Abacia Benediktine e Mount Angel, Oregon, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Abacia Benediktine e Mount Angel, Oregon, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Leoni XIV: më shumë formim liturgjik për të gjithë, sipas teksteve të miratuara

Letër nga Papa drejtuar Kardinalit Roche, Prefekt i Dikasterit rë Vatikanit për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve, me rastin e takimit nga 14 deri më 19 gusht në Abacinë Benediktine të Mount Angel, Oregon, SHBA, për të reflektuar mbi rrugët e hapura nga Letra Apostolike e Papës Françesku, "Desiderio desideravi". Leoni XIV inkurajon iniciativat për të edukuar popullin e Zotit në liturgji dhe ars celebrandi. Përgatitja e priftërinjve është përparësi.

Vatican News

Për të siguruar "formimin liturgjik në çdo nivel", në Kishë është e nevojshme të "kërkohen rrugë konkrete". Papa e shkroi këtë në një letër drejtuar Kardinalit Arthur Roche, Prefekt i Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve, me të cilën u drejtoi një mesazh kardinalëve, ipeshkvijve dhe laikëve me prejardhje dhe përvoja të ndryshme kishtare, të mbledhur që sot, 14 gusht, deri të mërkurën e ardhshme më 19 gusht, në Abacinë Benediktine të Mount Angel, Oregon, SHBA, për një reflektim të përbashkët mbi formimin liturgjik të popullit të Zotit. Takimi u organizua për të shqyrtuar konsideratat që dolën nga asambleja e fundit plenare e Dikasterit të Vatikanit për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve, e mbajtur nga 6 deri më 9 shkurt 2024, pikërisht mbi tematikën, nxjerrë në dritë nga Papa Françesku në Letrën Apostolike Desiderio desideravi – Dëshira që dëshirove.

Të nxitet formimi i përshtatshëm liturgjik

Duke kujtuar dokumentin e paraardhësit të tij, Leoni XIV përsërit "nevojën për formim të kujdesshëm dhe të vazhdueshëm si të klerit, ashtu edhe të laikëve, për të ringjallur jetën liturgjike të Kishës universale". Por thekson edhe se formimi imeshtarëve është përparësi, pasi ata kanë detyrën "t'i marrin besimtarët për dore dhe t'i shoqërojnë në njohuritë e tyre për misteret e shenjta të fesë". "Mundësitë e para konkrete për formim liturgjik lindin në zakonin tonë për t’u mbledhur çdo të diel e për të kremtuar Eukaristinë", thekson Papa, duke shtuar se Meshët e së Dielës "janë të ankoruara në ritmin vjetor të vitit liturgjik, me Misterin e Pashkëve në qendër të tyre". E, për këtë arsye, duhet të jenë "thellësisht formuese". "Duhet, prandaj, një kuptim gjithnjë e më i thellë i ars celebrandi, i shprehur jo vetëm nga ata që e kremtojnë liturgjinë, por edhe nga e gjithë asambleja e popullit të Zotit". “Kështu, përmes një formimi të përshtatshëm dhe një kremtimi të devotshëm të kultit, katolikët do të përgatiten për liturgjinë dhe njëkohësisht edhe do të formohen nga vetë liturgjia”.

Ndiqni tekstet e miratuara

Nga Papa, edhe porosia që "në fund të nxitet kremtimi dinjitoz i mistereve shenjte të fesë", nevoja për "besnikëri ndaj teksteve dhe udhëzimeve të miratuara". Prej këndej, ftesa drejtuar atyre "që u thirrën për të përgatitur kremtimin e mistereve hyjnore e, në veçanti, ndaj "meshtarëve", të trajtuara tashmë në "katekizmat e fundit në Kushtetutën mbi Liturgjinë e Shenjtë, Sacrosanctum Concilium", për të respektuar "ritet e shpallura nga Papa Shën Pali VI dhe Papa Shën Gjon Pali II", me "qëndrimin e shpirtit të gatshëm dhe me besimin në Zotin", i cili kërkon "përvujtëri - para madhështisë së Tij, dhe besnikëri të sinqertë - ndaj bashkësisë kishtare".

Gjykim shpirtëror

Ditët në Abacinë e Mount Angel, në Oregon, kanë për qëllim të jenë mënyrë për t'u angazhuar në dialog lutës, për t'u "formuar nga liturgjia", siç nxit Desiderio desideravi, dhe për të reflektuar së bashku deri në fund, në mënyrë që të zhvillojnë propozime të përbashkëta, konkrete dhe operative. Në një deklaratë, Dikasteri i Vatikanit për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve shpjegon se iniciativa u konceptua jo aq shumë si  konferencë studimi, por më tepër si "kohë për shoshitje shpirtërore mbi temën e formimit liturgjik, për të vazhduar përgjatë rrugës së përvijuar nga Sacrosanctum Concilium". Në letrën drejtuar Kardinalit Roche, Papa Leoni XIV ia beson pjesëmarrësit e takimit "Marisë, Selisë së Dijes" dhe u jep të gjithëve bekimin e tij apostolik”.

14 gusht 2026, 14:48