Papa takohet me presidentin e Libanit: të arrihet paqja e drejtë dhe e qëndrueshme
Vatican News
Paraditen e sotme, 20 gusht, Papa Leoni XIV priti presidentin e Republikës së Libanit, Joseph Aoun, në Pallatin Apostolik të Vatikanit. Njoftimi u dha nga Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë.
Aoun u takua më pas me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin, i shoqëruar nga Sekretari për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, imzot Paul Richard Gallagher. Në qendër të "bisedimeve të përzemërta" ishte Marrëveshja Kornizë Tripalëshe, nënshkruar në Uashington nga SHBA-ja, Izraeli dhe Libani më 26 qershor, "me synimin për të stabilizuar kufijtë jugorë të Republikës së Libanit dhe për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme".
"Selia e Shenjtë, duke shprehur kënaqësinë për nënshkrimin e dokumentit", thuhet në komunikatë, "vuri në dukje shqetësime serioze lidhur me vështirësitë që po hasen në zbatimin e tij dhe siguroi mbështetjen e saj për përpjekjet, që shkojnë në këtë drejtim".
Presidenca libaneze: mirënjohje Papës për mbështetjen
Në një deklaratë të publikuar në faqen e internetit të presidencës libaneze, presidenti Joseph Aoun thekson mirënjohjen e tij ndaj Papës Leoni XIV dhe Selisë së Shenjtë për të gjitha përpjekjet në mbështetje të Libanit, duke kërkuar vijimin e përkrahjes për kërkesat e Bejrutit, veçanërisht për ta detyruar Izraelin të zbatojë kushtet e Marrëveshjes Kornizë, të nënshkruar nën kujdesin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës më 26 qershor. Aoun i bën thirrje Izraelit të ndërpresë sulmet e tij të përditshme, të cilat dëmtojnë sidomos civilët, infrastrukturën dhe fshatrat në jug të vendit, si edhe të tërhiqet nga territoret e pushtuara me qëllim rindërtimin e objekteve të shkatërruara dhe kthimin e personave të zhvendosur. Aoun, vazhdon deklarata e presidencës libaneze, thekson se këto masa duhet të shoqërohen me zgjerimin e autoritetit të shtetit libanez në të gjithë territorin e tij.
Tension në Libanin Jugor
Takimet në Vatikan bëhen në një kohë tensionesh të mëdha, veçanërisht në Libanin jugor, ku sulmet vazhdojnë, pavarësisht nga armëpushimi i përkohshëm i nënshkruar me Izraelin më 17 prill. Shteti judaik pretendon se ka në shënjestër vetëm infrastrukturën dhe luftëtarët e Hezbollahut, por Bejruti vazhdon të denoncojë operacionet ushtarake izraelite. Në sfond, mbetet amullia politike për të ardhmen e Libanit jugor, pa një datë të caktuar për raundin e tetë të bisedimeve - të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara - që synojnë zbatimin e marrëveshjes kornizë ndërmjet dy vendeve dhe krijimin e një udhe drejt paqes.
