UN General Assembly kicks off high-level week 2025

Kryeipeshkvi Gallagher: "shtetet duhet të impenjohen për të mbrojtur dhe për të respektuar dinjitetin e grave"

Sekretari i Selisë së Shenjtë për Marrëdhëniet me Shtetet flet në OKB, 30 vjet pas Deklaratës së Pekinit. Pavarësisht nga përparimet, denoncon ai, mbetet i lartë niveli i varfërisë së grave, të cilat përjetojnë diskriminime në vendin e punës dhe kanë pengesa në arsimim e në kujdesin shëndetësor. "Zgjidhjet e rreme si aborti duhet të refuzohen. Mbrojtja e së drejtës për jetën është thelbësore, pasi është themeli i të gjitha të drejtave të tjera"

R.SH. – Vatikan

"Shtetet të përmbushin angazhimet e tyre për të siguruar barazinë e grave dhe respektin për dinjitetin e tyre, dhënë nga Zoti". Kjo është shpresa e Selisë së Shenjtë, shprehur nga kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, i cili foli të hënën, më 22 shtator, në OKB, në Nju Jork, me rastin e takimit të nivelit të lartë për 30-vjetorin e Konferencës së katërt Botërore për Gratë, mbajtur në Pekin në shtator 1995.

Pavarësisht nga përparimet në "çështje të rëndësishme dhe urgjente, që kanë të bëjnë me dinjitetin e grave dhe me gëzimin e plotë të të drejtave të tyre themelore", nënvizoi imzot Gallagher, sot, "disa argumente në Deklaratën dhe Platformën për Veprim të Pekinit, kanë mbetur të pazgjidhura, ndër të cilat, një tregues më i lartë varfërie ekstreme, përjashtimi i grave nga arsimi cilësor dhe pagat më të ulëta". Të gjitha këto, shpjegoi kryeipeshkvi, nuk lejojnë "arritjen e dinjitetit të barabartë të grave dhe realizimin e potencialit të tyre në të gjitha fushat e jetës".

Çdo formë dhune është e papranueshme

Selia e Shenjtë jep alarmin për përhapjen e "dhunës kundër grave dhe vajzave", fyerje për dinjitetin e tyre dhe padrejtësi e rëndë, si në shtëpi, ashtu edhe gjatë konflikteve, ose trafikimit. Ky abuzim shtohet edhe nga teknologjia. Por dhuna, vazhdon Sekretari për Marrëdhëniet me Shtetet, "përfshin gjithashtu praktikat e përzgjedhjes së seksit para lindjes dhe vrasjen e foshnjave femra". Këto akte, denoncon Sekretari, "të dënuara në Deklaratën dhe Platformën për Veprim të Pekinit, vazhdojnë të shkaktojnë vdekjen e miliona vajzave, që zhduken çdo vit. Çdo formë dhune kundër grave dhe vajzave është e papranueshme dhe duhet të luftohet".

Pabarazia në shëndetësi

Përveç dhunës fizike, gratë janë ende viktima të "kujdesit të pabarabartë shëndetësor". Megjithëse vdekshmëria e nënave ka rënë, "qasja në kujdesin shëndetësor para lindjes, në personelin e kualifikuar shëndetësor, në sistemet dhe infrastrukturën shëndetësore", theksoi imzot Gallagher, "duhet të rritet, ndërsa zgjidhjet e rreme si aborti duhet të refuzohen. Mbrojtja e së drejtës për jetë është themelore, pasi ajo mbështet të gjitha të drejtat e tjera". Në përfundim, duke pranuar se çështjet kryesore të ngritura nga Pekini në favor të grave kanë mbetur të pazgjidhura, kryeipeshkvi Gallagher uroi që bashkësia ndërkombëtare të mos përqendrohet në çështje që ndajnë, “të cilat nuk janë domosdoshmërisht të dobishme për gratë".

23 shtator 2025, 12:31