Papa: “realizmit të rremë që armatos mendjet, fjalët dhe kombet t’i kundërvëmë dashurinë”
Vatican News
“Realizmit të rremë, që armatos mendjet, fjalët dhe kombet, kultura katolike duhet t’i kundërvërë sot realizmin e mëshirës”, tha Leoni XIV në fjalimin e tij drejtuar pjesëmarrësve të 47-të të Meeting-ut për miqësinë mes popujve në Rimini. Papa theksoi se, në logjikën e Ungjillit, nuk mund të ketë armiq, por të gjithë, edhe kundërshtarët, janë vëllezër e motra që duhen parë në sy dhe takuar në të vërtetën. “E keqja nuk luftohet me të keqen”, nënvizoi ai, duke e paraqitur dashurinë si ligjin e jetës dhe rrugën e shëlbimit.
Leoni XIV bëri thirrje që të luftohet kultura e pushtetit që ushqen ndarjet, varfërinë dhe pabarazitë. Ati i Shenjtë kërkoi që bashkëjetesa të çlirohet nga dyshimi, kultura nga arroganca, edukimi nga ideologjia dhe puna nga idhujtaria e fitimit, ndërsa teknologjia dhe financat të mos shndërrohen në mjete të asaj që ai e cilësoi si “bizneset e vdekjes”.
Duke folur për paqen, Papa i ftoi të krishterët të mos ushqejnë lodhjen dhe dëshpërimin, por të jenë njerëz që rindezin ëndrrat dhe shpresën. Në një botë të përshkuar nga konfliktet dhe interesat e pushtetit, tha ai, nevojiten njerëz të guximshëm që ta nisin ndryshimin nga vetja dhe të bëhen protagonistë të një kulture të re të takimit.
Një thirrje të veçantë Papa ua drejtoi të rinjve, të cilët i cilësoi si “shenjë se e ardhmja është një premtim dhe jo një kërcënim”. Ai i nxiti të mos mbyllen brenda përkatësive të ngushta, por të dalin në takim me njerëzit e kulturave dhe prejardhjeve të ndryshme, veçanërisht me më të varfrit.
“E vërteta takohet vetëm në liri”, theksoi Leoni XIV, duke u kërkuar të rinjve të dëshmojnë Krishtin jo përmes imponimit, por përmes një mënyre jetese që tërheq dhe hap rrugën drejt miqësisë, vëllazërisë dhe paqes.
Në pjesën përfundimtare të fjalës, Papa u ndal te dëgjimi dhe sinodaliteti në Kishë, duke kërkuar një Kishë që di të dëgjojë Fjalën e Zotit, njëri-tjetrin dhe edhe ata që kërkojnë të vërtetën jashtë bashkësisë së saj. Sinodaliteti, tha ai, nuk është thjesht një proces, por mënyra e të qenit një popull që ecën së bashku, në miqësi dhe në takim me tjetrin.
Në përfundim, Leoni XIV kujtoi vargun e famshëm të Dantes, që është edhe në qendër të Meeting-ut: “Dashuria që lëviz diellin dhe yjet e tjerë”. Pikërisht kjo dashuri, sipas Papës, mbetet forca që mund të rindezë shpresën dhe të hapë rrugën drejt një bote më njerëzore, vëllazërore dhe paqësore.
