Papa në San Marino: liria e vërtetë në respektin për çdo njeri dhe ndërgjegjen e tij
Vatican News
“Libertas”, fjala që shfaqet në stemën e Republikës së San Marinos, është çelësi i fjalimit të Papa Leonit XIV; një term që, nga ana e tij, kërkon respektin, promovimin e dinjitetit njerëzor, mbrojtjen e jetës dhe angazhimin për një pjesëmarrje aktive e pozitive në ndërtimin e paqes. Në fjalimin e parë drejtuar autoriteteve dhe shoqërisë civile në Pallatin Publik, Papa thekson rolin e Republikës së San Marinos si një “laborator” të politikës së mirë dhe të “kujdesit për tjetrin”, duke iu referuar veçanërisht traditës së mikpritjes së treguar edhe kohët e fundit ndaj popullit ukrainas.
I ardhur sot me helikopter rreth orës 8:45, Papa Leoni mbërrin në “Republikën më të vjetër në botë”, siç e ka kujtuar vetë, në Aviosuperficien e Torraccia-s. Me makinë, mes entuziazmit të njerëzve që e prisnin në zonë, Papa mbërriti në këmbë në Piazza della Libertà, ku u prit me nderime ushtarake përpara Pallatit Publik, i shoqëruar nga Kapitenët Regjentë – Alice Mina dhe Vladmiro Selva – dhe nga Ambasadorja pranë Selisë së Shenjtë, Alessandra Albertini. Bashkë me Papën ishte delegacioni i Vatikanit, ku ndër të tjerë bënin pjesë Sekretari i Shtetit zë Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, imzot Paul Richard Gallagher, sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, si dhe Nunci Apostolik në Itali dhe San Marino, imzot Edgar Peña Parra.
Bima që rritet
Pesëmbëdhjetë vjet pas vizitës së Benediktit XVI dhe 44 vjet pas asaj të Shën Gjon Palit II, Leoni XIV falënderon për mikpritjen dhe shprehet se dëshiron të konfirmojë “lidhjen e thellë që bashkon Titano-n me Selinë Apostolike”, si dhe lidhjen që lidhet me 100-vjetorin, në prill të vitit 1926, të fillimit të marrëdhënieve diplomatike midis Selisë së Shenjtë dhe Republikës së San Marinos.
Fjala e Papës vendoset, pra, mbi lirinë civile, e cila mbështetet te liria personale; një liri “e dhuruar dhe e garantuar, në fund të fundit, – shprehet Papa Leoni – nga Zoti, zëri i të cilit jehon në ndërgjegjen e çdo qenieje njerëzore”. “Liria realizohet në dhurim, në bashkësi, në takim dhe në dialog”. Papa sjell shembullin e një bime që rritet dhe ofron oksigjen, prodhon fara, sepse buron nga burimi që “është Dashuri Një dhe Trini”.
“Ndoshta ky referim teologjik mund të duket i tepruar, por besoj se sot është i nevojshëm, përballë idhujtarisë që e dëmton në rrënjë ato projekte politike dhe ekonomike që paraqiten në emër të lirisë, por në të vërtetë janë skllevër të idhujve dhe të pushtetit.”
Përkrah martirëve të lirisë
Në fjalimin e Papës, ku ai kujton Shën Thomas More-in, është i fortë referimi ndaj martirëve të lirisë, të cilët, “të formuar fort nga kërkimi i së vërtetës, – shpjegon Ati i Shenjtë – janë plotësisht përgjegjës për vendimet e tyre dhe, për këtë arsye, të lirë nga çdo lidhje tjetër përveç asaj që i përket krijesës dhe që i bashkon me Zotin”.
“Edhe sot, në shumë pjesë të botës, nuk mungojnë njerëz që i qëndrojnë besnikë ndërgjegjes së tyre edhe në rrethana të vështira, dëshmitarë të lirisë së vërtetë, asaj që buron nga të qenit bij dhe bija të Zotit. Me admirim shprehim solidaritetin tonë me të gjithë ata që, në këtë moment, paguajnë personalisht sepse nuk e kanë tradhtuar ndërgjegjen e tyre.”
Harmonia me Selinë e Shenjtë
Duke sjellë si shembuj Shën Marinin dhe Shën Leonin, “ndërtues të qyteteve të lira dhe paqësore”, Papa Prevost vë në dukje stilin e themeluesve, të karakterizuar nga bashkësia dhe përgjegjësia, “që pasqyrohet mirë në zellin dhe zgjuarsinë e këtij populli dhe të kësaj toke”.
“Libertas”, për ju, do të thotë gjithashtu edhe një angazhim i pandërprerë për një pjesëmarrje aktive dhe pozitive në ndërtimin e paqes. Lidhur me këtë aspekt, shpreh vlerësimin tim të madh dhe gjej një harmoni të veçantë me qëndrimin e Selisë së Shenjtë. Për këtë arsye, bashkëndajmë vlerësimin për diplomacinë dhe multilateralizmin, si rrugë të privilegjuara për të kultivuar marrëdhëniet ndërkombëtare dhe për të nxitur mirëkuptimin midis kombeve.
Laborator i politikës së mirë
Leoni XIV ndalet më pas te vlera e një shteti të vogël, si Principata e Monakos, “në përmasë njerëzore”, ku është e mundur të provohet afërsia e politikës me nevojat e qytetarëve.
Prandaj, Republika e San Marinos mund të jetë një “laborator” i politikës së mirë, ku, pa cenuar karakterin laik të shtetit, mund të merren si pikënisje parimet e doktrinës shoqërore katolike: kërkimi i së mirës së përbashkët, destinimi universal i të mirave, harmonia midis subsidiaritetit dhe solidaritetit, si dhe drejtësia sociale.
Kujdesi për tjetrin
Ky është një angazhim i çmuar në dritën e nënshkrimit të ardhshëm të Marrëveshjes së Asociimit me Bashkimin Evropian. Papa Leoni XIV shton më pas se laboratori San Marinos, i pasur me vlera tradicionale dhe në hap me teknologjitë e reja, ka si qëllim kujdesin për njeriun, i cili shprehet në mbrojtjen e çdo jete, në çdo fazë të saj, nga ngjizja deri në vdekjen natyrore.
Ky kujdes për tjetrin ka qenë një tipar dallues i historisë së San Marinos që nga fillimet e saj. Siç është vënë në dukje, ai është shfaqur në traditën e mikpritjes, e cila nuk është ndërprerë kurrë gjatë shekujve ndaj atyre që vuajnë dhe ndodhen në vështirësi. Kohët e fundit, kjo është dëshmuar përmes mbështetjes dhe mikpritjes ndaj popullit ukrainas, veçanërisht në fillim të konfliktit, si dhe përmes angazhimit në favor të së drejtës ndërkombëtare humanitare, në një moment historik kur ajo duket se shkelet çdo ditë, madje edhe në mënyrë flagrante.
“Një ndjeshmëri e tillë – përfundon Papa Leoni XIV – është gjithashtu fryt i traditës së krishterë të këtij vendi dhe i bashkëpunimit të vazhdueshëm e pozitiv midis autoriteteve politike dhe ipeshkvit në kërkimin e së mirës së përbashkët”. Ftesa përfundimtare e Papës është që ky angazhim të vazhdojë në favor të dinjitetit të çdo personi njerëzor dhe të së mirës së përbashkët.
