2019.01.09 Sede Onu, Nazioni Unite

Selia e Shenjtë: e papranueshme, gara e armatimeve, me rrezikun e katastrofës bërthamore

Imzot Gallagher, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, mbajti dy fjalime në Kombet e Bashkuara. Për eksperimentet bërthamore, theksoi urgjencën e ratifikimit të Traktatit për Ndalimin e Testeve. Për armët bërthamore, kryeipeshkvi shprehu shqetësimin lidhur me përdorimin e Inteligjencës Artificiale në fushën e riarmatimit

R.SH. – Vatikan

"Një hap urgjent për të shmangur katastrofën bërthamore": këtë kërkoi kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, duke folur më 26 shtator, në Konferencën e 14-të për Lehtësimin e Hyrjes në Fuqi të Traktatit Gjithëpërfshirës të Ndalimit të Testeve Bërthamore, nënshkruar nga Selia e Shenjtë 29 vjet më parë, më 24 shtator 1996.

Kryeipeshkvi theksoi se dështimi i hyrjes në fuqi të traktatit "mbetet një realitet i kritikueshëm", që "kompromenton përpjekjet globale kundër testeve bërthamore". Ai u bëri thirrej shteteve ta ratifikojnë sa më shpejt atë, , duke pasur parasysh kontekstin ndërkombëtar "në të cilin dinjiteti njerëzor dhe e drejta ndërkombëtare minohen tepër shpesh ".

Një iluzion i rrezikshëm

"Paqja nuk mund të garantohet përmes frikës së ndërsjellë, ose logjikës së parandalimit", deklaroi kryeipeshkvi Gallagher, duke përsëritur se testet bërthamore kanë pasoja katastrofike humanitare dhe mjedisore. "Për fat të keq, zgjerimi dhe modernizimi i vazhdueshëm i arsenaleve bërthamore, i shoqëruar nga retorikë gjithnjë e më luftarake dhe kërcënime për përdorimin e tyre", shtoi ai, "përforcon iluzionin e rrezikshëm se siguria mund të arrihet përmes kërcënimit të asgjësimit".

Dialog, në vend të shkatërrimit

Sekretari për Marrëdhëniet me Shtetet citoi më pas fjalët e Papës Leobi XIV në 80-vjetorin e bombardimeve të Hiroshimës dhe Nagasakit, dy fatkeqësi - pati thënë Papa - që duhet të shërbejnë si paralajmërim kundër shkatërrimit të shkaktuar nga lufta dhe armët bërthamore. Ati i Shenjtë pati kërkuar "t'u hapet rrugë mjeteve të drejtësisë, praktikës së dialogut dhe besimit në vëllazërim". Vetë kryeipeshkvi i përsëriti këto fjalë për të kujtuar se Traktati shpreh "vullnetin e njerëzimit për të zgjedhur dialogun mbi shkatërrimin, arsyen mbi rivalitetin dhe solidaritetin mbi dyshimin".

Armët bërthamore, kërcënim global

Duke përkujtuar 80-vjetorin e provës së parë bërthamore në Neë Mexico dhe bombardimet tragjike të Hiroshimës dhe Nagasakit që pasuan, imzot Gallagher, po më 26 shtator, gjatë takimit të nivelit të lartë për të përkujtuar Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e plotë të Armëve Bërthamore, kujtoi vuajtjet e thella të shkaktuara nga këto ngjarje tragjike, por edhe "kërcënimin që armët bërthamore vazhdojnë të paraqesin për paqen globale, për brezat e ardhshëm dhe për Krijimin". Selia e Shenjtë është thellësisht e shqetësuar për prirjen drejt riarmatimit masiv, në vend të "nismave që promovojnë zhvillimin e gjithanshëm njerëzor dhe paqen e qëndrueshme". Kjo situatë është "e papranueshme" dhe kërkon përgjegjësi të re ndërkombëtare.

Përdorimi i Inteligjencës Artificiale në riarmatim

"Një shkak tjetër për shqetësim", shtoi kryeipeshkvi, "është gara e re e armatimeve, karakterizuar nga integrimi i Inteligjencës Artificiale në sistemet ushtarake, duke përfshirë sistemet kozmike dhe sistemet e mbrojtjes nga raketat". Selia e Shenjtë i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare të ripërtërijë impenjimin e saj për çarmatimin, për respektimin e angazhimeve ndërkombëtare dhe të rinovojë mandatin e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA). Ratifikimi i Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT) dhe nënshkrimi i Traktatit për Ndalimin e Armëve Bërthamore (TPNË) janë të nevojshme "si hap konkret drejt arritjes së një bote pa armë bërthamore dhe parandalimit të pasojave katastrofike humanitare që do të rezultonin nga përdorimi i tyre".

27 shtator 2025, 15:46