ZIMBABWE-MARITIME-ACCIDENT

Dhimbja e Papës për viktimat e mbytjes së anijes në Zimbabve

Në një telegram, Leoni XIV shpreh afërsinë e tij me familjarët e viktimave të aksidentit të ndodhur ditët e fundit në liqenin Kariba, ku humbën jetën më shumë se 80 persona, mes tyre edhe disa fëmijë.

Vatican News

“Trishtim i thellë” për atë që ka ndodhur në liqenin Kariba, në Zimbabve. Kështu shprehet Papa sot, më 18 gusht, në një telegram të firmosur nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin. Leoni XIV shpreh afërsinë e tij, duke ua besuar “shpirtrat e të ndjerëve mëshirës së Zotit”.

Aksidenti ndodhi më 11 gusht, kur anija, që me shumë gjasë ishte e mbingarkuar me pasagjerë, u përmbys gjatë udhëtimit nga Kariba Town drejt kampit të peshkimit të Chalala-s, duke shkaktuar më shumë se 80 viktima, mes tyre edhe 18 fëmijë.

Ati i Shenjtë Leoni XIV u dërgon ngushëllimet e tij të gjithë atyre që vajtojnë humbjen e njerëzve të tyre të dashur dhe u siguron lutjet e tij autoriteteve civile dhe personelit të angazhuar në operacionet e shpëtimit. “Mbi të gjithë ata që janë prekur nga kjo tragjedi – thuhet në tekst – kërkon bekimin hyjnor”, me lutjen që Zoti t’u dhurojë ngushëllim, shërim dhe forcë.

Liqeni Kariba (AFP ose licencuesit)
Liqeni Kariba (AFP ose licencuesit)   (AFP or licensors)

Hetimet vijojnë

Ndërkohë, vijojnë hetimet për të përcaktuar me saktësi dinamikën e mbytjes. Sipas disa burimeve të shtypit, trageti kishte qenë në shërbim për 41 vjet dhe udhëtimi në liqen ishte kryer në kushte me erëra të forta. Anija ishte nisur drejt disa komuniteteve rurale dhe të peshkatarëve në veriperëndim të vendit, një zonë ku rrugët janë në gjendje të keqe dhe lidhjet e transportit publik janë të kufizuara.

Presidenti i Zimbabves, Emmerson Mnangagwa, shpalli gjendjen e emergjencës kombëtare, duke garantuar angazhimin maksimal në drejtim të ndihmës mjekësore dhe psikologjike për familjet e prekura, të cilat përkujtuan të dashurit e tyre në një ceremoni përkujtimore të zhvilluar më 13 gusht në stadiumin e Karibës.

Liqeni Kariba, një nga rezervuarët artificialë më të mëdhenj në botë, kufizohet me Zambian dhe përbën një rrugë thelbësore transporti për komunitetet rurale dhe peshkatarët e zonës. Ai u krijua me ndërtimin e një dige mbi lumin Zambezi, ndërmjet fundit të viteve ’50 dhe fillimit të viteve ’60, dhe shtrihet për më shumë se 200 kilometra.

18 gusht 2026, 11:34