Casina Pio IV Casina Pio IV

Fondacioni Ratzinger-Benedikti XVI shpall fituesit e çmimit "Arsye e Hapur"

Ceremonia e dhënies së çmimeve do të mbahet të martën, më 30 shtator, në orën 16.30 në Casina Pio IV. Çmimi, i lindur nga bashkëpunimi i institucionit me Universitetin Francisco de Vitoria të Madridit, u jepet veprave që përqendrohen në çështje antropologjike, etike, epistemologjike me vlerë, duke integruar shkencën, filozofinë dhe teologjinë

R.SH. – Vatikan

Të martën, më 30 shtator, në orën 16.30, në Casina Pio IV në Vatikan, seli e Akademisë Papnore të Shkencave, do të mbahet ceremonia e dhënies së çmimeve për edicionin e shtatë të Çmimeve "Arsye e Hapur". Çmimi - një bashkëpunim ndërmjet Universitetit Francisco de Vitoria të Madridit dhe Fondacionit të Vatikanit Joseph Ratzinger-Benedikti XVI - vlerëson veprat, që trajtojnë çështje antropologjike, etike, epistemologjike, me një këndvështrim të integruar, që kombinon shkencën, filozofinë dhe teologjinë. Ceremonia do të kryesohet nga prefekti i Dikasterit për Nxitjen e Bashkimit ndërmjet të Krishterëve, kardinali Kurt Koch. Do të mbajnë relacione presidenti i Fondacionit të Vatikanit “Joseph Ratzinger-Benedikti XVI”, atë Federico Lombardi dhe rektori i Universitetit Francisco de Vitoria, profesor Daniel Sada. Më pas, dhënia e çmimeve, të zgjedhura nga një juri ndërkombëtare, ndërmjet 410 kandidaturave nga 63 universitete të botës.

Zgjerimi i horizontit të arsyes

Çmimi lindi nga intuita e Benediktit XVI lidhur me nevojën për të zgjeruar horizontet e arsyes, duke kapërcyer "fragmentimin e dijes" dhe "specializimin e tepërt", që shpesh e kufizojnë kuptimin e tërësishëm të çështjeve të ndryshme. Qëllimi është pra të vihet në dukje nevoja për një "vizion të gjerë dhe të hapur të arsyes" dhe për ushtrimin e saj në kërkimin e së vërtetës dhe të përgjigjeve për pyetjet themelore rreth njerëzimit dhe fatit të tij. Për këtë Çmim janë parashikuar për dy kategori: punë kërkimore dhe mësimdhënie. Kategoria e parë përfshin botime shkencore, që trajtojnë çështje antropologjike, epistemologjike, etike, të cilat përmirësojnë kuptimin e një shkence atë një disipline të caktuar. Kategoria "mësimdhënie" përfshin paraqitjen e programeve akademike (udhëzues didaktikë, programe mësimore), që shpjegojnë me hollësi si integrohen, në mësimdhënien e shkencës a të një disipline të caktuar, çështjet antropologjike, epistemologjike, etike.

Fituesi i kategorisë "mësimdhënie"

Çmimi në kategorinë "mësimdhënie" është fituar nga Programin i Librit të Madh i Universitetit të Navarrës, me autor José María Torralba (Universiteti i Navarrës). Ky program, i zbatuar në Fakultetet e Drejtësisë dhe të Mjekësisë, integron në kurrikula leximin e klasikëve të filozofisë dhe letërsisë.

Fituesit e kategorisë "punë kërkimore"

Në kategorinë e "punës kërkimore" u vlerësuan me çmim tre libra: “Trupi dhe identiteti: një histori e zbrazjes së vetvetes”, me autore Angela Franks (Seminari i Shën Gjonit, Boston). Është fjala për një udhëtim historiko-filozofik përmes konceptit të identitetit, nga antikiteti në kohët moderne, duke vënë në dukje se humbja e themelit të tij transhendental ka sjellë krizën e identitetit bashkëkohor. Më pas, “Republika policentrike: një teori e rendit civil për shoqëri të lira dhe të larmishme”, me autor David Thunder (Universiteti i Navarrës). Vepra propozon një alternativë në krahasim me shtetin modern, bazuar në një "republikë policentrike", në të cilën shoqata të ndryshme bashkëpunojnë në liri dhe pluralitet për arritjen e së mirës së përbashkët. Së fundi, “Filozofia tomiste përballë evolucionit”, me autor Juan Eduardo Carreño (Universidad de los Andes, Kili). Integron rigorozisht evolucionin biologjik dhe filozofinë tomiste, duke propozuar një qasje metodologjike dhe konceptuale, që i përfshin kontributet shkencore në vizionin e urtisë së Etërve të Kishës. Ndërkaq, dy vepra kanë fituar një “përmendje nderi” nga ana e Fondacionit Ratzingher.

25 shtator 2025, 16:19