Pema e betlehemi i vitit 2024 Pema e betlehemi i vitit 2024

Nga Val d’Ultimo dhe nga Kampania, pema e Krishtlindjes dhe betlehemi i Shën Pjetrit

Bredhi rreth 27 metra i lartë, që do të vendoset brenda elipsit të kolonave të Berninit, do të dhurohet nga komunat e Lagundos dhe Ultimos, në provincën autonome të Bolzano-s, Trentino-Alto Adige. Ndërsa, Betlehemi do të ketë elemente tipike të zonës së Noçerës, duke integruar simbole fetare, tipare lokale dhe figura shembullore të përshpirtërisë kampane, ndër të cilët Shën Alfons Maria de' Liguori

R.SH. – Vatikan

Këtë vit, pema e Krishtlindjeve, betlehemi për Sheshin e Shën Pjetrit dhe ai për Sallën Pali VI do të vijnë, respektivisht, nga provinca autonome e Bolzano-s në Trentino-Alto Adige, nga dioqeza kampane e Nocera Inferiore-Sarno dhe nga Kosta Rika. Bredhi rreth 27 metra i lartë, që do të ngrihet në qendër të sheshit para Bazilikës vatikanase, sipas një deklarate Guvernatoratit të Shtet-Qytetit të Vatikanit, do të vijë nga lugina alpine e Ultimos, në perëndim të Alto Adige e, dhurohet nga komunat e Lagundos dhe Ultimos.

Betlehemi në Sheshin e Shën Pjetrit

Ndërkaq, betlehemi, pra, shpella e lindjes së Krishtit, që do të vendoset në Sheshin e Shën Pjetrit do të vijë sivjet nga provinca e Salernos, në Kampania dhe, do të ketë elemente tipike të zonës së Nocerës. Në veçanti, do të përfshihet në të Baptisteri Paleokristian i Noçerës Superiore, shatërvanin Helvius që ndodhet në Sant'Egidio del Monte Albino dhe një shtëpi karakteristike nga zona e Agro Noçerës.

Vepra paraqet Misterin e Mishërimit të Birit të Zotit, duke integruar simbole fetare, elemente vendase dhe figura shembullore të përshpirtërisë së rajonit të Kampanies. Ndër ta, një bari me tiparet e Shërbëtorit të Zotit Don Enrico Smaldone, së bashku me dy fëmijë, ndërsa ngjiten në një shkallë, që përfaqëson Krishtin si Qendrën e vetme të procesit edukativ. Nga njëra anë, një shtëpi do të kujtojë oborret tipike vendase, me një derë të madhe prej shtufi gri të Nocerës, nëpër të cilën kalohet në një ambient më të gjerë. Gjithashtu, do të paraqitet një fugure e Virgjërës së Tre Kurorave të Sarnos, realizuar nga mjeshtrit e Infioratës së Casatori-t. Në qendër do të vendoset Shën Alfons Maria de' Liguori, i ulur në klaviçembal, duke kundruar misterin e Mishërimit e duke kënduar "Tu scendi dalle stelle" (Ti ulesh prej Parrizit), i shoqëruar nga dy fëmijë. Po në atë ambient, një orë me lavjerrës do të na kujtojë se shenjti, Doktor i Kishës, thoshte një "Falemi Mari" sa herë dëgjohej tingulli, që përcaktonte kalimin e orës.

Skena kryesore

Në katin e sipërm të betlehemit, do të paraqitet një pjesë e Baptisterit Paleokristian të Nocera Superiore, me 12 kolona, mbi të cilat mbështetet ç’ka mbetur nga kupola. Në qendër, skena kryesore me Jezusin, Marinë dhe Jozefin, si edhe me kaun e gomarin, me tre Dijetarët që adhurojnë Foshnjën Hyjnore dhe me një bareshë që ofron pasuritë e territorit dioqezan (perime, angjinare, arra, qepë Nocera, domate nga San Marzano dhe nga Corbara). Dy gajdexhinj e shoqërojnë skenën me muzikë, ndërsa një bari me tiparet e Shërbëtorit të Zotit Alfonso Russo do të simbolizojë vlerën e vuajtjes dhe të shërbimit vullnetar. Një peshkatar me një spirancë të madhe do të tregojë Portën Shenjte të Bazilikës së Shën Pjetrit, duke simbolizuar Jubileun. Në të majtë të skenës, një engjëll do t'i shpallë Mishërimin e Fjalës një bariu që fle dhe ndihmësit të tij, ndërsa një shkallë me një portë prej hekuri do të simbolizojë kalimin nga jeta e vjetër në atë të re në Krishtin. I gjithë betlehemi do të dominohet nga një kometë e madhe dhe e ndritshme me bishtin e saj në formë spirance. Skena e Lindjes së Krishtit do të plotësohet nga figura barinjsh në stilin napolitan, të frymëzuara nga shkolla e shekullit XVIII.

Betlehemi për Sallën e Palit VI

Për betlehemin, që do të vendoset në Sallën e Palit VI, Kosta Rika ka zgjedhur temën "Nacimiento Gaudium". Vepra e artistes kosta-rikane Paula Sáenz Soto synon jo vetëm të nxjerrë në pah mesazhin e paqes së Krishtlindjes, por edhe t’i bëjë botës thirrjen për të mbrojtur jetën nga zënia. Përveç bredhit të zgjedhur për Sheshin e Shën Pjetrit, pemë të tjera më të vogla do të sillen në Vatikan po nga Lagundo dhe Ultimo. Ato do të zbukurohen e do të ekspozohen në zyrat dhe ndërtesat e Selisë së Shenjtë dhe Shtet-Qytetit të Vatikanit.

03 tetor 2025, 17:08