Leo XIV gjatë fjalimit të tij të pranimit të Medaljes së Lirisë Leo XIV gjatë fjalimit të tij të pranimit të Medaljes së Lirisë

Leo XIV: madhështia e një kombi qëndron në mbrojtjen e jetës së të gjithëve

Në prag të 250-vjetorit të lindjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Papa, përmes një videolidhjeje me Filadelfian, mbajti fjalimin e pranimit të "Medaljes së Lirisë" (Liberty Medal). Ai bëri thirrje për respektimin e dinjitetit njerëzor, duke kujtuar rëndësinë e lirisë fetare dhe duke u lutur që “bekimet e Zotit të shoqërojnë të ardhmen e Amerikës”. Papa uroi që idealet e shpallura në fillim të Deklaratës së Pavarësisë të vazhdojnë ta udhëheqin kombin në rrugën e unitetit dhe të paqes.

Vatican News

Është e fortë thirrja, ajo e Leonit XIV, për të vazhduar kultivimin e respektit për vlerën e "çdo jete njerëzore": "Madhështia morale e një kombi vërehet, mbi të gjitha, në aftësinë e tij për ta mbështetur, për ta mbrojtur dhe për ta vlerësuar jetën e të gjithëve, veçanërisht më të ligshtëve dhe atyre, vlera e të cilëve vihet në dyshim".

Në pragun e 250-vjetorit të themelimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Papa Prevost sot mori “Liberty Medal” (Medaljen e Lirisë) nga Qendra Kombëtare e Kushtetutës, për angazhimin e tij në "mbrojtjen e lirisë". E, duke u lidhur nëpërmjet videos nga Vatikani, mbajti një fjalim të fuqishëm për të pranishmit, në një ceremoni publike në Independence Mall të Filadelfias, park që përfshin ndërtesën historike ku u nënshkruan si Deklarata e Pavarësisë, ashtu edhe Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky nder i është dhënë ndër vite personaliteteve si Nelson Mandela, Mikhail Gorbachev dhe figurave të tjera politike me famë ndërkombëtare.

250 vjet që nga Deklarata e Pavarësisë

Papa, prandaj, thotë se është i nderuar që merr Medaljen këtë vit, në 250-vjetorin e themelimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me nënshkrimin e Deklaratës së Pavarësisë më 4 korrik 1776. "Si bir i këtij vendi të madh", i themeluar nga njerëz që ëndërronin liri e jetë më të mirë, bashkohet me të pranishmit duke u lutur "për bekimet e Zotit mbi të ardhmen e Amerikës që idealet e larta të mishëruara në fillim të Deklaratës së Pavarësisë të vazhdojnë të udhëheqin prosperitetin e kombit në unitet, drejtësi dhe paqe".

Njeriu i krijuar sipas shëmbëlltyrës së Zotit, themel i dinjitetit njerëzor

"Pjesa më e madhe jona, theksoi Papa Prevost, e ka admiruar rrjedhshmërinë e këtyre fjalëve me thirrjen e tyre të fortë ndaj ligjit të natyrës dhe të Zotit, si bazë e pohimit sipas të cilit të gjithë burrat e gratë janë krijuar të barabartë dhe të pajisur nga Krijuesi i tyre me të drejta të patjetërsueshme, ndër të cilat janë e drejta për jetë, liri dhe ndjekje të lumturisë". Leoni XIV vëren se ky pohim, "megjithëse i shprehur në gjuhën e Iluminizmit", bazohet "në një koncept të personit njerëzor frymëzuar nga vizioni i madh biblik i burrit dhe i gruas, të krijuar sipas shëmbëlltyrës së Zotit". Në këtë, pra, zbulojmë "themelin e dinjitetit njerëzor", "i cili i paraprin themelimit të çdo Shteti dhe ruajtja e të cilit përfaqëson vetë qëllimin e tij".

Amerika dhe dashuria për lirinë

Papa gjithashtu zgjeron shikimin e tij në historinë e 250 viteve të fundit, gjatë të cilave, vëren ai, për shumë popuj ka qenë "vendosmëria e fortë për të realizuar vizionin fisnik të themeluesve të kombit, që e bëri Amerikën sinonim të lirisë, ndërsa vendi hapi dyert për valë të njëpasnjëshme emigrantësh, duke u lejuar atyre dhe fëmijëve të luajnë rolin e vet në formimin e së ardhmes së kombit". E njëjta dashuri për lirinë frymëzoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës "në orët më të errëta të shekullit të kaluar, në kohën e dy luftërave botërore", me flijime të mëdha, për të mbrojtur kauzën e lirisë përtej kufijve të saj.

Besnik ndaj titullit "Vendi i burrave të lirë dhe streha e guximtarëve”

Papa gjithashtu vëren se, "siç e di çdo amerikan", rruga drejt një shoqërie që mishëron idealet e larta të lirisë dhe të drejtësisë "nuk ka qenë gjithmonë e lehtë" e "në shumë mënyra, është ende punë në zhvillim e sipër": është angazhim që duhet të rifillohet "në çdo brez dhe përballë sfidave gjithnjë e më të reja". "Ky përvjetor historik, pra, ofron mundësi për të reflektuar edhe një herë mbi parimet themeluese të kombit, me shpresën se Amerika do t'i mbetet gjithnjë besnike ëndrrës që i dha asaj titullin 'Vendi i njerëzve të lirë dhe streha e njerëzve guximtarë”.

Ligjet e mbrojnë jetën nga zënia e deri në vdekjen natyrore.

E drejta e parë e sanksionuar nga themeluesit e kombit amerikan ishte "e drejta për jetën". "Vitaliteti i një vendi është thellësisht i lidhur me vlerën që i jep jetës njerëzore në të gjitha format dhe kushtet e saj, duke njohur dinjitetin me të cilin çdo person njerëzor është i pajisur në sajë të vetë ekzistencës së tij ose të saj", theksoi Papa Prevost, duke kujtuar pikërisht atë vlerë të brendshme të çdo jete njerëzore, e cila nxiti zemrat e brezave të tërë të "mbeten në nderim para një dhurate kaq të çmuar". Shpresa e tij, pra, është ta kultivojë këtë respekt që prek zemrat dhe "frymëzon ligje që e njohin dhe e mbrojnë këtë dhuratë nga çasti i zënies - deri në vdekjen natyrore". Një respekt që na ndihmon të zbulojmë se jemi "rojtarë" të "atyre që janë besuar kujdesit tonë".

Liria, të mos veprojmë sipas dëshirës, ​​por të themeluar mbi të vërtetën

E drejta e dytë është ajo për liri, ndërmjet parimeve të nderuara nga ata që kërkuan "fillim të ri" në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe e barazuan me "një shpresë të papërfytyrueshme më parë". "Edhe pse shpesh kuptohet si aftësi për të vepruar sipas dëshirës, ​​liria e mirëfilltë është shumë më e thellë": "Ajo  bazohet, vëren Papa, në aftësitë e personit njerëzor për të njohur të vërtetën dhe për t'iu përmbajtur asaj që është e mirë, madje edhe me çmim të lartë: flijim i njohur mirë për shumë prej atyre që punuan për ta formuar këtë Vend".

Qendrore, pyetja mbi Zotin për drejtimin e jetës.

Dëshira për të vërtetën e lirinë dhe ndjekja e lumturisë vazhdojnë t’i nxisin brezat për të bërë pyetje themelore "rreth kuptimit të jetës, qëllimit tonë përfundimtar dhe, në fund të fundit, rreth Zotit". Përgjigjet e këtyre pyetjeve në mënyrë të pashmangshme përcaktojnë "drejtimin që kërkojmë t'i japim jetës sonë" dhe "Amerika e ka promovuar prej kohësh lirinë fetare të nevojshme për të ndjekur me përgjegjësi urdhrat e ndërgjegjes në këtë drejtim, pa frikë e pa detyrim, siç është sanksionuar në Amendamentin e Parë të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara".

Liria fetare e dialogu për kauzën e paqes

Kjo është liri që e konsideron "të shenjtë" sferën intime të personit, ku ndërgjegjja udhëheq vendimet e marra në thellësi të zemrës. Është pikërisht kjo liri, theksoi Papa, që garanton gjithashtu edhe "të drejtën e çdo personi për të besuar e rrëfyer fenë sipas bindjeve të tij ose të saj, dhe të individëve, komuniteteve e shoqatave për të shprehur publikisht fenë e tyre". Prandaj, Papa përqendrohet në vlerën e lirisë fetare, e cila i dha jetë "traditës amerikane të soditjes së dialogut ndërfetar dhe bashkëpunimit ndërfetar në nxitjen e së mirës publike" e në pasurimin e debateve mbi çështje të mëdha morale dhe etike. "Shpresa ime është - pohon ai - që kjo traditë të vazhdojë të japë fryte në debatin publik të karakterizuar nga moderimi, respekti për pikëpamjet e tjera dhe përpjekja e vazhdueshme për të gjetur terren të përbashkët në nxitjen e kauzës së paqes dhe të pajtimit, brenda dhe jashtë vendit".

Për të lulëzuar, një komb duhet të jetë i bashkuar

Paraardhësit e këtij vendi, të feve dhe gjuhëve të ndryshme, gjetën terren të përbashkët për të ndjekur një të ardhme më të mirë, thekson Papa. "Parimet që frymëzuan themeluesit e Amerikës, të rrënjosura në të vërtetën e personit njerëzor, vijon, i bashkuan ata në një kauzë të vetme, në një ëndërr të përbashkët. Uniteti i dha forcë asaj ëndrre, duke lindur, nën Zotin, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E pluribus unum: nga shumë, një." "Që një komb të përparojë, ai duhet të jetë vërtet i bashkuar", thekson Papa Leoni, jo "nga objektiva të lidhura me përpjekje të çastit", por nga "ideale që nuk zbehen me kalimin e kohës".

Përvjetori është mundësi për të ripërtërirë angazhimin ndaj këtyre idealeve.

Shpresa e tij është që këto parime - dinjiteti i përbashkët njerëzor, barazia dhe të drejtat e sanksionuara në Deklaratën e Pavarësisë - të jenë "burim i një uniteti të tillë dhe një dritë udhërrëfyese për çastin e tanishëm dhe për ditët që do të vijnë".

"Lutem", përfundon Papa, që 250-vjetori i themelimit të këtij kombi të madh të jetë rast për të ripërtërirë solemnisht angazhimin tonë ndaj atyre idealeve që e bënë Amerikën vend, që vlerëson paqen dhe prosperitetin,  vend që karakterizohet nga bujaria dhe fisnikëria e zemrës". E ia beson të ardhmen e Republikës "Atij që është Vetë burimi i lirisë së vërtetë dhe i paqes së qëndrueshme, Atij, emri i të cilit është Paqe. Zoti e bekoftë Amerikën!".

03 korrik 2026, 13:35