Në Malavi u bekua në Lilongwe guri i parë i Nunciaturës Apostolike
R.SH. / Vatikan
Dje, më 22 shtator 2025, në kryeqytetin Lilongwe u vendos guri i parë i Nunciaturës Apostolike të ardhshme në Malavi. Ngjarjen e kryesoi kryeipeshkvi imzot Gian Luca Perici, nunc apostolik në Zambi dhe Malavi, i cili bekoi gurin e parë të selisë së re të Përfaqësisë Diplomatike Papnore. Deri më sot, misioni diplomatik i Selisë së Shenjtë për Malavin kishte selinë në Lusaka, Zambi.
Ndërtimi i një Nunciature (Përfaqësie Diplomatike Papnore) në zemër të vendit përfaqëson kështu një hap të rëndësishëm, që synon forcimin e lidhjeve midis Selisë së Shenjtë dhe Malavit. "Shtëpia e Papës" nuk do të jetë vetëm një qendër e aktivitetit diplomatik, por edhe një shenjë konkrete e bashkimit dhe afërsisë, një vend takimi dhe dialogu në shërbim të paqes dhe zhvillimit.
Në ceremoni morën pjesë shumë përfaqësues kishtarë dhe autoritete civile. Për Kishën Katolike ishin të pranishëm imzot Martin Anwel Mtumbuka, ipeshkëv i Karongës dhe president i Konferencës së Ipeshkvijve Katolikë të Malavit (M.C.C.B.), kryeipeshkvi i Lilongwes imzot George Desmond Tambala, dhe imzot Peter Chitsulo, ipeshkëv i Dedzës. Për institucionet civile, morën pjesë disa përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme, të Këshillit Bashkiak të Lilongwes, të Komisionit të Lartë të Tanzanisë, të Këshillit Kombëtar të Industrisë së Ndërtimit dhe të Terrastone Limited, kompania e ngarkuar me realizimin e ndërtesës.