2025.10.21 Immigrazione

Kard. Tagle: Kisha gati për promovimin njerëzor të migrantëve

Fjalimi i kardinalit Luis Antonio Gokim Tagle, pro-prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Ungjillëzimin, në konferencën ndërkombëtare "Migration, a pilgrimage of hope" që po zhvillohet në Universitetin Papnor Urbaniana në Romë

R.SH. - Vatikan

"Migrimi i detyruar po bëhet shpejt 'normal'. Në këtë kontekst, Kisha është e thirrur jo vetëm të reagojë, por të jetë e pranishme në mënyrë profetike, duke ofruar vende mirëpritjeje, promovim njerëzor, rrugë integrimi dhe fjalë shprese": kështu deklaroi sot, të martën më 21 tetor, kardinali Luis Antonio Gokim Tagle, pro-prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Ungjillëzimin dhe kancelar i madh i Universitetit Papnor Urbaniana, në hapje të punimeve të konferencës ndërkombëtare me titull: "Migrimi, një shtegtim shprese" që po zhvillohet në Universitetin Papnor Urbaniana, në Romë. Ngjarja është organizuar nga Scalabrini international migration institute (Simi), nga Universiteti i Notre Dame, që përfshin Keough School of Global Affairs dhe institutet e saj — Klau institute for civil and human rights, Kroc institute for international peace studies dhe Kellogg institute — nga Universiteti Papnor Urbaniana dhe nga Poverty initiative di Notre Dame, me patronazhin e Dikasterit të Vatikanit përShërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, të Këshillit të Konferencave Ipeshkvore Evropiane (Ccee), të Unionit Ndërkombëtar të Eprorëve të Përgjithshme (Uisg) dhe të Unionit të Eproreve të Përgjithshme (Usg).

Rrugë shprese

Nga sot deri të enjten më 23, teologë, akademikë, rregulltarë, veprimtarë baritorë, përfaqësues të komuniteteve migrantësh dhe refugjatësh do të thellojnë lidhjen midis migrimit, teologjisë dhe studimeve sociale. Qëllimi është të ofrohet një hapësirë reflektimi dhe dialogu ndërfetar e hapur për të gjithë, duke promovuar veprime baritore konkrete mbi çështje thelbësore të fenomenit migrator, si mirëpritja, mbrojtja, promovimi dhe integrimi. Në vazhdën e Jubileut të Migrantëve, të kremtuar më 5 tetor, konferenca ndërkombëtare "Migrimi, një shtegtim shprese" përfaqëson, pra, një mundësi për të parë migrimet jo vetëm si një problem shoqëror të kohës sonë, por si një rrugë shprese që përshkon historinë dhe hap perspektiva të reja për njerëzimin.

E drejta për të qëndruar në vendin e origjinës

Në fjalimin e tij të hapjes së konferencës, kardinali Tagle kujtoi se po jetojmë "në një kohë kur zhvendosja e miliona njerëzve është shenjë e prekshme e ndryshimeve të thella: luftërat dhe persekutimet që detyrojnë njerëzit të ikin, krizat mjedisore që shkatërrojnë territore të tëra, varfëria strukturore që detyron njerëzit të kërkojnë kushte jetese të denjë diku tjetër. Edhe pse njerëzit kanë të drejtë të qëndrojnë në vendet e tyre të origjinës, shumë detyrohen të emigrojnë pavarësisht dëshirës së tyre për të qëndruar në shtëpi".

Në këtë kontekst, Kisha Katolike ndërhyn me çdo mjet në dispozicion për të mbështetur miliona njerëz që ikin dëshpërimisht në kërkim të një të ardhmeje më të mirë. Këtu, kardinali Tagle kujtoi nxitjen apostolike Dilexi te të Papa Leonit XIV, në të cilën thuhet: «Kisha, si një nënë, ecën me atë që ecën. Aty ku bota sheh kërcënime, ajo sheh bijë; aty ku ndërtohen mure, ajo ndërton ura. Ajo e di se shpallja e saj e Ungjillit është e besueshme vetëm kur shndërrohet në gjeste afërsie dhe mirëseardhjeje. Dhe ajo e di se në çdo migrant të refuzuar, është vetë Krishti që troket në dyert e komunitetit».

Sipas kardinalit Tagle, fenomeni migrator «ndërhyn jo vetëm në ndërgjegjet tona, por në të gjithë bashkësinë e krishterë të sotme, së bashku me teologjinë: çfarë forme duhet të marrë misioni sot? Si të mishërohet konkretisht misioni i Kishës në një kontekst të lëvizshmërisë së vazhdueshme dhe pluralizmit kulturor e fetar në rritje? Migrimet, në fakt, nuk janë vetëm një sfidë, por një mundësi e jashtëzakonshme për të rinovuar entuziazmin misionar të Kishës, për të jetuar në një mënyrë më autentike Ungjillin e takimit. Zakonisht — shtoi kard. Tagle — ne e mendojmë misionin si një shkuarje në vende të ndryshme nga tonat, dhe kjo është e drejtë. Por përmes migrantëve, pjesë të ndryshme të botës hyjnë njëra në tjetrën, ndërlidhen duke ofruar hapësira të reja dhe kuptime të reja të misionit».

Mundësi dialogu

Pro-prefekti i Dikasterit të Vatikanit për Ungjillëzimin theksoi se «sot misioni nuk mund të imagjinohet si një lëvizje e njëanshme — nga qendra në periferi — por më tepër si një dialog, një ndërthurje historish, një rrugëtim i përbashkët. Lëvizshmëria njerëzore është vendi i privilegjuar i këtij misioni të ri që ka një fytyrë konkrete: familje, të rinj, fëmijë, gra dhe burra që mbartin me vete gjuhë, tradita, përvoja besimi dhe plagë për t'u shëruar. Veprimtaria baritore e Kishës në këtë kontekst bëhet arti i hollë dhe delikat i shoqërimit, i aftë për të bashkuar përmasën liturgjike, kateketike, shoqërore dhe njerëzore.

Ndërsa Kisha i shërben Jezusit të pranishëm te të huajt dhe migrantët, ne jemi të thirrur të mësojmë prej tyre dhe të ungjillëzohemi prej tyre. Në thjeshtësinë e tyre migrantët na mësojnë se çfarë do të thotë të shpresosh dhe të këmbëngulësh në shumë pjesë të botës, ata janë misionarët më të zellshëm». Kardinali Tagle kujtoi se «Universiteti Urbaniana, si pjesë e Dikasterit të Vatikanit për Ungjillëzimin, është një laborator konkret dialogu, bashkimi dhe profecie. Vend i privilegjuar takimi i njerëzve dhe përvojave nga e gjithë bota dhe besnik ndaj historisë së tij gati katërqindvjeçare. Urbaniana është e vëmendshme ndaj shenjave të kohës që kërkojnë një shqyrtim të ndriçuar nga kërkimi akademik dhe pasioni ungjillor».

Konferenca parashikon panele të ndryshme me ekspertë dhe studiues nga e gjithë bota që do të thellojnë teologjinë e mikpritjes, doktrinën shoqërore të Kishës mbi lëvizshmërinë njerëzore, rolin e komuniteteve fetare dhe horizontet e reja të dialogut ndërkulturor dhe ndërfetar. Për të përmbyllur dy ditët e para të takimeve do të jetë kardinali Fabio Baggio, nënsekretar i Dikasterit të Vatikanit për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor.

 

21 tetor 2025, 16:49