Papa: Magnifica Humanitas lind nga shqetësimi për përgjegjësinë njerëzore
Vatican News
Ndërsa bota e përfshin gjithnjë e më tepër përdorimin e Inteligjencës Artificiale në veprimtarinë e vet, zëra dhe raporte "shqetësuese" denoncojnë "humbjen e veprimit të përgjegjshëm të njeriut" në fusha themelore. Pikërisht nga dëgjimi i këtyre zërave lindi nevoja për një enciklikë, që trajton temën e Inteligjencës Artificiale dhe mbrojtjen e njerëzores në një kohë "ndryshimesh epokale". Kështu deklaron sot, 8 korrik, Papa Leoni XIV, në një mesazh të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, me rastin e Samitit “Inteligjenca Artificiale për të mirën 2026”, organizuar nga Bashkimi Ndërkombëtar i Telekomunikacionit (ITU), në bashkëpunim me agjenci të tjera të Kombeve të Bashkuara dhe me qeverinë zvicerane.
Dëgjimi, për të orientuar teknologjitë e reja
Ngjarja e përuruar më 7 korrik, që do të vazhdojë deri më datën 10, shqyrton disa nga çështjet më të rëndësishme të kohës sonë, për të cilat është i nevojshëm një dialog urgjent me të gjithë, për të gjetur “shtigje të reja për të mirën e përbashkët dhe për të nxitur një jetë dinjitoze për njerëzimin". Magnifica Humanitas, enciklika që Papa ia kushton pikërisht kësaj teme, lindi nga dëgjimi i shkencëtarëve dhe inxhinierëve, që po punojnë "me entuziazëm të sinqertë mbi teknologjitë e afta për të lehtësuar vuajtjet e mëdha"; nga diskutimet me udhëheqësit politikë dhe me administratorët publikë, që po kërkojnë normat më të drejta për orientimin e IA-së; si edhe nga bisedat me prindërit dhe mësuesit, thellësisht të shqetësuar për të ardhmen e brezave të rinj.
Njëkohësisht, ajo merr shkas edhe nga raportet shqetësuese për keqpërdorimin e mundshëm të algoritmeve dhe për humbjen e veprimit të përgjegjshëm njerëzor në fusha me rëndësi themelore. Papa përfundon duke siguruar lutje për një "shkëmbim konstruktiv dhe të frytshëm" në impenjimin "në shërbim të njerëzimit".
