2026.08.07 Papa Leone Viaggio Francia

Papa në Francë: katër ditë me Kishën, popullin e institucionet

U publikua sot, 7 gusht, programi zyrtar për udhëtimin e pestë apostolik të Leonit XIV në Vendin transalpin, ku do të vizitojë Parisin, kryeqytetin; Lurden, zemrën mariane të vendit, e Metzin, vendlindjen e Robert Schuman, një nga etërit themelues të Bashkimit Evropian. Të shumta takimet e ndryshme, duke përfshirë edhe një takim privat me viktimat e shpërdorimit. U publikuan logoja e vizitës dhe motoja "Që bota të ketë jetë"

Vatican News

Nëntë fjalime, katër predikime, një përshëndetje, një lutje e Engjëllit dhe një Rruzare. Meshë në shesh, vigjilje në stadium, mbrëmje dhe procesione me pishtarë, biseda private dhe takime me autoritetet civile në Pallatin Elysée, përfaqësues të UNESCO-s, ipeshkvij, të rinj, të sëmurë, emigrantë, burra dhe gra të shuguruar, udhëheqës të feve të tjera, madje edhe viktima të abuzimit, të cilët u përfshinë vetë në përgatitjen për ngjarjen. Papa Leoni XIV do të kalojë katër ditë intensive në Francë, nga 25 deri më 28 shtator. Ky do të jetë udhëtimi i tij i pestë ndërkombëtar apostolik dhe vendi i tretë evropian. Papa do të shkelë në tri etapa: në kryeqytetin e Francës, Parisin, ku do të vizitojë edhe selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) dhe do të lutet në Katedralen Notre-Dame; në Lourdë, zemrën mariane të kombit dhe një nga vendet shpirtërore më të famshme dhe simbolike në të gjithë Evropën si dhe në Metz, qytetin historik dhe vendlindjen e Robert Schuman, një nga etërit themelues të Bashkimit Evropian.

Pallati Elysée, UNESCO, Notre - Dame

Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë publikoi sot, 7 gusht, programin e detajuar për udhëtimin e Papës në Francë, së bashku me moton dhe logon. Papa Leoni do të niset për në Paris nga Roma-Fiumicino mëngjesin e së premtes, më 25 shtator, në orën 7:50, duke u ulur në orën 10:00, në  Aeroportin Ndërkombëtar Orly, ku do të pritet me ceremoninë e mirëseardhjes. Një orë më vonë do të jetë në Pallatin Elize për t'u takuar me Presidentin Emmanuel Macron, të cilin e pati pritur në audiencë, në Vatikan, më 10 prill. Të dy do të zhvillojnë një bisedë private, pas së cilës Papa, ende në Pallatin Elize, do të takohet - si gjithmonë në fillim të çdo udhëtimi apostolik - me autoritetet, shoqërinë civile dhe trupin diplomatik, të cilëve do t'u mbajë fjalimin e parë të udhëtimit.

Dy ngjarje të rëndësishme janë planifikuar për pasdite: në orën 15:00, një vizitë në UNESCO, organizatë e OKB-së e cila që nga viti 1945 ka punuar për të promovuar paqen universale përmes bashkëpunimit ndërkombëtar në fushat e arsimit, shkencës dhe kulturës (Papa do të mbajë gjithashtu atje një fjalim); në orën 17:00, Mbrëmja në Katedralen madhështore Notre-Dame, së bashku me ipeshkvij, priftërinj, diakonë, burra dhe gra të shguruar dhe seminaristë. Leoni XIV do të jetë Papa i parë që do të vizitojë vendin parizien të kultit, që nga inaugurimi dhe rihapja e tij për publikun më 8 dhjetor 2024, pesë vjet pas zjarrit shkatërrues të vitit 2019.

Nata pa gjumë me të rinjtë

Dita e parë në Francë nuk do të përfundojë në Notre-Dame, por në Saint-Denis, një komunë në periferitë veriore të Parisit, 9 km larg, ku ndodhet Stade de France. Atje, me një kapacitet prej 80,000 vendesh, Papa do ta jetojë vigjiljen e lutjes me të rinjtë. E jo vetëm nga Parisi, por edhe nga pjesë të tjera të vendit. Organizatorët kanë njoftuar tashmë se biletat janë shitur.

Katedralja Zoja-jonë e Parisit
Katedralja Zoja-jonë e Parisit

Ndërmjet Parisit e Lourdes

E shtuna, më 26 shtator, do të ndahet ndërmjet Parisit në mëngjes dhe Lourdes në fund të pasdites. Në kryeqytet, Leoni do të vizitojë, në orën 9:00, Qendrën e Integrimit Social dhe të Shoqërimit Maison Bakhita, qendër e madhe pritjeje për emigrantët dhe të mërguarit, e themeluar nga Kryedioqeza e Parisit në vitin 2021 në lagjen e 18-të dhe e emëruar, sipas murgeshës sudaneze, dëshmitare e fesë dhe simbol universal i luftës kundër skllavërisë. Në këtë qendër, e cila jep formim gjuhësor dhe profesional, mbështetje familjare dhe ndihmë mjekësore e psikologjike, përfshirë edhe nga traumat për rikuperimin, Papa Leoni do të takohet e do të përshëndesë mysafirët si dhe ata që po ndihmohen. Do të mbajë edhe një fjalim menjëherë pas kësaj, në Institutin Katolik, ku do të takohet me anëtarët e Asamblesë Sinodale Provinciale, katekumenët dhe neofitët.

Leoni XIV do ta përshëndesë Parisin me Meshën në orën 15:00, në Place de la Concorde. Ky nuk është thjesht shesh i çfarëdoshëm, por zemra gjeografike, historike dhe monumentale e kryeqytetit francez, simbol i pajtimit kombëtar pas Revolucionit. Pritet një pjesëmarrje e madhe edhe për këtë rast. Pas kremtimit, Papa do të zhvendoset në aeroport për fluturimin drejt Lourdes. Nisja është planifikuar për në orën 17:45; mbërritja në Aeroportin Tarbes-Lourdes-Pyrénées, për në orën 19:00. Papa do të vazhdojë më pas drejt Shpellës Massabielle, vend që të përkujton dhe të rrëfen dukjet e Virgjërës Mari - Bernadetës së vogël dhe që, sipas vlerësimeve, vizitohet nga rreth 3 milionë besimtarë çdo vit. Atje, Papa do të ndalet në lutje.

[ Photo Embed: Shenjtërorja e Lurdës, vend i privilegjuar i shpresës]

Takim me ipeshkvijtë dhe të sëmurët

Të nesërmen, e diel, 27 shtator, në orën 9:00, në Shenjtëroren e Zojës Lurdë, ku Konferenca Ipeshkvnore Franceze organizon mbledhjet plenare, Papa do të takohet me ipeshkvijtë dhe do të mbajë një fjalim. Së bashku, ata do të shkojnë në orën 11:00 në Shpellën e Massabiellës për kremtimin e Meshës, e më pas për lutjen e Engjëllit.

Akoma në Shenjtërore, por pasdite, Papa Leoni do të përshëndesë stafin dhe pacientët e Accueil Notre-Dame, një spital në Lurdë i kushtuar për pritjen dhe kujdesin e shtegtarëve të sëmurë ose me aftësi të kufizuara, që udhëtojnë drejt Shpellës Massabielle. Papa ka planifikuar të mbajë një fjalim dhe, rreth një orë më vonë, do të vizitojë Manastirin e Karmelit aty pranë, për një takim privat me murgeshat kundruese.

Procesioni i mbrëmjes në Shenjtore

Një çast, që premton të jetë vërtet prekës, është ai që do të zhvillohet në mbrëmje, në orën 21:00, me lutjen e Rruzares, ndjekur nga procesioni me pishtarë në shetitoren e Shenjtërores. Ky është çast i zakonshëm që zhvillohet çdo mbrëmje në vendin e adhurimit, rrëzë Pirenejve, por që në mbrëmjen e kësaj të diele do të jetë i pazakonshëm, sepse do të shohë praninë e Pasardhësit të Pjetrit.

Procesioni aux flambeaux i besimtarëve në Shenjtëroren e Lourdes (AFP or licensors)
Procesioni aux flambeaux i besimtarëve në Shenjtëroren e Lourdes (AFP or licensors)   (AFP or licensors)

Në tokën e Schumanit

Dita e fundit, e hënë, 28 shtator, do të ketë një ndalesë të mbrame: Metzin. I vendosur në Francën verilindore, kryeqytet i departamentit të Mozelës, pranë kufirit me Luksemburgun, Papa do të arrijë në këtë qytet, të njohur si vendlindja e Schumanit, i cili u rrit dhe u edukua këtu, duke zhvilluar idealet dhe parimet që më vonë u bashkuan në projektin e madh të Bashkimit Evropian.

Kjo fazë e fundit e udhëtimit papnor do t'i kushtohet tërësisht Evropës dhe, natyrisht, kujtimit të Schumanit. Do të hapet në orën 10:00 të mëngjesit me një takim ndërfetar në Qendrën e Konferencave Robert Schuman, ku menjëherë pas kësaj do të mbahet edhe takimi "Në Rrënjët e Evropës për Paqe dhe Unitet".

Ngjarja  e fundit e udhëtimit, përpara nisjes për në Romë, ku mbërritja është planifikuar për në orën 8:50 të mbrëmjes, do të jetë në orën 4:00 të pasdites, në Katedralen e lashtë të Shën Shtjefnit, një kryevepër neo-gotike e njohur edhe si Feneri i Zotit, me mbi 6,500 metra katrore dritare me xham të pikturuar.

Motoja dhe logoja

Të njëjtat vetrata, që u kujtuan në logon e vizitës, njëheresh me dritaret e  katedraleve gotike, simbolizojnë bukurinë e bashkimit dhe të unitetit në Kishë. Në qendër, thuhet në një deklaratë, është një hark i mprehtë dhe një kryq, që shprehin "dimensionin apostolik dhe liturgjik të udhëtimit". Pastaj, një pëllumb që simbolizon Shpirtin Shenjt, mban një degë ulliri, shenjë paqeje për njerëzimin. Nuancat e blusë, të bardhës dhe të kuqes, së bashku me të verdhën-portokalli të dritës dhe të gjelbrën e shpresës, pasqyrojnë ngjyrat e Francës dhe të Vatikanit në logo. Motoja e zgjedhur, Që bota të ketë jetë, është "thirrje për shpresë dhe bashkim, që na inkurajon të kapërcejmë përçarjet për të ndarë paqen, pajtimin dhe vëllazërinë, shenja të jetës së re në botë". Këto fjalë, thuhet në deklaratë, "shprehin qëndrimin me të cilin Kisha në Francë e mirëpret vizitën e Atit të Shenjtë: me gëzim, hapje dhe dëshirë të thellë për t'u dëshmuar të gjithëve jetën, që vjen nga Zoti".

Logoja dhe motoja e shtegtimit apostolik të Leonit XIV në Francë
Logoja dhe motoja e shtegtimit apostolik të Leonit XIV në Francë

Takim me viktimat e abuzimit

Në të njëjtën kohë me publikimin e programit, Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë njoftoi se "gjatë udhëtimit të tij të ardhshëm apostolik në Francë, Papa Leoni XIV do të takohet privatisht me disa viktima të abuzimit në Kishë". "Vetë viktimat do të përfshihen në përgatitjen e kësaj ngjarjeje", thuhet në deklaratë, pa dhënë hollësira të mëtejshme mbi datën, vendndodhjen ose numrin e pjesëmarrësve, të cilat "do të ofrohen më vonë". Ky aktivitet - i cili vjen pas një aktiviteti me viktima mbajtur në Spanjë - edhe ai i rëndësishëm në një Kishë, si ajo franceze, e tronditur nga shkandulli i shpërdorimit, vitet e fundit ka nisur reforma strukturore dhe një proces dëmshpërblimi, që është ende në vazhdim.

Vullnetarët dhe faqja e internetit

"Disa muaj më parë, hartuam bocën e parë të programit me Papën", thotë Kardinali Jean-Marc Aveline, Kryeipeshkëv i Marsejës dhe President i Konferencës Ipeshkvnore Franceze. "Që atëherë, së bashku me bashkëpunëtorë nga Vatikani, Konferenca Episkopale, Dioqezat e Parisit dhe Metzit dhe Shenjtërores së Lurdës, punuam intensivisht për të përcaktuar hollësirat e secilës fazë të këtij udhëtimi. Është gëzim i madh që jemi në gjendje ta ndajmë sot me të gjithë Francën!". "Gjithçka po organizohet në mënyrë që kushdo dëshiron, të mund të marrë pjesë në këtë ngjarje të jashtëzakonshme, detajet praktike të së cilës do të sqarohen dhe do të komunikohen gradualisht" - përsërit Monsinjor Benoît Bertrand, Ipeshkëv i Pontoise.

Kryedioqeza e Parisit ka planifikuar të përfshijë 10,000 vullnetarë për të ndihmuar në pritjen dhe organizimin e udhëtimit. Kisha në Francë ka botuar një faqe interneti për të ndjekur vizitën e Papës, ku mund të regjistroheni si vullnetarë falas e të bëni edhe një dhuratë!

07 gusht 2026, 12:23