Kard. Semeraro: Frassati dhe Acutis, të impenjuar në botë, por jo të kësaj bote
R.SH. – Vatikan
Dy shenjtorë plot gjallëri, me zemra të ndezura nga dashuria për Krishtin, që jetuan në botë, por nuk u bënë të kësaj bote. Prefekti i Dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve, kardinali Marcello Semeraro, tregon për mediat e Vatikanit shenjtërinë e jetës së të rinjve Pier Giorgio Frassati (1901-1925) dhe Carlo Acutis (1991-2006), të cilët Papa Leoni XIV do t’i kanonizojë të dielën, më 7 shtator, në Sheshin e Shën Pjetrit.
Pier Giorgio Frassati e Carlo Acutis ishin dy djem të moshave të ndryshme - i pari vdiq në moshën 24 vjeçare, i dyti në moshën 15 vjeçare - por tejet të ngjashëm, sepse iu përkushtuan ndihmës për më të varfrit, duke u ushqyer përditë me Eukaristinë. “Gjithmonë ka diçka, që na bën përshtypje te shenjtorët”, pohon kardinali, “shumë prej tyre i ngjajnë njëri-tjetrit dhe vënia në praktikë e virtyteve të krishtera nga ana e tyre nuk është kurrë diçka e izoluar; shoqërohet gjithmonë me virtyte të tjera”. Mund të thuhet se shenjtëria është simfoni, por kardinali Semeraro preferon të kujtojë pamjen e një poliedri, të cilin e përdor edhe Papa Françesku në Nxitjen apostolike pas-sinodale “Christus Vivit” kur përshkruan Kishën. "Kisha", nënvizon Papa Bergoglio, "mund t’i tërheqë të rinjtë, pikërisht sepse nuk është një unitet monolit, por një rrjet dhuratash të larmishme, që Shpirti Shenjt dikon pa pushim mbi të, duke e bërë gjithmonë të re, pavarësisht nga të metat e saj".
Frassati, tek të varfrit pa Krishtin
"Pier Giorgio Frassati", pohon prefekti i Dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve, "mishëron modelin e besimtarëve laikë, që doli nga Koncili II i Vatikanit. Është njeri që, i angazhuar në jetë, ka një përvojë të veçantë me realitete të ndryshme të botës; është ajo që Koncili e quan natyra laike e besimtarëve, të cilët kanë jetuar në harmoni të plotë me Ungjillin, duke e mishëruar atë në çdo aspekt". Për kardinalin Semeraro, që ka shkruar librin “Pier Giorgio Frassati, Alpinisti i Shpirtit” (Edizioni Messaggero Padova 2025, 184 faqe, 18 €), veprimtaria e të riut nga Torino, që impenjohej pa u dukur, të kujton çfarë shkruan Shën Injaci i Antiokisë në Letrën e tij drejtuar Efesianëve: "Më mirë të jesh i krishterë në heshtje sesa të flasësh më kot, të thuash [se je i krishterë] e të mos jesh". Ajo vepër e mirë e pabujë, më vonë, do të dukej qartë në pjesëmarrjen e jashtëzakonshme në funeralin e Frassati-t, ku u mblodhën të varfër, të braktisur e të mënjanuar, të cilët ai i kishte ndihmuar gjithmonë pa bërë shumë zhurmë. Një humanitet, që vetëm atëherë u kuptua nga familja, e pavetëdijshme për përkushtimin e djalit ndaj më të varfërve. "Vdekja e tij ishte epifani", thekson kardinali, i cili vë në dukje se "Frassati shkoi te të varfrit, sepse në ta takoi Krishtin".
Acutis dhe shenjtëria e adoleshentit
Edhe në funeralin e Carlo Acutis morën pjesë shumë njerëz të varfër. Edhe për të familja nuk ishte në dijeni. "Acutis ishte zbulim edhe për prindërit e tij; e bëri gjithçka me mundësitë e një adoleshenti, me mundësitë që kishte një i ri". Carlo Acutis mishëron "shenjtërinë e një djali, gati për ta përqafuar jetën, duke pasur Eukaristinë si pikë referimi, si autostradën e tij drejt qiellit". "Këto forma të ndryshme të shenjtërisë duhet të na shtyjnë të reflektojmë mbi kuptimin e moshës në jetë", thekson kardinali, duke iu referuar Romano Guardini-t dhe veprës së tij, “Epokat e Jetës”. "Frassati na dëshmon për një epokë të veçantë të jetës, Acutis na tregon botën e adoleshencës, e cila sot është ndoshta faza më kritike e jetës".
Këta janë të rinj të zakonshëm, por shndrisin me një shenjtëri "të derës fqinjë", siç i pëlqente të thoshte Papës Françesku. Dy figura që vetë Papa aktual, Leoni XIV, i propozoi si modele për brezat e rinj gjatë Jubileut të fundit të Rinisë. «Ka shenjtorë», pohon prefekti i Dikasterit të Vatikanit, «të cilët, siç thekson mistikja Madeleine Delbrêl, rriten në fidanishte, sepse janë pjesë e ndonjë instituti rregulltar, janë njerëz të shuguruar. Ka të tjerë, si Acutis dhe Frassati, të cilët janë njerëz që kanë jetuar në botë, shenjtorë të rrugës», por nuk janë bërë kurrë të botës, sepse nuk i kanë përkitur kurrë asaj, por qiellit.