Papa Leoni XIV Papa Leoni XIV

Leoni XIV: në vend të akuzave që ushqejnë luftën, t'i lutemi Zotit për mëshirë

Në një letër drejtuar ipeshkvit të Lodit, të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, me rastin e Ditës së 27-të të Columbanus Day, Leoni XIV thekson se vetëm mëshira e Hyjit mund të mbjellë në zemrat e njerëzve solidaritetin e vërtetë dhe të bëjë që armiqtë t'i zgjasin dorën njëri-tjetrit. Papa kujton gjithashtu vizitën e tij të fundit baritore në dioqezën e Lodit dhe nderimin kushtuar Shën Françeska Saverio Kabrinit.

Vatican News

Përballë zhurmës së akuzave, që vetëm sa ushqen shkatërrimin dhe vdekjen e sjellë nga luftërat, duhet të kundërvihet një lutje e përvuajtur dhe e heshtur për mëshirë, duke i kërkuar Hyjit një zemër të re, të aftë t'ia shtrijë dorën edhe armikut. Kjo është rruga që Papa Leoni XIV fton të ndiqet në një letër, Itali, të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit,kardinali Pietro Parolin, drejtuar ipeshkvit të Lodit, imzot Maurizio Malvestiti, me rastin e Ditës së 27-të të Shën Kolombanit (Columbanus Day), që u zhvillua më 4 dhe 5 korrik në qytetin lombard.

Rizbulimi i vlerave të traditës së krishterë

Ati i Shenjtë Leoni XIV përgëzon organizatorët për këmbënguljen në mbajtjen gjallë të kësaj nisme, e cila prej vitesh bashkon bashkësitë kishtare dhe civile që mbajnë emrin e Shën Kolombanit në mbarë Evropën. Ajo synon të njohë më mirë figurën e abatit irlandez, trashëgiminë e tij shpirtërore dhe rëndësinë që mesazhi i tij vazhdon të ketë për kulturën evropiane.

Në letër theksohet se, duke ndjekur shembullin e shenjtit, i cili nuk i mbajti për vete dhuratat e Hyjit, por i ndau me të gjithë, këto ditë përkujtimore bëhen rast takimi për njerëz të gjuhëve dhe kombeve të ndryshme, duke i ftuar të rizbulojnë së bashku vlerat e traditës së krishterë për t'u përballur me sfidat e kohës sonë.

Pendesa, udha e pajtimit

Papa Leoni XIV e paraqet Shën Kolombanin edhe si mësues të një qëndrimi të domosdoshëm për çdo rrugë të vërtetë pajtimi: pendesën.

"Kur një konflikt është shndërruar në luftë, me pasojat tragjike të vdekjes dhe shkatërrimit, në vend që palët të vazhdojnë të akuzojnë njëra-tjetrën, duhet t'i luten Hyjit për mëshirë, Atij që është Gjykatësi i drejtë dhe i mëshirshëm. Vetëm mëshira hyjnore mund të zgjojë në zemrat tona mëshirën njerëzore dhe të bëjë që armiqtë t'ia zgjasin dorën njëri-tjetrit".

Në përfundim të letrës, Ati i Shenjtë Leoni XIV kujton vizitën e tij të fundit baritore në dioqezën e Lodit, gjatë së cilës u ndal për t'i bërë nderim Shën Françeska Saverio Kabrinit, pajtores së emigrantëve.

05 korrik 2026, 17:28