Kryeipeshkvi Gabriele Caccia, Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara Kryeipeshkvi Gabriele Caccia, Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara

Selia e Shenjtë në OKB: armët hapësinore kërcënojnë paqen dhe sigurinë botërore

Kryeipeshkvi Gabriele Caccia, Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara, thekson se territoret jashtë atmosferës janë një "e mirë e përbashkët" për t'u mbrojtur në të mirë të brezave të ardhshëm. Prandaj, ato nuk duhet të shfrytëzohen për interesat ekskluzive të shteteve apo entiteteve private.

R.SH. – Vatikan

Kërcënimi aktual i paraqitur nga armët që mbushin hapësirën jashtë atmosferës përbën një rrezik "serioz" dhe real për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Këtë e theksoi kryeipeshkvi Gabriele Caccia, Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë OKBsë, në fjalimin e tij të djeshëm, më 27 tetor, gjatë diskutimit tematik të Komisionit të Parë të sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Madhështia dhe brishtësia e hapësirës

Kryeipeshkvi Caccia kujtoi fjalët e Papa Leonit XIV të shqiptuara në videotelefonatën me astronautin Buzz Aldrin më 20 korrik 2025, me rastin e 56-vjetorit të uljes së Apollo 11 në Hënë. Gjerësia e hapësirës, kujtoi ai, na kujton "misterin e Krijimit, madhështinë e tij", por edhe "brishtësinë" e tij, duke nënvizuar se menaxhimi i saj është e pandashme nga angazhimi për "të mirën e përbashkët" të gjithë njerëzimit.

Të ndalen të gjitha llojeve të armëve

Territoret jashtë atmosferës, vuri në dukje kryeipeshkvi Caccia, ofrojnë "mundësi të paprecedenta" në aspektin e bashkëpunimit dhe zbulimeve shkencore. Megjithatë, ai paralajmëroi se ekzistojnë "tendenca shqetësuese" që kërcënojnë përdorimin paqësor të hapësirës. Edhe pse çështja është trajtuar në Konferencën për Çarmatimin që nga viti 1985, komuniteti ndërkombëtar ende nuk ka arritur një konsensus "për të ndaluar të gjitha llojet e armëve" në hapësirën jashtë atmosferës. Ky është një kërcënim "i vazhdueshëm", i theksuar, për shembull, nga "sistemet antisatelitore" dhe akumulimi i mbeturinave në orbitën e ulët të Tokës, të cilat komprometojnë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, si dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të aktiviteteve hapësinore.

Ruajtja e hapësirës nga interesat private dhe shtetërore

Selia e Shenjtë ka ripohuar se hapësira jashtë atmosferës duhet të përdoret ekskluzivisht për qëllime paqësore, "në dobi të gjithë njerëzimit". Një vizion tashmë i sanksionuar në Traktatin e hartuar mbi këtë temë, i cili i njeh këto territore si një "e mirë e përbashkët" për t'u mbrojtur për brezat e ardhshëm, duke i ruajtur ato nga interesat ekskluzive të shteteve ose entiteteve private. Kjo, paralajmëroi imzot Caccia, nuk duhet të çojë në një "përsëritje të konflikteve të së kaluarës", as të shndërrojë hapësirën në "një teatër konkurrence që rrezikon të gjithë". Shtetet, pra, ndajnë përgjegjësinë për të bashkëpunuar dhe për të "përqafuar multilateralizmin", duke promovuar të mirën e përbashkët në aktivitetet e tyre hapësinore.

Një fushë shprese, progresi dhe përgjegjësie të përbashkët

Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë OKBsëe përfundoi fjalën duke shpresuar që hapësira jashtë atmosferës të përdoret për të "forcuar solidaritetin" në vend që të "zgjerojë rivalitetet tokësore në kozmos". Ajo duhet të mbetet, tha ai, një "fushë shprese, progresi dhe përgjegjësie të përbashkët" për vitet në vijim.

28 tetor 2025, 18:29