Papa Leoni XIV Papa Leoni XIV

Papa Leoni XIV: Eukaristia, "dhuratë e paçmuar, ushqimi ynë i domosdoshëm"

Një videomesazh i Papës Leoni XIV me rastin e përfundimit të "Shtegtimit Eukaristik Kombëtar" në 250-vjetorin e Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Vatican News

 "Kam kënaqësinë t'ju përshëndes në përfundim të Shtegtimit Eukaristik Kombëtar. Siç e dini, shtegtimet janë thellësisht të rrënjosura në traditën judeo-kristiane dhe shpesh ndërmerren për të festuar përvjetorë të rëndësishëm, kur bashkësia mblidhet në lutje". Me këto fjalë e fillon Papa Leoni XIV videomesazhin e tij për përfundimin e Shtegtimit Eukaristik Kombëtar, që shënon 250-vjetorin e Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai kujton moton "Një komb nën Zotin" e flet për SHBA-në si për një komb, "të përshkuar nga ndjenja e fesë, që njeh sovranitetin e Zotit edhe para themelimit të tij formal".

"Me bekimin e Zotit të Gjithëpushtetshëm", vazhdon Papa Leoni XIV, "kjo trashëgimi ka vazhduar të japë fryte, duke i çuar brezat e rinj të katolikëve amerikanë te Jezu Krishti. Po Zoti i ka frymëzuar edhe disa burra dhe gra që të japin dëshmi radikale për Ungjillin". Ati i Shenjtë u referohet martirëve të Nju Jorkut dhe të Xhorxhias, Shën Kateri Tekakëitha, Shën Elizabeth Ann Seton, Shën Katharine Drexel, Shën John Neumann dhe të Nderuarin Fulton Sheen. Gra dhe burra me “veprimtari intensive apostolike”.

"Vëllezër dhe motra, duke marrë pjesë në këtë Shtegtim Eukaristik – vijon Papa - ju e çoni përpara këtë trashëgimi të madhe feje. Gjatë rrugëtimit tuaj, nuk kanë munguar kremtimi i meshës, procesionet Eukaristike dhe adhurimi i të Shenjtnueshmit Sakrament, që ju kanë dhënë forcën dhe ushqimin e nevojshëm për të vazhduar udhëtimin", nënvizon Leoni XIV në videomesazh. Më pas, e përqendron vëmendjen te Eukaristia: "një dhuratë e paçmuar, ushqimi ynë i domosdoshëm". E, "pikërisht nëpërmjet njohjes dhe pranimit të kësaj dhurate, Kisha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të gjejë forcën për të vazhduar punën bamirëse në dobi të shoqërisë në tërësi - veçanërisht në fushat e arsimit, kujdesit shëndetësor dhe shërbimeve themelore sociale - duke vijuar misionin e saj të ungjillëzimit", përfundon Papa Leoni XIV.

06 korrik 2026, 10:19