Fotografi e Papa Leonit duke inauguruar dhe bekuar Borgo Laudato si' në Castel Gandolfo (@Vatican Media) Fotografi e Papa Leonit duke inauguruar dhe bekuar Borgo Laudato si' në Castel Gandolfo (@Vatican Media)

Famullitari i Kastel Gandolfos: "dëshirojmë që Papa të bëjë këtu një pushim të vërtetë"

Don Tadeusz Rozmus, salezian polak dhe famullitar i Shën Tomës nga Villanova, uron që Leoni XIV të kalojë pushime të mbarë në Castel Gandolfo: "duam thjesht që ta jetojë i qetë këtë kohë sipas dëshirave dhe qëllimeve të tij: lutje, pushim, lexim, sport". Meshtari ndan gjithashtu emocionet e njerëzve që kanë përsëri Papën mes tyre: "Kthimi i Leonit XIV ringjall kujtimet e qëndrimeve verore të Gjon Palit II"

Vatican News

"Dëshira jonë është që Ati i Shenjtë të ndihet mirë këtu në Kastel Gandolfo (Castel Gandolfo), të mund të pushojë dhe të realizojë atë që ai vetë e ka cilësuar si qëllim të këtij qëndrimi: lutjen, pushimin, leximin dhe sportin". Ky është urimi që shpreh don Tadeusz Rozmus, SDB, famullitar i famullisë papnore të Shën Tomës nga Villanova, në një intervistë për mediat e Vatikanit. Meshtari salezian polak tregon për ditët e para të pushimeve të Papës, duke kujtuar qëndrimin e vitit të kaluar dhe duke përshkruar emocionet e banorëve të për rikthimin e Papës në Pallatin Apostolik në Kastel Gandolfo.

Surpriza e përshëndetjes së Papës

Mbi të gjitha, don Tadeusz shprehet mirënjohës sepse, në përshëndetjen e parë nga ballkoni i Pallatit Apostolik, në Kastel Gandolfo , Leoni XIV i drejtoi një mendim personal famullitarit dhe komunitetit të famullisë. Ai nuk e priste aspak: "Për mua ishte një surprizë jashtëzakonisht e madhe. E interpretova si një njohje të vlerës së famullisë sonë papnore. Edhe pse strukturat e Vatikanit këtu veprojnë në mënyrë autonome, sipas të Drejtës Kanonike, famullia dhe famullitari i saj kanë një rol të rëndësishëm. Ishte një gjest shumë i bukur i Atit të Shenjtë ndaj mbarë komunitetit tonë".

Periudhë pushimi

Sipas famullitarit don Tadeusz, qëndrimi i Papa Leonit këtë vit ka një karakter ndryshe nga ai i vitit të kaluar. Në fakt, Papa e kishte njoftuar tashmë se dëshironte ta kalonte këtë kohë verore në Kastel Gandolfo si një periudhë pushimi të vërtetë. "Ati i Shenjtë e tha qartë se ka ardhur këtu për t'u lutur, për të pushuar, për t'iu dedikuar leximit dhe aktivitetit sportiv. Ne nuk kemi pritshmëri të veçanta, thjesht duam që ai të ndihet mirë këtu dhe ta jetojë i qetë këtë kohë sipas dëshirave të tij". E njëjta gjë vlen edhe për besimtarët, të cilët presin me gëzim sidomos takimet gjatë lutjes mariane të Engjëllit të Tënzot dhe takimet e tjera të mundshme të paralajmëruara nga vetë Leoni XIV.

Takimet që forcuan lidhjen

Don Tadeusz tregon gjithashtu edhe për takimet e shumta që ka pasur me Papën gjatë vizitave të tij të shpeshta në Kastel Gandolfo gjatë këtij viti të fundit. Pothuajse çdo javë, Leoni ka shkuar në në Kastel Gandolfo, në Villa Barberini, të hënën pasdite deri të martën në mbrëmje, kur, duke dalë nga rezidenca papnore, ndalonte për të përshëndetur shtegtarët e mbledhur aty përpara ose për të biseduar me gazetarët. "Si famullitar, kam pasur mundësinë të shkëmbej disa fjalë me Atin e Shenjtë, t'i përcjell disa informacione ose thjesht ta përshëndes. Kanë qenë momente shumë të bukura, në të cilat ndihej afërsia e tij atërore. Shpresoj që kjo traditë të vazhdojë edhe pas përfundimit të pushimeve", thotë saleziani.

Një Meshë e paharrueshme dhe një dhuratë nga Papa

Duke shikuar pas vitin e kaluar, në verën e parë si Papë të Robert Francis Prevost, don Rozmus kujton me emocion të madh Meshën e parë të kremtuar më 13 korrik të vitit të kaluar pikërisht në famullinë e Shën Tomës nga Villanova. Kisha e vogël nuk kishte arritur të nxinte të gjithë besimtarët që dëshironin të merrnin pjesë në atë kremtim. Ajo që i ka mbetur më shumë në zemër famullitarit ishte momenti kur Papa iu drejtua drejtpërdrejt famullisë duke i dorëzuar një dhuratë të veçantë. "Na dhuroi një kelk liturgjik shumë të bukur. Pata nderin ta merrja nga duart e tij në emër të mbarë komunitetit dhe e falënderova për këtë gjest. Do të mbetet një nga momentet më të rëndësishme të jetës sime meshtarake".

Kujtimet për Gjon Palin II

Në valën e kujtimeve, don Tadeusz Rozmus shpjegon se një vend të veçantë në zemrat e banorëve të Kastel Gandolfos e zë Gjon Pali II. Emri i Papës së Shenjtë rikthehet vazhdimisht në rrëfimet e famullitarëve: "Të dielën pashë njerëz me lot në sy. Shumë prej tyre kujtonin fëmijërinë e tyre, kur Papët vinin rregullisht në Kastel Gandolfo. Flitej shumë për Shën Gjon Palin II. Banorët thonë thjesht: 'Ishte Papa ynë'. Dhe kur e kujtojnë atë, prekin vërtet emocionet e tyre. Kthimi i Leonit XIV ringjall ato kujtime dhe u jep njerëzve ndjesinë se kjo traditë e bukur papnore po vazhdon ende".

Katër shekuj prani e Papëve

Pushimet e Papës të këtij viti përkojnë gjithashtu edhe me një përvjetor të rëndësishëm. Në fakt, viti 2026 shënon 400-vjetorin e fillimit të traditës së qëndrimeve verore të Papëve në Kastel Gandolfo, e nisur nga Papa Urbani VIII në vitin 1626. "Së bashku me Dioqezën, e Albanos, autoritetet e qytetit dhe famullinë po përgatitemi për kremtimet e këtij përvjetori. Është një mundësi e jashtëzakonshme, - përfundon don Tadeusz Rozmus, - për të kujtuar katër shekuj prani të Pasardhësve të Pjetrit në Kastel Gandolfo dhe për të nënvizuar rëndësinë e këtij vendi në historinë e Kishës".

nga Don Łukasz Bankowski

07 korrik 2026, 11:11