Jerusalemi Jerusalemi

Dy popuj dhe dy shtete: qëndrimi i pandryshuar i Papëve dhe i Selisë së Shenjtë

Thirrja e Papës Leoni XIV për Lindjen e Mesme në Engjëllin e Tënzot të 16 gushtit, nga Castel Gandolfo, është e fundit në një seri të gjatë deklaratash përgjatë tetëdhjetë viteve, nga ana e Papëve dhe e Selisë së Shenjtë. Një qëndrim i përhershëm, i përcaktuar gjithnjë si e vetmja rrugë drejt një paqeje "të drejtë dhe të qëndrueshme" për Izraelin dhe Palestinën

Vatican News

Zgjidhja "me dy shtete" është dhe mbetet e vetmja rrugë e mundshme drejt paqes ndërmjet Izraelit dhe Palestinës. Papët kanë ndryshuar, ashtu si edhe situata në Lindjen e Mesme, e cila, pas 7 tetorit 2023, u keqësua dramatikisht në dhunë dhe ndarje. Megjithatë, linja diplomatike e Selisë së Shenjtë gjatë gati tetëdhjetë viteve të fundit ka qenë dhe mbetet e palëkundur: "dy shtete", horizonti i vetëm për të siguruar drejtësi dhe një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme. I fundit që e pohoi sërish me forcë këtë qëndrim historik, është pikërisht Papa Leoni XIV, pavarësisht se është refuzuar gjithnjë nga qeveria izraelite.

"I kërkoj urgjentisht bashkësisë ndërkombëtare të bëjë ç’është e mundur që të mbizotërojë zgjidhja me dy shtete, për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme", theksoi Papa Leoni XIV gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot të së dielës, 16 gusht, nga Castel Gandolfo, pasi dënoi abuzimet dhe dhunën kundër palestinezëve në Cisojordani. Kërkesa e Atit të Shenjtë Prevost nxorri sërish në pah projektin e formuluar që në vitin 1947 me planin e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara për ndarjen e Palestinës në dy shtete, me synimin që të realizohet më në fund.

Një doktrinë diplomatike me rrënjë të thella

Nga një kërkesë fillestare për ndërkombëtarizimin e vendeve të shenjta të Jerusalemit në vitin 1947, që nga vitet ‘80, zgjidhja me dy shtete është bërë gurthemeli i doktrinës diplomatike të Selisë së Shenjtë lidhur me konfliktin izraelito-palestinez. Ky qëndrim i palëkundur, nuk diktohet sigurisht nga reagimet emocionale para shkallëzimit të konfliktit, por i ka rrënjët në kohë. Dhe është mbështetur vazhdimisht nga Papët.

Kërkesa e Piut XII për mbrojtjen e Vendeve të Shenjta

Deklaratat e para datojnë që nga viti 1948, kur Papa Piu XII, në enciklikën “In multiplicibus curis”, bëri thirrje që në “tokën shenjte” të Palestinës të vendosej "një rend", i cili të garantonte "sigurinë e ekzistencës dhe, në të njëjtën kohë, kushtet fizike e morale të jetës, në gjendje të ishin baza normale e mirëqenies shpirtërore dhe materiale". Në enciklikën pasuese “Redemptoris nostri cruciatus” (1949), i shqetësuar se të gjitha vendet e lidhura me ekzistencën e Jezu Krishtit Shëlbues mund të vuanin nga tërbimi i luftës, Papa Pacelli bëri thirrje për veprim "me çdo mjet ligjor" për t’u siguruar që Jerusalemi të fitonte "një status të përshtatshëm juridik".

Pali VI dhe të drejtat legjitime të palestinezëve

Papa i parë që udhëtoi në Tokën e Shenjtë në vitin 1964, Pali VI, në prag të Luftës së Gjashtë Ditëve (1967), foli shprehimisht për të drejtat legjitime të popullit palestinez, duke e zhvendosur fokusin nga emergjenca humanitare në çështjen themelore politike. Në një mesazh të zjarrtë drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, U Thant, Montini bëri thirrje në emër të gjithë Krishterimit që "Jerusalemi, për shkak të karakterit të tij unik fetar dhe të shenjtë, të shpallej qytet i hapur dhe i padhunueshëm", "i lirë nga çdo operacion ushtarak" dhe "i paprekshëm nga problematikat e luftës".

Impulsi i Gjon Palit II

Megjithatë, shtysa vendimtare erdhi me Papën Gjon Pali II, i pari që kërkoi me forcë të drejtën e palestinezëve për një atdhe të pavarur dhe, njëkohësisht, riafirmoi të drejtën e Izraelit për të jetuar në siguri. Kjo thirrje e dyfishtë u kristalizua në letrën apostolike “Redemptionis anno” të vitit 1984: "Për popullin hebraik, që jeton në Shtetin e Izraelit dhe që në atë tokë ruan dëshmi kaq të çmuara të historisë dhe të fesë së tij, duhet të kërkojmë sigurinë dhe qetësinë e drejtë të dëshiruar, që është premisë e çdo kombi dhe kusht për jetë dhe përparim në çdo shoqëri", shkruan Papa. "Populli palestinez, që ka në atë tokë rrënjët historike dhe që jeton i shpërndarë prej dekadash, ka të drejtën natyrore, për hir të drejtësisë, të gjejë një atdhe, ku të jetojë në paqe dhe qetësi me popujt e tjerë të rajonit". Përsëriti të njëjtën gjë në vitin 2000, gjatë shtegtimit të tij në Tokën Shenjte - jo i pari i një Pape, por i vlerësuar si "historik" për rëndësinë e tij.

Përkrahja e Benediktit XVI

Nëntë vjet më vonë, një Papë tjetër udhëtoi për në Tokën Shenjte e të lënduar të Jezusit: ishte maji i vitit 2009 dhe Benedikti XVI shkoi në Lindjen e Mesme. Duke ndjekur paraardhësin e tij, theksoi se formula "me dy shtete" nuk është utopi, por kusht për të ndaluar spiralen e dhunës dhe për të siguruar të ardhmen e rajonit. "Selia e Shenjtë mbështet të drejtën e popullit për një atdhe sovran palestinez në tokën e paraardhësve, të sigurt dhe në paqe me fqinjët, brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht", pati thënë Papa Ratzinger. Ai inkurajoi "të mbahej gjallë flaka e shpresës" që "të gjendet një rrugë takimi ndërmjet aspiratave legjitime për paqe dhe stabilitet si të izraelitëve, ashtu edhe të palestinezëve".

Fjalët dhe veprimet e Papës Françesku

Me Papën Françesku, impenjimi u ndërkombëtarizua dhe u formalizua, i mbështetur nga veprime diplomatike - siç është nënshkrimi i Marrëveshjes Globale nga Selia e Shenjtë, që njeh zyrtarisht Shtetin e Palestinës në vitin 2015 - dhe nga veprime më baritore, siç është lutja e përbashkët për paqen në Kopshtet e Vatikanit, në vitin 2014, me presidentin izraelit Shimon Peres dhe presidentin palestinez Mahmoud Abbas. Ky ngjarje ishte fryt i udhëtimit të majit në Tokën Shenjte, gjatë të cilit Jorge Mario Bergoglio deklaroi: "Ka ardhur koha që të gjithë të kenë guximin, me bujari e krijimtari, në shërbim të së mirës së përbashkët, guximin e paqes, e cila bazohet në njohjen universale të së drejtës së dy shteteve për të ekzistuar dhe për të gëzuar paqe e siguri brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht". Qëndrim i mbështetur fuqimisht nga diplomacia vatikanase, edhe në ndërhyrjet e Sekretarit të Shtetit, kardinalit Pietro Parolin.

Thirrjet e Leonit XIV

Kjo trashëgimi është në duart e Leonit XIV, i cili menjëherë e vendosi sërish zgjidhjen me dy shtete në qendër të debatit global. Deklaratat e tij në udhëtimin Stamboll-Bejrut, gjatë shtegtimit apostolik në Turqi dhe Liban, janë tejet të rëndësishme: "Selia e Shenjtë, prej vitesh, mbështet publikisht propozimin për një zgjidhje me dy shtete. Të gjithë e dimë se në këtë çast Izraeli nuk e pranon ende këtë zgjidhje, por e shohim si zgjidhjen e vetme që mund t’i japë fund konfliktit". Këto fjalë u theksuan në audiencën me Trupin Diplomatik, më 9 janar 2026: "Zgjidhja me dy shtete mbetet perspektiva institucionale, që përmbush aspiratat legjitime të të dy popujve".

Thirrjet e Papës Leoni XIV dhe ato të paraardhësve të tij presin ende përgjigje. Lufta vazhdon të shkaktojë vuajtje për popujt dhe rruga drejt paqes nuk është e qartë. Megjithatë, për Papët dhe për Selinë e Shenjtë, stanjacioni politik dhe tragjeditë humanitare nuk e kanë hedhur poshtë vlefshmërinë e zgjidhjes, përkundrazi, dëshmojnë urgjencën e saj. Pikërisht për këtë e ngriti zërin Leoni XIV të dielën, duke bërë thirrje për përgjegjësi ndërkombëtare.

17 gusht 2026, 17:40