Thirrja e Selisë së Shenjtë Asamblesë së OKB-së. Imzot Gallagher: "Vetëm në drejtësi lind paqja e vërtetë"
R.SH. / Vatikan
Në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për 80-vjetorin e themelimit të tyre, Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare thekson nevojën për të punuar për paqen përmes çarmatimit, respektimit të të drejtës humanitare dhe tejkalimit të krizës së multilateralizmit. Imzot Gallagher rithekson dinjitetin e personit, kujdesin për krijimin dhe rreziqet e inteligjencës artificiale, duke shpresuar që diplomacia dhe dialogu të çojnë në një armëpushim në zonat e konfliktit.
Në një fjalim pak më pak se pesëmbëdhjetë minuta, dukshëm më i shkurtër se ora e kaluar nga presidenti Donald Trump, kryeipeshkvi imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, mori fjalën në emër të Selisë së Shenjtë në sesionin e 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në Nju Jork. Një fjalim i dendur, i artikuluar në 19 argumente, nga çarmatimi te inteligjenca artificiale, kujdesi për Krijimin, migrantët, punëtorët dhe familjet, gjatë të cilit imzot Gallagher i bëri thirrje me forcë komunitetit ndërkombëtar për një angazhim të vendosur në mbështetje të shtyllave themelore të paqes, drejtësisë dhe të vërtetës.
"Paqja qoftë me të gjithë ju. [...] Një paqe e çarmatosur dhe çarmatosëse, e përulur dhe këmbëngulëse": me këto fjalë, të shqiptuara nga Papa Leoni XIV pas zgjedhjes së tij, Imzot Gallagher hapi fjalimin e tij, duke kujtuar gjithashtu edhe homazhin e bërë Papës Françesku pas vdekjes së tij prillin e kaluar. Një homazh që shënoi tonin e një fjalimi të bazuar në përgjegjësinë e përbashkët dhe bashkëpunimin multilateral. Tema e zgjedhur për debatin e përgjithshëm, "Më mirë së bashku: tetëdhjetë vjet e më shumë për paqen, zhvillimin dhe të drejtat e njeriut", i dha përfaqësuesit të Vatikanit mundësinë për të riafirmuar vlerat themelore të OKB-së, në një moment historik kur izolacionizmi rrezikon të gjenerojë paqëndrueshmëri dhe fragmentim. "Uniteti promovon një qëndrueshmëri të përgjegjshme dhe një progres të përbashkët", theksoi imzot Gallagher, duke i ftuar Kombet e Bashkuara të përshtaten me sfidat në zhvillim, nga degradimi mjedisor te revolucioni teknologjik.
Ndër pasazhet më domethënëse të Sekretarit të Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, është propozimi i Selisë së Shenjtë për të destinuar një pjesë të shpenzimeve ushtarake globale – të cilat në vitin 2024 arritën në 2.720 miliardë dollarë – në një fond ndërkombëtar për të luftuar varfërinë, për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm dhe për të trajtuar ndryshimet klimatike.
Një thirrje kjo që shoqërohet me shqetësimin për mosangazhimin e disa shteteve nga traktatet e çarmatimit dhe denoncimin e proliferimit bërthamor: "Posedimi dhe përdorimi i armëve bërthamore janë imorale dhe duhet të konsiderohen mjete lufte të paligjshme", theksoi imzot Gallagher, duke cituar vlerësime që flasin për mbi 12.000 koka bërthamore në botë.
Fjalimi i Sekretarit të Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet preku gjithashtu edhe temën e dialogut ndërfetar, me rastin e 60-vjetorit të deklaratës Koncilit të dytë të Vatikanit Nostra Aetate (që fjalë për fjalë do të thotë Në kohën tonë). Imzot Gallagher kujtoi se dialogu nuk është një shkëmbim i thjeshtë idesh, por një rrugë e përbashkët drejt drejtësisë dhe paqes, për t'u mbrojtur kundër çdo ndërhyrjeje autoritare. "Mbrojtja e lirisë fetare do të thotë të mbrosh të drejtën për jetë të çdo personi", tha ai, duke nënvizuar se nuk mund të ekzistojë një e kundërt e kësaj të drejte, as e maskuar si liri.
Një hapësirë e gjerë e fjalimit iu kushtua, pastaj, drejtësisë sociale dhe nevojës për të reformuar sistemet ushqimore dhe tregtare, duke kapërcyer logjikën e shfrytëzimit dhe duke promovuar një shpërndarje të drejtë të burimeve.
Në këtë Vit Jubilar, Selia e Shenjtë ka ripërtërirë thirrjen ndaj kombeve më të pasura që të falin borxhet e vendeve që nuk do të mund t'i shlyejnë kurrë: "Më shumë se një çështje bujarie, është një çështje drejtësie", tha Gallagher, duke evokuar gjithashtu konceptin e "borxhit ekologjik" midis Veriut dhe Jugut të botës. Së fundi, Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet kujtoi vuajtjet e 13 shteteve dhe zonave gjeografike, nga Ukraina në Lindjen e Mesme, nga Kongo në Ballkan, nga Haiti në Karaibe, nga Azia Jugore në Kaukaz.
Gjatë shqyrtimit të kontekstit ndërkombëtar u theksua edhe vëmendja e Selisë së Shenjtë ndaj kontekstit ballkanik, ku vendet që janë "të lidhura me Evropën nga arsye historike, kulturore dhe gjeografike", aspirojnë një integrim gjithnjë e më të ngushtë me Bashkimin Evropian. Është thelbësore – theksoi imzot Gallagher– që dallimet etnike, kulturore dhe fetare të mos bëhen shkak ndarjeje, por përkundrazi një element "pasurimi" për kontinentin e vjetër.
Çdo krizë u përmend duke theksuar domosdoshmërinë e qëndrueshmërisë së popujve të përfshirë në kriza e luftëra, me ftesën për të eksploruar zgjidhje të përbashkëta. "Vetëm në një kontekst drejtësie mund të zhvillohet një kulturë autentike paqeje", përfundoi imzot Gallagher, duke u bërë thirrje të gjithëve të jenë artizanë të vëllazërisë edhe brenda multilateralizmit kompleks të Kombeve të Bashkuara.