Kardinali Pietro Parolin në hapjen e javës së 75-të liturgjike kombëtare  të Kishës italiane në Napoli Kardinali Pietro Parolin në hapjen e javës së 75-të liturgjike kombëtare të Kishës italiane në Napoli

Kard. Parolin: liturgjia, “vend” i afërsisë, shpresës, shenjë paqeje

Në hapjen e Javës së 75-të Kombëtare Liturgjike në Napoli, Sekretari i Shtetit ofroi një reflektim të gjatë, në të cilin kujtoi se si në liturgji tema e shpresës, në qendër të vitit jubilar, ndërthuret me besimin dhe dashurinë. Para fjalimit të kardinalit, u lexua një mesazh i Leonit XIV me urimin që punimet "të nxisin një pjesëmarrje gjithnjë e më aktive të besimtarëve në veprimtarinë liturgjike të Kishës".

R. SH. – Vatikan

“Liturgjia ushqen dhe gjallëron shpresën”: ky është titulli i fjalimit të Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin, mbajtur në Katedralen e Napolit, ku u ekspozuan reliket e Shën Gjenarit, pasdite, më 25 gusht, pas kremtimit të lutjes Mbrëmësore me rastin e hapjes së Javës së 75-të Kombëtare Liturgjike të Kishës Katolike Italiane, javë e cila do të zgjasë deri nesër, më 28 gusht. E përqendruar në temën: “Ti je shpresa jonë. Liturgjia: nga soditja në veprim”, Java Liturgjike parashikon pjesëmarrjen e rreth 500 personave, studiues dhe liturgjistë.

Para fjalimit të kardinalit Parolin u lexua mesazhi i Papa Leonit XIV, i cili përshëndeti folësit e pjesëmarrësit dhe uroi që punimet e Javës "të nxisin një pjesëmarrje gjithnjë e më aktive të besimtarëve në veprimtarinë liturgjike të Kishës, duke ngjallur një ndërgjegjësim të ripërtërirë për karakterin ungjillëzues të kremtimeve të shenjta". "Simpoziumi mund të inkurajojë reflektimin dhe të zhvillojë linja pastorale operative - shkruan Papa - në mënyrë që besimtarët t’i rizbulojnë Kishat si vende kulti, ku kremtohet feja, takohet Zoti i pranishëm dhe veprues në Sakramente, jetohet bashkësia vëllazërore".

Shpresa, soditja, veprimi dhe paqja: këto janë fjalët kyçe të reflektimit të kardinalit Pietro Parolin, i cili kujton se besimi në Krishtin, “shpresa jonë”, i kënduar në lutjen e Falënderimit (Te Deum), dhe Jubileu i shpresës që po jetojmë janë “realitete që kremtojmë dhe jetojmë në liturgji”, “janë tipike të kremtimit në të cilin njeriu, i rënduar nga lodhjet, brishtësitë dhe mëkati i tij, nuk mund të bëjë tjetër veçse të braktiset në dashurinë e Zotit duke u mbështetur në mëshirën e Tij”.

27 gusht 2025, 11:24