Papa: deti varr i vendimeve të munguara, Evropa ka përgjegjësi epokale

Leoni XIV kremtoi Meshën Shenjte në fushën sportive “Arena”, në përfundim të vizitës së tij në Lampedusa. Prevost kujtoi Papën Françesku dhe viktimat e mbytjeve në det, falënderoi institucionet civile, shoqërore e kishtare për pritjen e ofruar ndër vite dhe vlerësoi atë që e quajti “mrekullia e dhembshurisë”. Më pas i bëri thirrje Evropës të zgjedhë rrugën e paqes e jo logjikën e forcës, duke ftuar në rrëzimin e çdo muri: atyre të paragjykimeve fetare dhe të ndarjeve mes migrantëve e turistëve

Vatican News

Thirrja, jo uluritëse, e për këtë arsye edhe më e fuqishme për Evropën, është "përgjegjësi e madhe" lidhur me çështjen emigratore. Papa kujton "ata që vdesin në det", viktimat e "vendimeve të marra dhe vendimeve të dështuara". Falënderimet janë për të gjithë: për Kishën, institucionet civile, OJQ-të, Rojën Bregdetare dhe vetë emigrantët, të cilët e  treguan aftësinë e tyre për mirëseardhje, rezistencë dhe qëndrueshmëri. Flet si Papë, por paraqitet si shtegtar "në gjurmët e Papës Françesku", Papa Leoni XIV, në një Lampeduzë që e pret me ngrohtësi e zell, siç bëri trembëdhjetë vjet më parë, më 8 korrik 2013, me Papën argjentinas i cili, pa shumë njoftim paraprak dhe me shumë pak kohë përgatitjeje, zgjodhi të bënte udhëtimin e tij të parë si Pasardhës i Pjetrit në këtë ishull, për t'i sjellë ngushëllim komunitetit të shkatërruar nga mbytja e një anijeje, ku humbën jetën mbi 300 vetë.

Falënderimet e Papës

Tragjedi, kjo, që u përsërit me kalimin e kohës në këto brigje kristalore, përplot me turistë, e që gjithmonë ka pasë të njëjtën përgjigje: mirëseardhje, solidaritet, afërsi. Së pari e improvizuar, spontane, nga ana e njerëzve, pastaj e organizuar dhe e kontrolluar falë OJQ-ve dhe zbatimit të ligjit. Prandaj në homelinë e Meshës, në Salina, në fushën sportive - ndalesa e fundit në udhëtimin e tij në Lampeduzë - Papa Leoni e përsëriti disa herë para 4.000 njerëzve nga i gjithë rajoni, fjalën "faleminderit".

Faleminderit vullnetarëve, shoqatave të mbledhura në "Forumin e Solidaritetit të Lampedusës", institucioneve civile, Rojës Bregdetare, kryetarëve të bashkive dhe administratave, që pasuan njëra-tjetrën me kalimin e kohës; falë diakonëve, meshtarëve, motrave rregulltare, mjekëve, psikologëve, edukatorëve; falë forcave të sigurisë dhe të gjithë atyre që, me ose pa dhuratën e fesë, zgjodhën të duan së bashku.

Ungjilli hesht, kur secili e bën veten ishull

Një listë e gjatë institucionesh dhe përfaqësuesish të Kishës, të politikës dhe të shoqërisë civile të cilët, në këto vite zbarkimesh dhe shpëtimesh, e dëshmuan atë dashuri, që është zemra e Ungjillit. E pikërisht nga pjesa e Ungjillit të Meshës së sotme e mori Papa reflektimin e tij: ai, pohoi, "jehon kudo që njerëzit takohen, individët mirëpresin njëri-tjetrin, historitë e tyre ndërthuren, kulturat e ndryshme hyjnë në dialog". Megjithatë, bëhet "i heshtur", "kur secili person e bën veten ishull, ku kontakti shmanget, shkëmbimi ndërpritet".

Kthehet në fjalët e Papës shëmbëlltyra e Samaritanit të Mirë, e shpallur gjatë liturgjisë së Fjalës së Zotit, si shembull i "një historie që vazhdon". Lampeduza dhe Linoza gjenden sot në "një rrugë të rrezikshme" si ajo që të çonte nga Jerusalemi në Jeriko. "Këtu", thotë Leoni XIV, "keni parë jo vetëm një, por mijëra qenie njerëzore të rëna në duart e grabitësve që i zhveshin nga gjithçka, i rrahin deri në gjakosje dhe largohen, duke i lënë gjysmë të vdekur". "Deti mirëpriti të tjerë, ata që nuk arritën atje ku shpresonin", theksoi Papa. E sot ne e ndiejmë "praninë e tyre", e cila sfidon ndërgjegjen e të gjithëve dhe, para çdo konsiderate intelektuale apo bindjeje ideologjike, "na bën thirrje për afërsi".

“I afërmi na bën, i afërt bëhesh!”.

Por i afërm bëhesh përmes dashurisë, për të cilën "dhembshuria, që e sheh vëllain tonë në det, është si emocioni i parë, thirrja e thellë për të guxuar atë, që nuk do ta kishit menduar kurrë".

Kujtimi i migrantëve të vdekur në det

Papa shikon migrantët e pranishëm në stadium: "Ata vetë - thekson - jo vetëm që kanë marrë, por shpesh kanë ushtruar edhe solidaritet në udhëtimin e tyre, si njerëz të varfër, që ndihmojnë më të varfrit". "Faleminderit, vëllezër e motra, sepse nuk ka asgjë për t'u marrë si e kryer kur je pranë të tjerëve, asgjë automatike".

Mendimi e Papës, ose më mirë, denoncimi i tij, shkon tek "ata që zgjedhin të mos jenë pranë të tjerëve e edhe tek ata, që vendosin për të mos vendosur". Ata që vdesin në det janë "viktima si të vendimeve të marra, ashtu edhe të vendimeve që mungojnë".

Shpërfillja e së mirës së përbashkët dhe korrupsioni në vendet e tyre të origjinës, një sistem ekonomik global që krijon varfëri dhe përjashtim, frika që ushqen paragjykimet dhe përbuzjen, ideja se këto probleme nuk na shqetësojnë, llogaritjet kriminale të atyre që përfitojnë nga gjendja e vështirë e të tjerëve, kalimi i ngadaltë dhe i vështirë nga menaxhimi i thjeshtë i emergjencave në zhvillimin e politikave gjithëpërfshirëse dhe të përbashkëta: e gjithë kjo riprodhon sot, nga historia e Ungjillit, nxitimin “për të kaluar tutje”.

Krishti ka shembur çdo mur

Si në shëmbëlltyrën e Samaritanit të Mirë, ashtu edhe sot, por në përgjithësi, në çdo epokë, "nuk ka mungesë të atyre që kanë frikë nga ndotja përmes kontaktit me të tjerët, duke mohuar kështu - edhe përballë vuajtjes dhe vdekjes - origjinën tonë të përbashkët në Zotin, dinjitetin e pafund të çdo qenieje njerëzore dhe thirrjen për dashuri të pakufizuar". Atëherë, pohon Leoni XIV, "është koha të pranojmë dhe të pohojmë se përkatësia fetare nuk duhet të bëhet kurrë  arsye për diskriminim, si kur feja të ketë kufij dhe të mos jetë, përkundrazi, thirrje universale për shpëtim".

Atje ku kishte mure ndarjeje, Krishti i shembi! Nuk ka dashuri për Zotin, pa dashuri për të afërmin, e nuk ka të afërm, nëse nuk afrohemi. Të ndalesh, të prekesh, të përulesh, të qash para dhimbjes së të tjerëve - siç bëri Jezusi - do të thotë të hysh në lëvizjen e dashurisë, lëvizjen në të cilën Zoti e zbuloi veten.

Qytetërimi i dashurisë

Ata që e lejojnë veten të "çohen në këtë dinamikë dhembshurie, mëshire", fillojnë "të jetojnë ndryshe, të jenë qytetarë ndryshe, të punojnë ndryshe". Kështu, ata hedhin themelet për "qytetërimin e dashurisë" të thirrur nga Gjoni XXIII, Pali VI dhe Gjon Pali II, të cilët, "së bashku me një numër të madh profetësh dhe martirësh të shekullit të kaluar", e kuptuan se "në thellësitë e zemrës njerëzore dhe tmerret e luftës, vetëm mëshira mund të përgjigjet me fillime të reja".

Tani, mbi supet e këtyre gjigantëve, kemi hyrë në një mijëvjeçar në të cilin do t'i japim formë shpirtërore, kulturore, juridike, politike dhe ekonomike qytetërimit të dashurisë. Le të na ndihmojë madhësia e dhimbjes që dëshmojmë për ta  kuptuar natyrën radikale të kësaj thirrjeje.

Është e mundur të "ndryshohen planet dhe drejtimi", siguron Papa Leoni XIV: "Qytetërimi i dashurisë nuk lind nga një gjest i vetëm, spektakolar, por nga një shumë besnikërish të vogla dhe të palëkundura, që veprojnë si pengesë për dehumanizimin". Populli i Lampeduzës është dëshmitar i kësaj. "Jo të gjithë", shton Papa, "kanë të njëjtën fuqi për të ndikuar mbi realitetin. Megjithatë, askush nuk është pa përgjegjësi. Secili ka sferën e vet të veprimit, dhe atje - jo diku tjetër - është i thirrur të zgjedhë nëse do të nxisë logjikën e forcës (edhe nëse vetëm përmes indiferencës, cinizmit, gënjeshtrave ose urrejtjes), apo do të ruajë logjikën e paqes (me të vërtetë, maturi, afërsi dhe kujdes".

Mesazh për Evropën

Nga ky cep i largët i Detit Mesdhe, thirrja shkon për Evropën, e cila, për migrimin, por edhe për tranzicionin ekologjik dhe promovimin e paqes, "zotëron një potencial unik, të nxjerrë nga historia dhe kultura e saj dhe, për këtë arsye, një përgjegjësi të barabartë".

Duke pasur parasysh pozicionin e saj gjeografik dhe strukturën institucionale, Evropa është në gjendje - në këtë fushë - ta përballojë krizën në mënyrë organike, duke integruar ndihmën e shpejtë në një plan strategjik, të aftë për të mirëpritur, për të mbrojtur, për të promovuar dhe për të integruar migrantët, duke punuar njëkohësisht për zhvillim, në mënyrë që askush të mos detyrohet të emigrojë.

E gjithë kjo, duke siguruar "respekt për dinjitetin e çdo personi", detyrë për institucionet publike, shoqërinë civile dhe për Kishën.

Muret ndërmjet të mbyturve dhe pushuesve

Papa Leoni, më pas, prek një nga çështjet e ndjeshme të Lampedusës: "kultura e mikpritjes ka një thirrje turistike, e cila - për fat të keq - mund të ndjehet e kërcënuar nga rrugët migratore dhe të zhvillohet mes indiferencës, ose edhe në kundërshtim me aspektet e tyre dramatike", thekson ai. "Për shumë njerëz, pushimet janë thjesht shpërqendrim, çast i lehtë. Pra, duket se duhet të ngrihet një mur i padukshëm ndërmjet detit të të mbyturve dhe atij të pushuesve".

Kini guximin të mendoni ndryshe. Pak nga pak, me frymë krijuese, do të arrini të siguroni që kushdo të kalojë një periudhë kohe, madje edhe një periudhë pushimi, në këtë ishull e të mund të bëhet më njerëzor, duke e krahasuar veten me bamirësinë tuaj, me atë që ju ka mësuar deti, me takimet që ju kanë edukuar.

"Ka pushim të mirëfilltë, aty ku rizbulohet kuptimi i jetës; e mirëqenie të vërtetë, kur ekonomia është e drejtë dhe vëllazërore", përfundon Papa Leoni. "Në këtë ekonomi, kujdesi për krijimin dhe miqësia shoqërore bashkohen në një sintezë, që po e kërkon sot njerëzimi".

"O'scià!"

Një fjalë u shkon edhe famullive kishtare, që të jenë "bashkësi ku, në shkollën e Ungjillit, mësojmë së bashku të mirëpresim, të shoqërojmë dhe integrohemi, në stil bashkimi". E, së fundmi, një rekomandim nga Papa: "të mos lejojmë që të na mposhtë frika, por t’i shohim vështirësitë tona të përditshme si kohë mundësie dhe dëshmie. Feja juaj - u thotë banorëve të Lampeduzës - ju forcoftë nga këto vite sprovash dhe angazhimi bujar".

Mos ju mungoftë kurrë fryma e fesë, e shpresës dhe e bamirësisë. O'scia!

04 korrik 2026, 13:41