Papa Leoni në San Marino: diplomacia, mbrojtja e jetës, mikpritja dhe thirrja drejtuar të rinjve
Vatican News
Në San Marino, republika më e vjetër në botë, Papa Leoni XIV solli një mesazh të fortë paqeje, shprese dhe vëllazërie. Gjatë vizitës së tij, ai u ndal te plagët e një bote të shënuar nga luftërat, dhuna dhe frika nga tjetri, duke kujtuar se përgjigjja e të krishterit nuk mund të jetë mbyllja, por dialogu, solidariteti dhe mikpritja.
Në këtë tokë që mban në stemën e saj fjalën Libertas, Papa foli për kuptimin e vërtetë të lirisë. Liria, theksoi Ati i Shenjtë Leoni XIV, nuk mund të ndahet nga e vërteta dhe nga dinjiteti i çdo personi. Ajo nuk është privilegj për t’u përdorur kundër tjetrit, por një dhuratë që bëhet e plotë në marrëdhënien me Zotin dhe me vëllezërit.
Duke iu drejtuar autoriteteve të San Marinos, Leoni XIV e përshkroi vendin si një “laborator të politikës së mirë”, ku kujdesi për të mirën e përbashkët, solidariteti dhe drejtësia mund të bëhen themeli i jetës publike. Në qendër të kësaj politike, tha Papa, duhet të jetë kujdesi për njeriun dhe mbrojtja e çdo jete, nga ngjizja deri në vdekjen natyrore.
Por kujdesi për njeriun shprehet edhe në mikpritje. E Papa vlerësoi traditën e San Marinos për të hapur dyert ndaj atyre që vuajnë, duke kujtuar veçanërisht pritjen dhe mbështetjen e ofruar për refugjatët ukrainas. Në një botë ku “rriten dhuna, mbyllja dhe frika nga tjetri”, ai ftoi Kishën dhe çdo besimtar të ecin “me edhe më shumë bindje në rrugën e Ungjillit”.
Diplomacia si rrugë drejt paqes
Në fjalën e tij, Papa Leoni XIV i dha një rëndësi të veçantë dialogut ndërkombëtar. Ati i Shenjtë Prevost bëri thirrje që të mos ndërpritet dialogu, edhe me ata që konsiderohen bashkëbisedues të vështirë. Diplomacia dhe multilateralizmi, tha ai, mbeten rrugë të privilegjuara për të ndërtuar marrëdhënie mes popujve dhe për të kërkuar paqen.
Me shqetësim, Leoni XIV denoncoi shkeljen e së drejtës ndërkombëtare humanitare, veçanërisht në një kohë kur konfliktet vazhdojnë të plagosin shumë vende. Përballë kësaj, ai kërkoi një angazhim më të fortë për paqen dhe për dinjitetin njerëzor.
Liria që lind nga e vërteta
Në San Marino, Papa u kthye vazhdimisht te fjala Libertas. Por liria e vërtetë, shpjegoi Ati i Shenjtë, nuk është thjesht liria civile. Ajo fillon nga ndërgjegjja e personit, nga respekti për dinjitetin njerëzor dhe nga marrëdhënia me Zotin.
Duke kujtuar martirët e lirisë dhe veçanërisht Shën Thomas More-in, Leoni XIV vuri në dukje dëshminë e burrave dhe grave që kanë mbetur besnikë ndaj ndërgjegjes së tyre edhe në kohë përndjekjeje dhe vështirësish. “Liria realizohet në dhurim, në bashkësi, në takim dhe në dialog”, kujtoi Papa, duke treguar se liria e krishterë nuk izolon, por krijon ura dhe hap rrugën drejt vëllazërisë.
Një fjalë zemre për të rinjtë
Veçanërisht e ngrohtë ishte fjala drejtuar të rinjve. Papa i ftoi të mos harrojnë se jeta e tyre është një dhuratë e Zotit dhe se secili është i thirrur në një mision të veçantë. Ati i Shenjtë Prevost i nxiti të krijojnë miqësi të vërteta dhe të mos kenë frikë nga zgjedhjet e mëdha të jetës: martesa, jeta e kushtuar, priftëria, profesioni dhe angazhimi në shoqëri.
“Liria autentike është në Krishtin, është në të vërtetën”, tha Leoni XIV, duke i ftuar të rinjtë të mos kenë frikë të bëjnë zgjedhje kërkuese dhe të vënë dhuntitë e tyre në shërbim të së mirës.
Familja dhe bashkësia
Në zemër të misionit të Kishës, Papa vendosi edhe familjen. Ajo është, sipas tij, vendi i parë ku jetohet dhe përcillet feja, “djepi natyror” ku Ungjilli mësohet dhe përjetohet që nga fëmijëria.
Prandaj, Leoni XIV kërkoi një pakt të ri edukativ mes familjeve dhe komuniteteve kishtare, në mënyrë që prindërit të ndihen pjesë aktive e jetës së fesë dhe të kenë gëzimin t’ua përcjellin fëmijëve vlerat e krishtera. Në fund, Papa kujtoi edhe rëndësinë e liturgjisë së shenjtë si përvojë e përbashkët e një trupi të vetëm kishtar, ku çdo besimtar merr forcë nga tryeza e Zotit për të çuar dritën e Ungjillit në rrugët e botës.
Nga San Marino, mesazhi i Papës është i qartë: në një botë të plagosur, i krishteri është i thirrur të mos mbyllet në frikë, por të hapë dyert, të ndërtojë ura, të mbrojë jetën dhe të ecë së bashku në rrugën e paqes.
