen nevojën më të madhe për të ndezur një dritë. Një dritë të brishtë, ndoshta të vogël, por kokëfortë. Dritën e atyre që nuk i dorëzohen indiferencës. Dritën e atyre që vazhdojnë të besojnë se çdo jetë njerëzore është e shenjtë. Sot, simbolikisht, ne po jua dorëzojmë këtë dritë", tha Filippo Mannino, kryetar i bashkisë së Lampedusës dhe Linozës, duke i uruar mirëseardhjen Papës Leoni XIV. Nga skena e vendosur brenda fushës sportive "Arena" në Salina, kryebashkiaku kujtoi: “Kjo është drita e farit tonë", drita e Lampeduzës që "nuk bën zhurmë. Nuk gjykon. Nuk zgjedh se kujt t'i drejtohet. Mbetet e ndezur natën, tregon një rrugë, shoqëron ata që kërkojnë breg, na kujton se askush nuk duhet të ndjehet i humbur në errësirë. Kjo, vijoi Mannino, është Lampeduza:  shenjë e vogël paqeje në zemër të Mesdheut, që u flet njerëzve nga çdo cep i botës. Një ishull kaq i vogël ka treguar se edhe çka duket e brishtë, mund të arrijë gjëra të mëdha.

Në fjalën e tij përshëndetëse, kryebashkiaku theksoi se sa shumë njerëz të dëshpëruar në kërkim të së ardhmes më të mirë, janë mirëpritur, janë shpëtuar, janë ngushëlluar nga ishulli sicilian, i cili "njohu frikën, vështirësitë, dhimbjen, zemërimin, por nuk pushoi kurrë së shtriri dorën. Ndoshta është pikërisht kjo mrekulli - vazhdoi kryebashkiaku - që ne mund të shpresojmë ende sot: që nga ky ishull i vogël të lindë një thirrje, e aftë t’i arrijë ata me përgjegjësi të mëdha në botë; e ata që kanë fuqinë për të vendosur, ta dëgjojnë britmën e popujve të plagosur, të zgjedhin paqen, të mbrojnë jetën dhe të mësojnë nga kjo copë e vogël toke se askush nuk është shumë i vogël, për të treguar një rrugë".

Prej këndej, shpresa se "nga Lampeduza, një mesazh mund t'i dërgohet përsëri botës: asnjë natë nuk është aq e errët, sa ta pengojë një dritë që të mbetet e ndezur".

04 korrik 2026, 11:52