Aksidenti me autobus që përfshinte shtegtarë polakë në Hungari Aksidenti me autobus që përfshinte shtegtarë polakë në Hungari

Papa lutet për shtegtarët polakë që humbën jetën në aksidentin tragjik në Hungari

Në një telegram të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, Papa siguron afërsinë e tij shpirtërore me të gjithë ata që janë prekur nga ngjarja tragjike e ndodhur në Hungari, ia beson të ndjerët “Mëshirës së Zotit” dhe i lutet Zotit t’u japë “ngushëllim familjeve të tyre”.

Vatican News

Një aksident tragjik rrugor në Hungari u ka marrë jetën 12 shtegtarëve polakë, ndërsa 10 të tjerë kanë mbetur të plagosur rëndë. Grupi po kthehej nga Medjugorje kur autobusi me të cilin udhëtonin doli nga rruga dhe u përmbys.

Lajmi i dhimbshëm ka prekur thellë edhe Papa Leonin XIV, i cili ka shprehur afërsinë e tij shpirtërore me viktimat, të plagosurit dhe familjet e tyre. Në një telegram të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, drejtuar ipeshkvijve të dioqezave nga vinin shtegtarët, Papa shpreh dhimbjen e tij për ngjarjen dhe siguron lutjet e tij për të gjithë të prekurit.

Në mesazhin e tij, Leoni XIV i beson “Mëshirës së Zotit” ata që humbën jetën gjatë kthimit nga shtegtimi i tyre i fesë. Papa lutet që Zoti t’u japë ngushëllim familjeve që po përballen me këtë humbje të rëndë dhe forcë të plagosurve në përballimin e pasojave të aksidentit.

Duke iu drejtuar veçanërisht atyre që, siç shprehet telegrami, “kanë përfunduar shtegtimin e tyre tokësor”, Papa u ofron lutjet e tij të veçanta dhe i beson në duart e mëshirshme të Zotit. Në fund, Ati i Shenjtë Leoni XIV kërkon ndërmjetësimin e Zojës së Çestohovës dhe u jep të gjithëve bekimin e tij apostolik, si shenjë e afërsisë atërore dhe e shpresës së krishterë.

Aksidenti ndodhi gjatë natës ndërmjet 15 dhe 16 gushtit, në autostradën M3, pranë Mezőkeresztes, rreth 140 kilometra në lindje të Budapestit. Në autobus ndodheshin 59 persona. Sipas rindërtimit paraprak, autobusi doli nga rruga dhe përfundoi në një kanal, ku u përmbys. Një nga pistat që po shqyrtohet është mundësia që shoferin ta ketë zënë gjumi. Ndërkohë, hetimet për të përcaktuar shkaqet e sakta të aksidentit vijojnë.

Dhimbjen dhe solidaritetin me viktimat, të plagosurit dhe familjet e tyre e kanë shprehur edhe Konferencat Ipeshkvore të Kishës katolike të Polonisë dhe Hungarisë. Ngjarja ka lënë pas një dhimbje të madhe në komunitetet nga vinin shtegtarët, ndërsa lutjet dhe mesazhet e ngushëllimit janë drejtuar për familjet që humbën të dashurit e tyre në këtë tragjedi.

19 gusht 2026, 10:03