2025.10.25 equipe sinodali in Aula Paolo VI

Jubileu i ekipeve sinodale, një mozaik praktikash të mira për një Kishë vizionare

Në Sallën Pali VI, në Vatikan, një pasdite intensive bashkëndarjeje të përvojave rreth zbatimit të sinodalitetit në Kishat lokale. Mbi pesëmbëdhjetë dëshmi nga mbarë bota shprehën realizueshmërinë e projekteve të frymëzuara nga një stil bashkëndarjeje, kolegialiteti, bashkëpunimi, integrimi i qëndrimeve dhe karizmave në Kishë. Një shumëllojshmëri zërash nga familje, kongregata rregulltare, struktura formuese, famulli kishtare etj. Kard. Grech: sinodaliteti nuk mësohet, por jetohet dhe përhapet

R.SH. - Vatikan

Një kor zërash, përvojash, inkurajimesh në vazhdën e një Kishe mikpritëse, të gjallë, dinamike, të integruar. Pas 25 workshop dhe 6 seminareve që angazhuan përfaqësuesit e ekipeve sinodale dhe të organeve të pjesëmarrjes - në Romë për Jubileun - nga më 25 tetor, në sallën Pali VI, për momentin përmbyllës të bashkëndarjes së përvojave dhe praktikave të mira të zbatimit të sinodalitetit të Kishës nga çdo pjesë e botës. Një takim, i drejtuar nga Paola Arriaza dhe Enrico Selleri, në të cilin u bashkuan dëshmi me video e intervista, dhe animacion muzikor. Nga ora 21:00 në Sheshin Shën Pjetrit, vigjilja e lutjes mariane e hapur për qytetin e Romës, e udhëhequr nga kardinali Mario Grech, sekretar i përgjithshëm i sekretarisë së përgjithshëm të Sinodit të Ipeshkvijve në përgatitje për Meshën e nesërme paradite në bazilikën e Vatikanit, me Papën.

Katër vjet më parë u hap Sinodi i Kishës Katolike mbi sinodalitetin, me fjalët kyçe: Bashkësi, Pjesëmarrje, Mision. Një proces i artikuluar në dëgjimin e Popullit të Zotit, fillimisht në nivel dioqezan dhe më pas kontinental, në shqyrtimin e barinjve, i cili arriti në Vatikan në dy Sesionet e Asamblesë së XVI-të të Përgjithshme të Rregullt të Sinodit të Ipeshkvijve dhe që tani kthehet këtu në Vatikan me ata që bëhen zëdhënës të fryteve të para të zbatimit në realitetet lokale të Dokumentit Final të Sinodit.

Shfaqja e një videoje hyrëse riperkuroi sot etapat e kësaj rruge sinodaliteti të Kishës dhe i dha shtysë punës së ardhshme: nga fytyrat e grave, të rinjve, meshtarëve, ipeshkvijve, rregulltarëve e motrave rregulltare nga çdo anë e planetit - kishte ende maska për t'u mbrojtur nga Covid - del i gjithë angazhimi dhe entuziazmi i derdhur deri më tani, dëgjimi i ndërsjellë nën udhëheqjen e Shpirtit. Më pas jehojnë fjalët e para të shqiptuara nga Leoni XIV nga lozha e bekimeve të Bazilikës së Vatikanit, menjëherë pas zgjedhjes - "Ne duam të jemi një Kishë sinodale, një Kishë që ecën, një Kishë që kërkon gjithmonë paqen, kërkon gjithmonë dashurinë, kërkon gjithmonë të jetë afër sidomos atyre që vuajnë" -, me ato të Papa Françeskut, i cili e nisi Sinodin mbi sinodalitetin e Kishës, në të cilat ftonte të luteshin që në përvojën sinodale të mos lejohej "të mposhtej nga zhgënjimi", të mos zbehej profecia, të mos përfundohej "duke reduktuar gjithçka në diskutime të shterpëta".

Kardinali Mario Grech, sekretar i përgjithshëm i Sekretarisë së Përgjithshme të Sinodit, përmbylli pasditen shumë intensive të punimeve. Të projektuar drejt Asamblesë së Përgjithshme që do të mbahet në Romë në vitin 2028, shpresa është që sinodaliteti i Kishës, falë promovimit të kulturës së takimit aq të dashur për Papa Françeskun, t'i japë një përgjigje shoqërive gjithnjë e më të fragmentuara. "Sinodaliteti nuk mësohet, por jetohet dhe përhapet. Atyre që ende e kanë të vështirë ta kuptojnë, mund t'u themi vetëm 'eja, le të përpiqemi të takohemi'".

25 tetor 2025, 21:09