2026.08.06 Visita Pastorale ad Assisi - Basilica di Santa Maria degli Angeli: Celebrazione della Santa Messa

Të rinjtë falënderojnë Papën: "Sot ndihemi Kishë"

Në fund të meshës së kryesuar nga Leoni XIV në Bazilikën e Shën Marisë së Engjëjve në Asizi, një i ri i kërkoi Papës të lutej që guximi për të ndjekur Krishtin të mos mungojë kurrë. Tek Ai, "askush nuk është i huaj, askush nuk është i përjashtuar"

Vatican News

Vizita e Papës ishte “një përqafim”, “një shenjë se Pasardhësi i Pjetrit ecën përkrah Popullit të Zotit, duke ndarë me të shpresat dhe vështirësitë”. Kështu e falënderoi Leonin XIV një i ri, në fund të meshës në Bazilikën e Shën Marisë së Engjëjve, para bekimit përfundimtar. Francesco Varone nënvizoi se prania e Atit të Shenjtë në Asizi i inkurajon të rinjtë të mos kenë frikë për të “zgjedhur të mirën dhe për të besuar se Ungjilli ende mund ta ndryshojë zemrën e njeriut”.

Krishti e mposht vetminë

Françesku shprehu "lodhjen nga fragmentimi, frikën nga vetmia", që e vuajnë kaq shumë të rinj dhe të reja. Por pikërisht për këtë arsye, përvoja e Asizit ishte formuese: sepse në qytetin e Shën Françeskut, brezat e rinj "prekën nga afër se Jezusi i mban të bashkuar, se nuk janë vetëm", ​​ashtu siç thotë motoja ipeshkvnore e Leonit XIV, "In illo unum, uno". Në Krishtin, në fakt, "askush nuk është i huaj, askush nuk përjashtohet", por të gjithë janë "vëllezër të vërtetë, jo rastësisht, por sepse janë bij të të njëjtit Atë".

  (ANSA)

Guximi për të zgjedhur Ungjillin

Së fundi, i riu i kërkoi Papës "një dhuratë", atë "që bijtë i kërkojnë të atit": që ai "të mos harrojë të lutet për ta", në mënyrë që të mos u “mungojë guximi për të zgjedhur Krishtin", "që të mund ta njohin zërin e Tij mes zhurmës së botës” e që koha e rinisë të bëhet dhuratë për të tjerët. "Faleminderit, Atë i Shenjtë, që na bën të ndihemi pjesë e Kishës sot", përfundoi Françesku.

06 gusht 2026, 13:10