2026.08.01 Incontro giovani Medjugorje

Medjugorje, Papa, të rinjve: rizbulojeni bukurinë e takimit me Zotin

Në një mesazh nënshkruar nga sekretari i Shtetit, Kardinali Pietro Parolin, për hapjen e Festivalit të të Rinjve Mladifest, në shenjtoren e Bosnjë -Hercegovinës, Leoni XIV i nxit të rinjtë e të rejat të mos joshen nga iluzionet e "lumturisë kalimtare". Duke ndjekur Jezusin, edhe pyetjet e shqetësimet e zemrës mund të bëhen "mundësi për reflektim dhe rritje në fe"

Vatican News

Premtimet e lumturisë së lehtë dhe të menjëhershme janë interesante, por zhduken shpejt, e pa lënë gjurmë. Megjithatë, çka mbetet janë pyetjet më të thella, shqetësimi që banon në zemër dhe dëshira për gëzim të qëndrueshëm. Pikërisht nga këto brishtësi mund të lindë një shtegtim në takimin me Zotin, "i cili shuan etjen e çdo zemre dhe jep forcën për të nisur gjithnjë nga e para". Kjo është zemra e mesazhit që Papa Leoni XIV, përmes një teksti të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit, Kardinal Pietro Parolin, u drejtoi të rinjve nga 73 vende, të mbledhur në Medjugorje për hapjen e Mladifest, festivalit ndërkombëtar, që u kushtohet.

Takojeni Zotin "që shuan etjen e çdo zemre"

Teksti u lexua nga Kryeipeshkvi Aldo Cavalli, vizitor i posaçëm apostolik për Famullinë e Medjugorjes, pak para Meshës kryesuar nga Kryeipeshkvi Francis Assisi Chullikatt, nunc apostolik në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Republikën e Malit të Zi.

Në mesazh, Papa i nxit të rinjtë të kthehen ad fontem te Krishti, burim i jetës së re dhe gëzim i vërtetë, duke i ftuar ata të rizbulojnë, përmes lutjes, dëgjimit të Fjalës së Zotit dhe sakramenteve, "bukurinë e takimit personal me Zotin, i cili e shuan etjen e çdo zemre dhe të jep forcën për të nisur gjithnjë nga e para".

Një pamje nga edicionet e kaluara të Festivalit të Rinisë
Një pamje nga edicionet e kaluara të Festivalit të Rinisë

Duke kërkuar "të vërtetën, që të bën të lirë"

Papa i inkurajon të rinjtë të kërkojnë sinqerisht "të vërtetën që të çliron", pa "lejuar veten të joshen nga iluzionet e lumturisë kalimtare".

Duke ndjekur Jezusin, gjithkush mund t’i mirëpresë edhe pyetjet më të vështira si dhe shqetësimin e zemrës, si mundësi për dallim dhe rritje në fe.

T’ia besojmë veten Shpirtit Shenjt e Marisë

Nxitja e fundit është ta lejojmë veten "të udhëhiqemi nga Shpirti Shenjt" dhe t'i besojmë ndërmjetësimit të Marisë, për t'u bërë "dëshmitarë të ndritshëm të Ungjillit, nismëtarë të vëllazërisë dhe ndërtues të paqes në shoqëri".

Historia e Mladdifest

Mladdifest - a Festivali i Rinisë - organizohet që nga viti 1989. Kremtimi Eukaristik mbahet në altarin e jashtëm të Famullisë së Shën Jakobit, ku vetëm pak ditë më parë, më 28 korrik, ndodhi një akt i rëndë vandalizmi. Altarit iu vu zjarri, që shkaktoi dëme të shumta, ndërsa një shtatore e Zojës u dëmtua me grafite fyese.


02 gusht 2026, 09:39