Mbështetja e fondacionit "Ndihmë Kishës që Vuan" Mbështetja e fondacionit "Ndihmë Kishës që Vuan"

"Ndihmë për Kishën që vuan", përkrah të krishterëve të persekutuar dhe viktimave të luftës

Fondacioni papnor “Ndihmë për Kishën që Vuan” realizon projekte solidariteti në Ukrainë e në Tokën Shenjte, por edhe në Siri, Liban, Nigeri dhe në Republikën Demokratike të Kongos. Ati Jan Witold Żelazny, drejtor i seksionit polak, pohon: "Nuk mund t'i lëmë këta njerëz pa mbështetje".

R.SH. / Vatikan

Toka Shenjte dhe Ukraina, por edhe Siria, Libani, Nigeria dhe Republika Demokratike e Kongos… Projektet e kryera nga fondacioni papnor “Ndihmë për Kishën që Vuan” shtrihen në çdo skaj të botës për të mbështetur të krishterët e persekutuar dhe viktimat e konfliktit. Seksioni polak i organizatës "Ndihmë për Kishën që Vuan”, i themeluar në periudhën e pasluftës, është zëdhënësi i këtyre iniciativave, siç tha drejtori i saj, Ati Jan Witold Żelazny, për mediat e Vatikanit.

Rindërtimi i Bashkësive të Krishtera

"Duam të jemi në vendet, ku fondacioni "Ndihmë për Kishën që Vuan" funksionon tashmë. Përfaqësuesit e fondacionit papnor "Ndihmë për Kishën që Vuan” po planifikojnë një udhëtim në Siri e në Liban, ku fondacioni ka rindërtuar bashkësitë e krishtera për vite me radhë. Nuk mund t'i lëmë këta njerëz pa mbështetje", pohon Atë Żelazny. Më 10 tetor, përfaqësuesit e fondacionit papnor u pritën në audiencë nga Papa Leoni XIV i cili, në fjalimin e tij theksoi rëndësinë e promovimit të lirisë fetare dhe falënderoi "Ndihmën për Kishën që Vuan" për përfshirjen e saj në këtë drejtim.

Veprimet në RDK dhe Nigeri

Ndër projektet e vazhdueshme të fondacionit papnor "Ndihmë për Kishën që Vuan", disa janë në Republikën Demokratike të Kongos dhe Nigeri. "Janë vende ku njerëzit vuajnë nga dhuna dhe luftojnë për burimet natyrore: mallkimi dhe bekimi i kësaj toke. Dita jonë e Solidaritetit në Poloni do t'i kushtohet pikërisht Nigerisë", njoftoi Ati Żelazny. Ndër të tjerë, do të jetë i pranishëm Ipeshkvi imzot John Bakeni, prelat i cili ka marrë kërcënime me vdekje për fenë e tij në Krishtin.

Mbështetje në Tokën e Shenjtë edhe Ukrainë

Fondacioni "Ndihmë për Kishën që Vuan" është e pranishme edhe në Betlehem, ku vullnetarët e tij, motrat rregulltare elizabetiane, kujdesen për fëmijët e prekur nga trauma e luftës. "Pa këtë ndihmë, Krishterimi në Lindjen e Mesme do të shkatërrohej", pranon drejtori i seksionit polak të fondacionit papnor "Ndihmë për Kishën që Vuan". Ndihma po arrin edhe në Ukrainë, kryesisht në Odesë dhe zonën përreth, pavarësisht se rreziku është ende real. "Në aktivitetet tona, zbatojmë mësimet e Kishës, përfshirë ato të Nxitjen Apostolike Dilexi, botuar së fundmi mbi dashurinë për të varfrit", thekson Atë Żelazny.

Ringjallja e manastireve polake

Fondacioni papnor "Ndihmë për Kishën që Vuan" mbështet gjithashtu edhe një projekt në Poloni, që përfshin ndihmën e manastireve të mbyllura të cilat humbën pronën e tyre në vend. "Ne vazhdojmë të mbështesim manastiret që nuk kanë mjete për t'u mbështetur. Murgeshat thonë se këto janë shuma shumë të konsiderueshme domethënë ndihmë e madhe", pohon Atë Żelazny, i cili thekson se çdo donacion shpërndahet me ndërgjegje e besnikëri.

Formimi i meshtarëve në Afrikë dhe në Azi

Fondacioni "Ndihmë për Kishën që Vuan” mbështet gjithashtu edhe formimin e klerit nga Afrika dhe Azia. "Në Kamerun, ipeshkvi më tha: 'Ju lutem më jepni 600 euro më shumë, kemi një seminarist tjetër'. Ne ankohemi për mungesën e thirrjeve, dhe në të njëjtën kohë, ai na thotë se numri i atyre që pranon në seminar varet nga sasia e mbështetjes sonë. Kjo tregon pse çështja e formimit meshtarak është e rëndësishme, si në nivel lokal, ashtu edhe në vendin tonë", theksoi Ati Żelazny.

Një mesazh angazhimi

Gjatë takimit në Vatikan, Leoni XIV kujtoi se puna e fondacionit "Ndihmë për Kishën që Vuan" lindi nga përvoja e Luftës II Botërore. Flitet për ndihmën “e shërimit të plagëve dhe rikthimin e paqes". Nga ky qëndrim lindi edhe krijimi i Fondacionit “Falja”, organizatë që jo vetëm ndihmon në varfëri, por edhe mëson faljen", përmblodhi Atë Żelazny.

14 tetor 2025, 13:11