2025.09.05 Inaugurazione e benedizione del Borgo Laudato siâ

Papa: energjitë e shpenzuara për luftën dhe shkatërrimin të përdoren për jetën

Në mesazhin e tij të botuar me rastin e Ditës Botërore të Lutjes për Kujdesin ndaj Krijimit, Leoni XIV u bën jehonë fjalëve të Isaisë profet: “Shpatat e veta do t’i kthejnë në plorë e heshtat në drapërinj". Ai na nxit të përshkojmë "shkretëtirat e brendshme", shenja të krizës aktuale etike dhe kulturore, që përfshijnë humbjen e ndjenjës së kufijve, dëshirën për dominim dhe ndjekjen e fitimit. Kjo, shkruan Papa, është "rruga e një kthese të vërtetë ekologjike", që vjen nga zemra

Vatican News

"Shpatat e veta do t’i kthejnë në plorë e heshtat në drapërinj". Isaia profet e ëndërroi kështu një kohë kur popujt e Tokës do ta shndërronin atë, që e shkatërron ekzistencën, në mjete, që, përkundrazi, e mbështesin. Por sot, bota përjeton paradoksin e përshpejtimit të "shkatërrimit të ekuilibrit" të Krijimit, duke i shkaktuar vetes dhimbje dhe vuajtje. "Shkretëtira të jashtme", të cilat janë pasqyra të një thatësire të brendshme, "etike dhe kulturore", ku lulëzojnë vetëm humbja e ndjenjës së kufijve, dëshira për dominim dhe ndjekja e fitimit të menjëhershëm. Këto janë disa nga konceptet e shprehura nga Papa Leoni XIV në mesazhin e botuar sot, më 20 gusht, për Ditën Botërore të Lutjes për Kujdesin ndaj Krijimit, e cila kremtohet më 1 shtator.

Drama e përpjekjeve të orientuara drejt luftës

Në tekst, Papa vëren se krizat, që po e mbytin shoqërinë e sotme janë të lidhura, përbëjnë një plagë të vetme, e cila mund të shërohet vetëm nëpërmjet paqes. Jo me paqen e botës, sipërfaqësore dhe kalimtare, por me harmoninë, që "buron nga dashuria e përjetshme e Krishtit dhe nga kujdesi i tij për çdo njeri". Megjithatë, ky premtim paqeje është në kundërshtim të plotë me realitetet në pjesë të ndryshme të botës.

Nga fusha e betejës, konfliktet ndikojnë në shkatërrimin e mëtejshëm të ambientit. Nxitet kështu një cikël vicioz, që ndot burime themelore si ajri dhe uji. Më pas, minohet siguria ushqimore, duke sjellë varfëri, pabarazi dhe tensione të reja shoqërore – shkaqet për luftë. Lufta, shkruan Leoni XIV, është "dështim i thellë" i njerëzimit, edhe në kujdesin për Krijimin, që i është besuar. Nuk është vetëm dështim politik, por edhe moral e shpirtëror. Me rrënjë në dëshira të sëmura dhe në keqpërdorimin e lirisë dhe të pushtetit njerëzor, lufta është kundër-dëshmi e Ungjillit të paqes.

Të përtërijmë shpirtin

Në prishjen e harmonisë së botës, Papa nuk sheh vetëm probleme në sisteme e struktura, por një "çekuilibrim" më të thellë, të rrënjosur në zemrën e njeriut. Brenda secilit prej nesh, banojnë dëshira kontradiktore dhe luftëra të thella: dashuria dhe indiferenca, e vërteta dhe iluzioni, drejtësia dhe padrejtësia. Konfliktet, që e mundojnë njerëzimin, janë shprehja e jashtme e konflikteve dhe e përçarjeve të brendshme. Kur zemra mashtrohet, marrëdhëniet vuajnë dhe strukturat që ndërtojmë fillojnë ta pasqyrojnë këtë çrregullim. Leoni XIV huazon metaforën e përdorur nga Papa Benedikti XVI në homelinë e tij, gjatë meshës për fillimin e papnisë: “Shkretëtirat e jashtme po shumohen në botë, sepse shkretëtirat e brendshme janë bërë tejet të gjera”. Ajo që thyhet nga jashtë, është e thyer edhe nga brenda. Prandaj, për ta reformuar shoqërinë, duhet filluar nga ripërtëritja e zemrës.

Nga ëndrra në realitet

Shpresa e Isaisë kthehet sot në thirrje për ta "transformuar të keqen në jetë". Një kthesë, që nuk mund të mos përfshijë zemrën, por që ka nevojë për Atë, që e shëron, për Zotin. Ajo, që përdoret për shkatërrim, mund të orientohet sërish drejt jetës, drejt kujdesit për të varfrit e të uriturit, drejt mbrojtjes së Krijimit. Kjo është rruga e kthesës së vërtetë ekologjike, në të cilën ndikimi i takimit me Jezu Krishtin shprehet qartë në marrëdhëniet me botën përreth nesh.

Nga lufta në zhvillimin e gjithanshëm njerëzor

Këto janë sfida të mëdha, pranon Papa, sepse "ekosistemet" që i janë besuar njerëzimit janë të shumta: nga Krijimi te marrëdhëniet, te vetë individualiteti ynë. Ati i Shenjtë fton t'ia besojmë vetveten Zotit të paqes, i cili nuk na lë pa mjetet e shërimit dhe të shndërrimit. Të imagjinojmë një botë në të cilën energjitë e shpenzuara aktualisht për luftën të orientohen drejt zhvillimit të gjithanshëm njerëzor, kapërcimit të varfërisë, mbrojtjes së dinjitetit njerëzor dhe pajtimit ndërmjet popujve të ndarë. Një vizion i tillë pasqyron besimin në ardhjen e Mbretërisë së Zotit.

Nga shkretëtira në kopsht

Armët e shkatërrimit, thekson Papa Leoni XIV, nuk janë mjete për arritjen e paqes. Ajo arrihet përmes së vërtetës, dialogut, durimit, mirësisë, drejtësisë, mëshirës, mirëkuptimit, kujdesit dhe dashurisë. Detyra për t’i vënë në jetë këto vlera na bën "bashkëpunëtorë" në veprën e ripërtëritjes së Zotit. Kështu, do të shkojmë, ngadalë por me siguri, nga shkretëtira në kopsht, nga ndarja në bashkim dhe nga dhuna në paqe. Zoti na dhëntë guximin ta ndjekim këtë rrugë, në mënyrë që në kohën tonë, "shpatat" të "kthehen vërtet në plorë", premtimi i Ungjillit të zërë rrënjë më të thella në botën tonë dhe paqja e Krishtit të mbretërojë mbi të gjithë Krijimin, përfundon Ati i Shenjtë.

20 gusht 2026, 12:36