Papa në Lampedusa: deti, gjaku dhe emigrimi, 'shenjat' e vizitës

Pritje për mbërritjen e Papa Leonit XIV në Lampedusa, më 4 korrik, në ishullin që është bërë simbol i tragjedisë së migracionit. kjo vizitë përçon një mesazh “jashtëzakonisht të fuqishëm” për Italinë dhe Europën, “jo me fjalë të forta, por me dëshminë e jetës”.

Vatican News

Vizita e Papa Leonit XIV në Lampedusa, që do të zhvillohet të shtunën, më 4 korrik, është konceptuar si një “shtegtim shpirtëror”. Ajo nis me lutjen dhe kujtimin e atyre që kanë humbur jetën në det, si edhe të të mbijetuarve, përmes një ndalese në varrezat e ishullit. Më pas vijon te Porta e Europës dhe në Molin Favarolo, ku Papa do të takohet me një përfaqësi migrantësh. Udhëtimi përmbyllet me kremtimin e Meshës së Shenjtë në stadiumin e qytetit, ku do të marrë pjesë e gjithë bashkësia vendase, si shenjë e bashkimit me një Kishë të gjallë.

Kështu e përshkruan vizitën imzot Alessandro Damiano, kryeipeshkëv metropolit i Agrigjentos. Edhe pse e shkurtër, kjo vizitë ka një domethënie të veçantë për ishullin, i cili ende mban gjallë kujtimin e vizitës historike të Papa Françeskut në vitin 2013. Nga ky vend simbolik, Papa Leoni XIV do t'i drejtojë Italisë dhe Europës një mesazh të fuqishëm, “jo të bërtitur, por të jetuar”.

Vizita përmbyll rrugëtimin e nisur në qershor me udhëtimin në Ishujt Kanarie, ku Papa Leoni XIV dënoi me vendosmëri trafikimin e qenieve njerëzore dhe iu drejtua trafikantëve me fjalët: “Pendohuni!”. “Një thirrje,” vëren imzot Damiano, “që për ne, banorët e Agrigjentos, sjell ndër mend thirrjen e Shën Gjon Palit II drejtuar mafies.”

"Shenjat" liturgjike që karakterizojnë vizitën  Papës

Janë të ndryshme "shenjat" liturgjike që karakterizojnë vizitën baritore të Papës Leoni nesër, në Lampedusa, duke u nisur nga "Katedralja nën qiellin e hapur", në të cilën do të transformohet stadiumi Lampedusa Arena, vendi ku Papa Leoni do të kremtojë Meshën, "tempull ideal pa mure, i aftë për të mirëpritur simbolikisht mbarë njerëzimin", thotë Dioqeza e Agrigentos. Siç ndodhi gjatë vizitës së Papës Françesku në vitin 2013, Shtatorja e Zojës së Porto Salvo, e nderuar që nga shekulli i 15-të si pajtore mbrojtëse e marinarëve, do të vendoset pranë altarit. Pranë saj do të jetë edhe skulptura e lashtë e shekullit të 17-të e të Krishtit të Kryqëzuar i Katedrales, për të nënvizuar lidhjen e thellë me Kishën Nënë të Kryeipeshkvnisë.

Së fundi, altari dhe ambonat, dy polet liturgjike, "janë fryt i kërkesës artistike të Igor Scalisi Palminteri, artist palermitan, i cili ka hetuar prej kohësh marrëdhënien ndërmjet shenjtërisë, kujtesës kolektive dhe hapësirës publike".

Veprat u seleksionuan pas një konkursi për artistë bashkëkohorë sicilianë. Projekti konkretizon udhëzimet e Kryeipeshkvisë së Agrigentos, ndërthurur në tri tema kryesore: tema e detit, e gjakut dhe e migrimit, interpretuar përmes dritës së Shëlbimit dhe profecisë biblike. Artisti deshi të shmangë përfaqësimet narrative ose fotografike të drejtpërdrejta të dhimbjes, duke favorizuar një gjuhë themelore dhe simbolike. Sipërfaqet abstrakte dhe shenjat fluide simbolizojnë detin dhe udhëtimin, brishtësinë dhe shpresën. Vijat që kalojnë nëpër vepra të kujtojnë lëvizjen e valëve, duke e transformuar Mesdheun në hapësirë​​kalimi, por edhe kujtese e rilindjeje.

Altari, me formën e tij të plotë dhe të qëndrueshme, të kujton "gurin e themelit”, Krishtin i cili, duke dhuruar vetveten, i jep forcë bashkësisë që kremton". Ambona, vend i Fjalës  së Zotit dhe i shpalljes, "merr formën e një shkëmbi dhe të një vendi uljeje, duke kujtuar simbolikisht varrin e gdhendur në shkëmb: vendin nga i cili Krishti doli fitimtar. Një vijë e kuqe përshkon të dyja veprat, simbol i Mundimeve dhe i gjakut të derdhur, por edhe kujtesë për shumë jetët e humbura në ujërat e Mesdheut".

03 korrik 2026, 19:04