Sheshi i Shën Pjetrit me pjesëmarrësit në audiencën e Papa Leonit XIV për Jubileun e Operatorëve të Drejtësisë Sheshi i Shën Pjetrit me pjesëmarrësit në audiencën e Papa Leonit XIV për Jubileun e Operatorëve të Drejtësisë

Jubileu i Operatorëve të Drejtësisë: rikuperimi i lartë dhe fisnik i së drejtës

Në Lectio Magistralis të mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, imzot Juan Ignacio Arrieta, sekretar i Dikasterit të Vatikanit për Tekstet Legjislative, i nxit të gjithë profesionistët e ligjit të ruhen nga “rreziku i formalizmit”, duke respektuar dinjitetin e individëve dhe duke u udhëhequr nga e vërteta “objektive e rastit konkret”. Imzot Arrieta u prezantua nga imzot Fisichella, pro-prefekt i Dikasterit për Ungjillëzimin, i cili thekson rëndësinë e promovimit të nevojave që ka personi, shoqëria

R.SH. – Vatikan

“Teprimet” e përjetësuara nga doktor Azzeccagarbugli në veprën e Manzonit “Të Fejuarit” bëhen për klasën juridike nxitje për të rizbuluar “kuptimin e lartë dhe fisnik” të misionit të tyre. Në këtë këndvështrim, Jubileu i Operatorëve të Drejtësisë paraqet rastin për të riorientuar busullën drejt atij që është vetë burimi i drejtësisë: Zotit, “i cili ka rregulluar çdo gjë në mënyrë të drejtë”. E vërteta e tij, “e përulur”, “e durueshme” por edhe “thellësisht këmbëngulëse, duke ditur se do të mbizotërojë gjithmonë në gjykatën e lartë”, i shmanget “rrezikut të formalizmit”, respekton dinjitetin e individit dhe çon në një gjykim objektiv “të rastit konkret”. Këto janë disa nga temat e trajtuara nga imzot Juan Ignacio Arrieta, sekretar i Dikasterit të Vatikanit për Tekstet Legjislative, në Lectio Magistralis mbajtur sot paradite, më 19 shtator, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, në kuadër të ngjarjeve të Vitit të Shenjtë Jubilar kushtuar operatorëve të drejtësisë. Për herë të parë në historinë e Jubileve, ata mblodhën mbi 15 mijë pjesëmarrës – gjyqtarë, magjistratë, shoqata, universitete dhe entitete qeveritare – nga rreth 100 vende.

Drejtësia thelbësore dhe relacionale

Reflektimi i imzot Juan Ignacio Arrietanis nga një postulat i përbashkët për çdo besimtar: "drejtësia është te Zoti". Ajo ka një dimension të dyfishtë: "thelbësore", si atribut i thelbit hyjnor që ka krijuar çdo gjë në mënyrë të drejtë dhe të rregullt, dhe "relacionale", që ka të bëjë me marrëdhëniet ndërmjet njerëzve në shoqëri. Në dukje të papajtueshme, këto dy perspektiva në të vërtetë janë plotësuese dhe të pandashme. "Në fund të fundit – shpjegoi prelati – ishte Zoti ai që rregulloi çdo gjë në mënyrë të drejtë, dhe drejtësia e njerëzve nuk mund të bëjë tjetër veçse të rikthejë rendin e vendosur prej Tij".

Intuita e Shën Augustinit

Shën Augustini, i përmendur nga imzot Arruieta, i kushtoi një pjesë të predikimit të tij nocionit të drejtësisë si imago Dei. Në praktikë, ai u angazhua "me zell në rolin e gjyqtarit", duke arritur të ankohej për kohën dhe energjitë që i kërkonte kjo detyrë. Për shenjtin e Hiponës, drejtësia ishte "pjesëmarrje në të Vërtetën" dhe në të njëjtën kohë angazhim "për të rikthyer rendin e paracaktuar nga Zoti". Një intuitë që bashkon dimensionin thelbësor dhe atë relacional: "duke qenë ne imazhi" hyjnor, "duhet të realizojmë drejtësinë që e kemi shkruar në zemër".

Drejtësia e Jezusit

Sipas imzot Arrietës, drejtësia merr kështu një kuptim "pothuajse të shenjtë", që gjen realizim të plotë në figurën e Krishtit. Disa episode ungjillore e dëshmojnë këtë: pagesa e taksave të përshkruara nga ligji, megjithëse nuk ishte i detyruar "në të gjithë drejtësinë" si Biri i Zotit, por u përball "për të shmangur skandalin"; denoncimi i praktikës që lejonte të çlirohesh nga detyrimet familjare përmes lëmoshës; pohimi "se rendi i ri i Hirit që do të vendosej, refuzon ripudimin, do të thotë lëshimin e gruas, të toleruar fillimisht për shkak të plagës së thellë të lënë nga mëkati në natyrën njerëzore". Në këto raste Jezusi, si "burim autoriteti", denoncon "rrezikun e formalizmit", korrigjon interpretimet e shtrembëruara të ligjit dhe i rikthen kuptimin autentik. Me kryqin e tij, "vulos dimensionin e përjetshëm të padrejtësisë së njerëzve në histori".

Operatorë të drejtësisë, instrumente shprese

Sot, dy mijë vjet më pas, operatorët e drejtësisë janë thirrur të shërbejnë për dinjitetin e personave, duke u marrë me "nevojat e tyre më imperative" dhe duke u vendosur – me "diferencat e duhura", por në të njëjtën kohë, për shembull, me mjekët dhe meshtarët – si "instrument shprese". Është një detyrë e rëndë, ndonjëherë e karakterizuar nga ndarje dhe nga ndjenja të "pafuqisë". E drejta kanonike, duke qëndruar "në margjinat e rrymave pozitiviste", ofron mundësinë për të shmangur që rastet individuale të humbasin "në shkurret e sistemit ligjor", duke u shkëputur nga një "lexim i thjeshtë" i teksteve.

20 shtator 2025, 12:21