Papa: të rinj, Evropa ka nevojë për shenjtorë. Guxoni, shkoni, madje, të shkojmë (Let’s go!)
Vatican News
Vizita e sotme baritore e Papës Leoni XIV në Asizi e pati çastin e saj më solemn në kremtimin e Meshës Shenjte, në orën 10.30, brenda Bazilikës së Shën Marisë së Engjëjve. Pas përqafimit me pjesëmarrësit në “Go! Franciscan Youth Meeting” (Shkoni! Takimi i Rinisë Françeskane) dhe pas përshëndetjeve institucionale në kiostrin e kuvendit françeskan me ipeshkvijtë rregulltarët dhe me anëtarët e Komitetit për 800-vjetorin e vdekjes së Shën Françeskut, Ati iShenjtë kryesoi Eukaristinë i rrethuar nga të rinjtë dhe besimtarët. Para bekimit përfundimtar, një përfaqësues i të rinjve i drejtoi fjalë të ndiera falënderimi. Me përfundimin e liturgjisë, në orën 12.00 Papa largohet nga Bazilika për të shkuar në fushën e sportit “Migaghelli”, ku në orën 12.15 përshëndetet me autoritetet para se të nisej me helikopter drejt Vatikanit, ku pritet rreth orës 12.45.
Drita e Shndërrimit të Zotit dhe dinamizmi i fesë
Homelia e mbajtur nga Papa Leoni XIV gjatë meshës u nis nga festa e sotme liturgjike e Shndërrimit të Zotit, duke lidhur misterin e dritës në mal me përvojën e jetuar nga të rinjtë në Asizi. Ati i Shenjtë theksoi se Asizi është vendi ku jeta mund të ndryshojë trajtë dhe të riparojë botën, ashtu siç i ndodhi Shën Françeskut dhe Shën Kiarës. Duke i ftuar djemtë dhe vajzat të mos dorëzohen para frikës, Papa vuri në dukje rëndësinë e pranimit të Ungjillit pa kompromise, duke i këshilluar të rinjtë të udhëhiqen nga prania e të Zotit të Ringjallur për të interpretuar si duhet kohën, që jetojnë:
«Jemi këtu për të fituar mbi dorëzimin dhe frikën, për të shuar dyshimet që na pengojnë edhe ne, ashtu siç pengonin apostujt. Jezusi na bën thirrje të dialogojmë me historinë e Tij, për të shkruar faqe të reja historie».
Guximi për të qenë shenjtorë dhe ndërtues paqeje
Duke u thelluar në kuptimin e titullit të tubimit, “Go!” (Shkoni), Ati i Shenjtë i nxiti të rinjtë të bëhen shenjtorët e rinj për të cilët bota dhe Evropa kanë nevojë, duke i ftuar të braktisin rrugët e sigurta, por të përshkuara tashmë, për të ndjekur njerëzoren e madhërishme të Krishtit.
“Të dashur të rinj, sot Evropa dhe e gjithë bota kërkojnë shenjtorë të rinj tek ju: guxoni të besoni në fjalën e Ungjillit, bëhuni njerëz me lirinë e Jezu Krishtit, përqafoni motrën varfëri. Titulli i takimit tuaj - 'Go - Shkoni!' - është një mision, një ftesë në udhë, për të cilat nuk kemi harta, sepse ato hapen duke dëgjuar zemrën, duke iu bindur Shpirtit Shenjt, duke ndjekur të Ringjallurin aty ku ai deshi të na paraprijë. Go! Shkoni! Edhe më mirë: Let's go! Le të shkojmë! Në periferitë, aty ku padrejtësia dhe arroganca e pak njerëzve mohojnë dinjitetin dhe ëndrrat e shumë vetëve, të shumë bijve dhe bijave të Zotit".
Leoni XIV kujtoi mësimet e Papës Françesku e i paralajmëroi të pranishmit kundër tundimit për të ruajtur distancën nga plagët e botës, duke i shtyrë të rinjtë të prekin korpin e vuajtur të të tjerëve. Në këtë thirrje për t’u bërë misionarë, Leoni XIV theksoi urgjencën për të kundërshtuar çdo logjikë pushteti dhe përçarjeje:
«Përkushtojuni, të dashur të rinj, qytetërimit të dashurisë, filizat e të cilit i keni parë në shumë shembuj bujarie, qytetërim që shndërron – në shembëllim me Krishtin – një numër pa fund veprimtarësh të paqes, të impenjuar edhe sot për t'i shërbyer jetës në skenarët më tragjikë të vdekjes».
Lutja si busull për kthimin në shtëpi
Në momentet përfundimtare të kremtimit, para se të përshëndeste dhe të kthehej në Vatikan, Ati i Shenjtë u besoi të rinjve lutjen e famshme të paqes, që i atribuohet Shën Françeskut, duke e treguar atë si busullën e vërtetë për të orientuar jetën e përditshme. Leoni XIV kujtoi se kthimi i të rinjve në vendet e ndryshme të Evropës duhet të përjetohet me të njëjtin ndërgjegjësim të dishepujve, që zbresin nga mali i lartë i shndërrimit të Zotit: një kthim i menduar, i guximshëm dhe i angazhuar thellësisht në dhurimin e vetvetes. Papa deshi kështu ta vulosë takimin me një thirrje të drejtpërdrejtë për përgjegjësinë ungjillore të brezave të rinj:
«Të dashur miq, le të nguliten këto ditë në Asizi në kujtesën tuaj dhe kthimi në shtëpi, në vendet e ndryshme të Evropës drejt të cilave do të udhëtoni, qoftë si zbritja e Pjetrit, e Jakobit dhe e Gjonit nga mali i lartë i shndërrimit. Një kthim i menduar, i hapur drejt së ardhmes, i angazhuar me Jezu Krishtin».
