Papa: britma e të miturve migrantë ngrihet te Zoti; të mbrohen të drejtat dhe dinjiteti i tyre
Vatican News
“Edhe vetëm njëri prej këtyre fëmijëve” kjo është tema e Mesazhit të Papa Leonit XIV për Ditën e 112-të Botërore të Migrantit dhe Refugjatit, publikuar të premten më 14 gusht, kushtuar fëmijëve, shumë fëmijëve migrantë, duke filluar nga ata me të cilët Papa ka takuar vështrimet e tyre të errëta e depërtuese gjatë udhëtimeve në Ishujt Kanarie dhe në Lampeduzë.
“Edhe vetëm njëri prej këtyre fëmijëve” kjo është tema e dokumentit për Ditën e 112-të Botërore të Migrantit dhe Refugjatit të këtij viti, që do të kremtohet më 27 shtator dhe që këtë vit synon të tërheqë vëmendjen e të gjithëve te ata që “janë më të pambrojturit brenda flukseve migratore botërore”: fëmijët dhe adoleshentët.
“Fytyra konkrete, histori unike, që i bëjnë thirrje ndërgjegjes sonë”. Të mitur që i kanë parë vitet e para të jetës të copëtohen nga dhimbja e humbjes së prindërve dhe vëllezërve, që janë dëshmitarë të “dhunës së patregueshme” ose që përjetojnë “traumën” e ndarjes së detyruar për shkak të riatdhesimit, por që janë edhe në qendër të veprimeve të kujdesit dhe solidaritetit. Pikërisht këto veprime Papa Leoni XIV kërkon t’i shtojmë, duke iu përgjigjur këtyre tragjedive me njerëzi dhe fe, duke nxitur rrugë integrimi dhe miqësie me bashkëmoshatarët e vendit, si dhe duke krijuar hapësira ku identiteti kulturor dhe fetar i migrantëve të vlerësohet, në mënyrë që të parandalohet rreziku i radikalizimit.
Ta zhvendosim debatin nga flukset te mbrojtja e të drejtave
Papa Leoni i nxit të gjithë t’i shohin këta fëmijë dhe sytë e tyre, ndërsa i kërkon botës politike dhe mediatike të ndryshojë urgjentisht këndvështrim.
“Duhet ta zhvendosim boshtin e debatit nga menaxhimi i thjeshtë i flukseve te mbrojtja e plotë dhe e menjëhershme e të drejtave të njeriut, duke miratuar një përgjigje të bashkërenduar, solidare dhe efikase, në gjendje të garantojë mbrojtje, mikpritje dhe mundësi reale integrimi për ata që emigrojnë”.
Vuajtja
Papa e nis reflektimin e tij nga realiteti i fenomenit migrator, me miliona fëmijë dhe adoleshentë që çdo vit “detyrohen të braktisin tokën e tyre për shkak të luftërave, varfërisë, dhunës, katastrofave mjedisore dhe tragjedive të tjera”. Numrat rriten dhe “përgjegjësitë ekonomike, politike dhe ushtarake për këtë katastrofë janë të jashtëzakonshme”, thekson Papa.
Ati i Shenjtë Leoni XIV hyn në thelbin e vuajtjeve të përjetuara nga shumë prej këtyre të miturve. Vuajtja e tyre “nuk përfundon me zhvendosjen”, për shkak të humbjeve dhe dhunës së përjetuar. Në raste të tjera, për fëmijët që përpiqen të bashkohen me familjarët prej të cilëve janë ndarë për periudha të gjata, ajo merr formën e “ankthit”.
Ka edhe të mitur që “e përshkojnë rrugëtimin së bashku me prindërit, por janë të ekspozuar ndaj kushteve ekstreme dhe traumatike”, vëren Papa Leoni XIV, pa harruar “gjendjen tragjike të atyre që ndahen nga prindërit për shkak të riatdhesimit”.
Tri herë të pambrojtur
Kësaj tabloje dramatike i shtohen edhe tragjedi të tjera: “vdekjet përgjatë rrugëve migratore, trafikimi dhe shfrytëzimi, rekrutimi i të miturve për përdorim në konfliktet e armatosura, dhuna seksuale, martesat e detyruara dhe mizoritë e përjetuara apo të dëshmuara gjatë udhëtimit”.
“Në shumë mënyra, dinjiteti i tyre nëpërkëmbet”. Dinjiteti i fëmijëve migrantë, të pambrojtur dhe pa zë, nëpërkëmbet edhe më shumë. Ata, siç theksonte Papa Françesku, “janë tri herë të pambrojtur: sepse janë të mitur, sepse janë të huaj dhe sepse janë të pambrojtur”.
Drita e solidaritetit
Mes gjithë kësaj errësire, megjithatë, nuk mungon drita. Është drita e solidaritetit, e mishëruar nga “persona, familje, institucione civile dhe bashkësi kishtare” që “zgjedhin të mos kthejnë kokën nga ana tjetër”.
Ka familje që hapin dyert e shtëpive të tyre për t’u rikthyer fëmijëve “ngrohtësinë e një vatre”; ka edukatorë në qendrat e pritjes, vullnetarë dhe punonjës që çdo ditë, përgjatë rrugëve migratore dhe në qytete, “kujdesen për plagët e padukshme të këtyre të vegjëlve”. Angazhimi i tyre, siguron Papa, dëshmon se “dashuria mund ta mposhtë indiferencën”.
Thirrja e Ungjillit
Papa i referohet në këtë kuadër Ungjillit, ku Krishti thotë: “Kush pranon një fëmijë të tillë në emrin tim, më pranon mua.” Prandaj, “nuk është çështje shifrash apo statistikash”: Ungjilli na fton të mos bëjmë llogari. “Edhe vetëm njëri”, thotë Zoti.
“Çdo fëmijë, çdo qenie njerëzore, ka një dinjitet të pafund. Ai është shëmbëlltyrë dhe përngjasim i Hyjit, është prania e Zotit. Përballë çdo të mituri migrant, jemi të thirrur të kryejmë një akt njerëzie dhe feje: sepse te fëmija mund të pranojmë dhe të takojmë Zotin”.
Kjo thirrje e Papës bëhet edhe më e fortë duke kujtuar fjalët e tjera të Jezusit: “Isha i huaj dhe më pranuat”. Por jo gjithmonë ndodh kështu. “Fatkeqësisht – vëren Papa – të miturit migrantë reduktohen më lehtë në padukshmëri, sepse u mungojnë të rriturit që t’i mbrojnë dhe t’i mbështesin.”
Për Leonin XIV, “është e nevojshme të ndërhyhet në vendet e origjinës për të eliminuar shkaqet që i detyrojnë njerëzit të largohen, si dhe të ofrohet mbrojtje dhe mikpritje në vendet e transitit dhe të mbërritjes”.
Të mos qëndrojmë indiferentë
“Britma e të miturve të zhvendosur ngrihet sot te Zoti”, thekson më tej Ipeshkvi i Romës. Dhe ne “nuk mund të qëndrojmë indiferentë dhe as të mësohemi me kaq shumë vuajtje”.
Thirrja e Papës u drejtohet të gjithëve dhe zhvillohet në katër nivele: personal, kishtar, ndërfetar dhe institucional. Në jetën personale, secili ftohet të “hapë sytë dhe zemrën”, të kapërcejë “largësinë që e redukton qenien njerëzore në një të dhënë statistikore” dhe, përpara se të shohë te një fëmijë gjendjen e tij si migrant, të njohë dinjitetin e tij njerëzor, në mënyrë që të mbrohen të drejtat e tij themelore: e drejta për jetën, për edukimin dhe për një nivel jetese që t’i mundësojë të rritet e të zhvillohet plotësisht në aspektin fizik, mendor, shpirtëror, moral dhe shoqëror.
Ta shndërrojmë mikpritjen në një praktikë të qëndrueshme baritore
Në jetën kishtare, duhet “ta shndërrojmë mikpritjen nga një koncept abstrakt në një praktikë të qëndrueshme baritore”, nxit Papa. “Nuk mund ta kufizojmë veten duke ia deleguar këtë detyrë institucioneve apo shoqatave që kanë një karizëm të veçantë”.
Duhet të inkurajohen bashkësitë e krishtera për integrimin dhe vlerësimin e refugjatëve dhe migrantëve si pjesëtarë me të drejta të plota të familjes kishtare, duke nxitur rrugë të reja edukative dhe shpirtërore, edhe të personalizuara, që kapërcejnë logjikën e asistencës së thjeshtë.
Të parandalohet izolimi dhe radikalizimi
Për Leonin XIV është thelbësore “të parandalohet vetmia, izolimi dhe refuzimi”, të cilat jo rrallë prekin edhe fëmijët e migrantëve.
Në këtë drejtim, duhet “të nxiten dinamika takimi dhe integrimi, ku djemtë dhe vajzat e vendit dhe të rinjtë migrantë të mund të forcohen së bashku, në një rrugëtim respekti të ndërsjellë, solidariteti dhe miqësie”.
Në këndvështrimin e feve të ndryshme, Papa Leoni XIV kujton se “cenueshmëria e të vegjëlve nuk njeh kufij rrëfimi fetar” dhe se pikërisht “përgjegjësia njerëzore dhe shpirtërore” që i bashkon të gjithë bëhet “një terren i frytshëm për një dialog konkret ndërfetar”.
Bashkësitë fetare janë të thirrura të krijojnë hapësira ku çdo vajzë dhe çdo djalë të respektohet dhe të vlerësohet në identitetin e vet kulturor, duke parandaluar rrezikun e radikalizimit nga grupet ekstremiste. “Të mbrosh një të mitur do të thotë, në fund të fundit, të ruash gjurmën hyjnore të ngulitur në të”.
Të nxiten bashkimet familjare dhe të shmangen traumat e ndarjes
Në lidhje me institucionet civile, Papa Leoni XIV rithekson urgjencën për “të riafirmuar parimin e interesit më të lartë të të miturve”. Institucionet publike dhe private “kanë detyrimin të vendosin në qendër mbrojtjen dhe dinjitetin e çdo fëmije dhe adoleshenti”.
Kjo, përfundon Leoni XIV, kërkon “miratimin e mjeteve ligjore efikase për mbrojtjen e fëmijëve, duke nxitur bashkimet familjare dhe duke shmangur traumat e ndarjes”
