2025.09.19 don Mirosław Wachowski

Nunci i ri në Irak: të krishterët pakësohen, por kanë ende një rol kyç

Intervistë e mediave të Vatikanit me përfaqësuesin papnor Mirosław Wachowski, kryeipeshkëv polak, i cili flet për udhën e thirrjes së tij, për misionin në tokën e Abrahamit dhe për shërbimin në Kishë në favor të dinjitetit njerëzor dhe paqes

R.SH. – Vatikan

I emëruar nga Papa Leoni XIV si Nunc Apostolik në Irak, më 18 shtator, imzot Mirosław Stanisław Wachowski shpjegon rëndësinë e kësaj detyre në një intervistë me mediat e Vatikanit. Aktualisht Zv.sekretar i Selisë së Shenjtë për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare e, së fundi, lartuar si kryeipeshkëv titullar i Villamagna di Proconsolare, prelati kujton origjinën e tij në rajonin "e panjohur" polak të Masuries, thirrjen e tij në jetën e shuguruar, pavarësisht se djalë "pa ndonjë talent të veçantë". Megjithatë, pohon ai, perceptimi i thellë se ishte i papështatshëm për jetën meshtarake, nuk e pengoi të besonte në thirrjen e Zotit: "Unë iu përgjigja atëherë, duke besuar më shumë në hirin e Tij, sesa në aftësitë e mia të kufizuara".

Një Kishë martirësh në një tokë të shkatërruar

Kështu, i motivuar nga përvujtëria, imzot Wachowski e priti edhe misionin e tij të ri në "një tokë feje e tradite". Vë në dukje se po shkon "aty, nga ku vjen Abrahami, ati i tri feve, miku i Hyjit. Dërgohem në një Kishë të lashtë, e cila ngrihet mbi shpalljen apostolike të Ungjillit". Kisha në Irak, vëren ai, e ka ruajtur fenë jo vetëm gjatë kohërave kur lulëzonte, por edhe kur u bë një Kishë martirësh dhe pësoi persekutime. Pavarësisht nga rënia dramatike e numrit të të krishterëve në vend, nunci i ri apostolik në Irak vë në dukje se ata vazhdojnë të luajnë një rol kyç. "Vlerësohen shumë si nga autoritetet ashtu edhe nga shoqëria, sepse janë faktor stabilizimi në një shoqëri, shpesh, të shkatërruar nga përçarjet, mosmarrëveshjet dhe konfliktet".

Promovimi i paqes dhe i të drejtave të njeriut

Imzot Wachowski e sheh rolin e tij si nunc jo vetëm si funksion diplomatik, por sidomos, si mision shpirtëror. Ai thekson se "çdo nunc apostolik është përfaqësues i Atit të Shenjtë, detyra e të cilit është t'i shërbejë thellimit të bashkimit ndërmjet Kishave lokale dhe Romës". Falë nuncit, besimtarët mund ta ndiejnë afërsinë e Papës, dhe Ati i Shenjtë mund të informohet për gëzimet e shqetësimet e tyre. Prelati thekson veçanërisht nevojën që Papa të kuptohet se u qëndron pranë besimtarëve dhe të promovojë paqen dhe të drejtat e njeriut. Roli i përfaqësuesit papnor është themelor në këtë drejtim: ai shërben si delegat pranë autoriteteve civile dhe, si i tillë, "promovon dinjitetin e njeriut, të drejtat e tij universale dhe punon për paqen".

21 shtator 2025, 14:48