"Blue Lou" Marini: historia e Vëllezërve Blues dhe takimi me Leonin XIV
Vatican News
Louis "Blue Lou" Marini mbërriti dje në studiot e mediave të Vatikanit, në Takimin e Riminit, së bashku me gruan e tij Karmen, e me një palë syze dielli Ray-Ban në dorë. Po syzet nuk janë për të. "Janë për Papën", thotë, duke shtuar se do të dëshironte të kishte gjetur kohën për të skalitur fjalët "Papa Cool" mbi to. Janë i njëjti model që përdorte i riu Robert Francis Prevost në një fotografi të bërë në Çikago, kur Papa i ardhshëm ishte ende seminarist. Në foto është i veshur si njëri nga Blues Brothers, në komedinë e famshme muzikore të vitit 1980, të cilën Papa nuk e ka fshehur kurrë se e donte: kostum i zi, kapelë e zezë e syze dielli!
Klarineta e parë e dhuruar nga i ati
Në një intervistë, ndërsa priste mbërritjen e Papës Prevost, Louis Marini rrëfen disa çaste nga xhirimet e filmit dhe rikthehet në gjurmët e udhëtimit të tij muzikor, duke përfshirë takimin me gruan e tij Carmen. "Është pjesa më e mirë e jetës sime", thotë. "Pasi e takova atë, gjithçka nisi të shkojë si s’ka më mirë". Megjithatë, The Blues Brothers nuk e përcakton Lou Marinin. Gjatë gjithë karrierës së tij të gjatë, saksofonisti ka luajtur përkrah disa prej muzikantëve më të mëdhenj modernë. "Ata ishin të gjithë mësuesit e mi", kujton. Megjithatë, frymëzimi i tij më i madh vjen nga dikush, që sot mund të njihet vetëm përmes kujtimeve të Marinit dhe, në disa mënyra, përmes muzikës së tij: atit të tij. Ai ishte mësuesi më i madh, thotë ai: njeriu që i dha klarinetën e parë kur ishte dhjetë vjeç, që e mësoi të luante dhe e shoqëroi, ndërsa rritej. Megjithatë, me nënën, këndoi nga e gjithë zemra. Kështu që, kur u pyet se ku do të kthehej dhe me kë do të luante, nëse do të mund të udhëtonte në kohë, në çdo çast të së kaluarës, për një këngë të fundit, përgjigjja e Marinit ishte rishtas i ati.
Takimi me Papën
Gjithnjë dje, pak më vonë, Papa po ecte në një korridor të Pavionit C2 të Takimit të Riminit, për të vizituar ekspozitën kushtuar Shën Agustinit. Duke hedhur një vështrim në stendën e medias së Vatikanit, i bëri shenjë Lou Marinit se do të kthehej. E kështu edhe bëri. Pasi vizitoi ekspozitën, Papa u takua me Lou dhe Carmen. Shkëmbimi ishte i thjeshtë: dy rruzare në këmbim të syzeve Ray-Ban të Blues Brothers, njësoj si ato që mbante shumë vite më parë Robert Francis Prevost, i cili buzëqeshi kur i pa. Një takim i paplanifikuar, që zgjati vetëm disa çaste, por që nxiti një shkëmbim të gjallë në të cilin Leo XIV, duke cituar një skenë nga The Blues Brothers, i kujtoi artistit se ai vijon ende "një mision në emër të Zotit".
Ekuilibri i muzikës
Blutë dhe Vëllezërit e tij u sollën gëzim brezave të tërë të njerëzve përmes muzikës, humorit dhe imagjinatës së tyre të pagabueshme. Marini kujton se filmi, përtej ndjekjeve me makina dhe komedisë, "në të vërtetë është shumë i ëmbël". E pa përsëri me Carmen vetëm para disa muajve, pasi kishin kaluar vite pa e parë. Muzika, që na shoqëron gjatë gjithë jetës, mund të zbulojë lidhjen ndërmjet trishtimit nga i cili lindi blues dhe gëzimit, që mund të krijojë, në fund të fundit, thotë saksofonisti. Është ekuilibër i vështirë për t'u gjetur, e rruga për ta arritur nuk është e menjëhershme, shton ai. "Por kur në fund të fundit arrin atje, është e mrekullueshme".
