Jubileu i të Rinjve, bota në Romë për "momentin më të pritur" të Vitit të Shenjtë

Në Sallën e Shtypit të Vatikanit u paraqitën ngjarjet kushtuar Jubileut tëtë Rinjve, që do të zhvillohet nga 28 korriku deri më 3 gusht. Mbi 500 mijë të rinj nga 146 vende priten në Romë për Jubileun, me 70 ngjarje dhe një organizim të detajuar të pritjes, sigurisë dhe logjistikës.

R.SH. / Vatikan

"Çasti më i pritur" i Vitit Shenjt, Jubileu i Rinisë, nga data 28 korrik e deri më 3 gusht, me Romën që hap portat "për mbarë botën", edhe për zonat e prekura tragjikisht nga konfliktet, në mënyrë që çdo i ri, duke bashkëvepruar me bashkëmoshatarët e tij, të mund ta ndiejë "përqafimin" dhe të mbetet besnik i thirrjes për të qenë "roje e mëngjesit" që Papa Gjon Pali II e pati bërë 25 vjet më parë.

Me këtë urim u paraqitën sot, 23 korrik, ngjarjet e Jubileut të ardhshëm të Rinisë, planifikuar për 28 korrik e deri më 3 gusht. Gjatë takimit me gazetarët, në sallën. shtypit të Selisë së Shenjtë, folën Imzot Rino Fisichella, pro-prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Ungjillëzimin, Seksioni për Çështjet Themelore të Ungjillëzimit në Botë dhe përfaqësues i Selisë së Shenjtë për Jubileun; Alfredo Mantovano, nënsekretar i Shtetit Italian pranë Presidencës së Këshillit të Ministrave; Roberto Gualtieri, Kryetar i Bashkisë së Romës dhe komisioner i posaçëm i Qeverisë për Vitin Shenjt; Roberta Angelilli, zëvendëspresidente e Rajonit të Lacios; Lamberto Giannini, prefekt i Romës; dhe Fabio Ciciliano, kreu i departamentit italian të Mbrojtjes Civile.

Imzot Fisichella: të rinj nga 146 Vende

Imzot Fisichella kujtoi se Jubileu i Rinisë përfaqëson "çastin më të pritur" të Vitit Shenjt, "sepse është më i ndjekuri". Pjesëmarrësit vijnë nga 146 vende të ndryshme të botës: 68% nga Evropa, ndërsa pjesa tjetër nga kontinentet. Veçanërisht të rinjtë që vijnë nga zonat e luftës: Libani, Iraku, Mianmari, Ukraina, Izraeli, Siria dhe Sudani i Jugut, do të priten me  "një përqafim" ideal, që do të shtrihet pastaj ndër brezat e rinj nga e gjithë bota. Kryeipeshkvi Fisichella falënderoi qeverinë italiane për "pjesëmarrjen e saj të përditshme" në organizimin e ngjarjeve. Më pas kujtoi programin për ditët e Jubileut të Rinisë.

Të hënën, më 28 qershor do të arrijë një gjysmë milioni e shtegtarëve  të parë. Për t'i mirëpritur janë mobilizuar 270 famulli kishtare, 400 shkolla, 40 vende jashtëshkollore, qendra të Mbrojtjes Civile, zona sportive dhe familje. Dita do të përkojë me fillimin e Jubileut të Misionarëve Dixhitalë. Për të rinjtë janë ngritur 20 pika pije freskuese, me akreditim për dreka dhe darka.

Më 29 korrik, do të fillojnë 'Dialogët me Qytetin': 70 ngjarje, që do të zhvillohen në sheshet e Romës të martën, të mërkurën dhe të enjten.

Më 1 gusht, "dita pendestare", me kremtimin e Sakramentit të Pajtimit a Rrëfimit, do të zhvillohet në Circus Maximus, me 200 meshtarë që do të mbarështojnë Sakramentin e Rrëfimit, të cilët do të ndërrohen çdo dy orë, nën tenda të mëdha të ngritura për të "siguruar pak pushim" duke pasur parasysh temperaturat e larta.

Më 2 gusht, portat e Tor Vergatës, në periferi të Romës, do të hapen në orën 9:00 të mëngjesit, dhe grupe të ndryshme muzikore e artistë do të argëtojnë turmat deri në orën 20:30, kur do të fillojë nata pa gjumë e të rinjve me Papën Leoni XIV. Me këtë rast, tre të rinj nga Italia, Meksika dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t'i bëjnë pyetje Papës, "i cili do të përgjigjet në gjuhët e tyre përkatëse". Në përfundim, Imzot Fisichella falënderoi Dikasterin e Vatikanit për Komunikimin, për zbatimin e aplikacionit Vatican Vox dhe për shërbimet e Radio Vatikanit, e cila do të ofrojë përkthime dhe komente në tetë gjuhë të ndryshme. Për këtë ngjarje [shtë përgatitur edhe një manual, i hartuar me Departamentin italian të Mbrojtjes Civile "i cili duhet të njihet sa më gjerësisht të jetë e mundur" me të gjitha udhëzimet "për ta jetuar këtë çast në qetësi të plotë".

Gualtieri: gati për të "mirëpritur botën"

"Një qytet, gati për të mirëpritur botën" është përmbledhja që tregon se si Roma po përgatitet për ngjarjet e Jubileut të të Rinjve, sipas kryetarit të bashkisë së Romës Gualtieri. Një dhomë kontrolli prej 500 metrash katrore do të "mbikëqyrë" zonën që pret brezat e rinj, e cila shtrihet në mbi 500,000 metra katrore. Nxehtësia e madhe do të lehtësohet me vendosjen e aparateve ujësjellës dhe stacioneve të mbushjes së ujit, me 5 milionë shishe uji të pijshëm dhe 70 nebulizatorë. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe kujdesit shëndetësor, me 10 stacione të avancuara mjekësore, 43 ambulanca dhe katër zona "të qeta" për ata që kanë nevojë për "një çast pushimi".

Giannini: rinia e mbrojtur në të gjithë qytetin

"Asnjë sinjal negativ në lidhje me këtë ngjarje", siguroi Prefekti i Romës. Megjithatë, kjo nuk e ngadalëson përgatitjen maksimale për ditët kyçe në Tor Vergata, ku dronët dhe avionët do të ndalohen të fluturojnë sipër për  sigurinë e shtegtarëve. "Të gjithë njerëzit që marrin pjesë në ngjarje do të duhet të kalojnë një sërë kontrollesh", por mbrojtja e të rinjve do të shtrihet në vende të ndryshme në të gjithë qytetin, veçanërisht në ato me përqendrimet më të larta, siç janë stacionet ose Circus Maximus, në ditën e kushtuar Sakramentit të Pajtimit.

Pyetjet e gazetarëve

"Shumica e përgatitjeve jubilare u bënë duke respektuar kujdesin e Krijimit" siguroi kryetari i bashkisë së Romës, Gualtieri duke kujtuar "përmasën e qëndrueshmërisë mjedisore" në organizimin e Vitit Shenjt.

23 korrik 2025, 13:22