2025.10.15 Cardinale Parolin IA conferenza sanità

Kard. Parolin: Inteligjenca Artificiale është ndihmë për mjekët, por nuk i zëvendëson ata

"Dinjiteti njerëzor vjen përpara çdo llogarie". Ky është një nga konceptet e shprehura nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit në Lectio Magistralis, në Istituto Superiore di Sanità në Romë, me rastin e përurimit të Qendrës për Studimin dhe Zhvillimin e Inteligjencës Artificiale. Kardinali iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve, duke shprehur besim në planin e paqes për Gazën, edhe pse "rruga nuk është e lehtë". Gjithashtu, denoncoi faktin se "nuk po hapen perspektiva pozitive për Ukrainën"

R.SH. – Vatikan

Avantazhet dhe rreziqet e përdorimit të Inteligjencës Artificiale në shëndetësi ishin tema e reflektimit të sotëm, 15 tetor, të Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin, në fjalimin me temë "Etika e Inteligjencës Artificiale", mbajtur në Istitutin e Lartë të Shëndetësisë në Romë, gjatë përurimit të Qendrës për Studimin dhe Zhvillimin e Inteligjencës Artificiale. Prelati theksoi se IA është "horizont plot premtime", por edhe "udhëkryq", që detyron të bëhet një zgjedhje ndërmjet teknologjisë së orientuar drejt efikasitetit "çnjerëzor", duke hedhur poshtë më të brishtët, ose Inteligjencës Artificiale të shndritur "nga etika" dhe "në shërbim" të së mirës për çdo individ.

Para se të fillonte Lectio Magistralis, kardinali iu përgjigj pyetjeve të disa gazetarëve mbi ngjarjet aktuale, duke filluar me planin e paqes për Gazën, për të cilin ai shpreson se "mund të zbatohet dhe të çojë vërtet në një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme". I vetëdijshëm se "rruga nuk është e lehtë", Parolin uron që "ashtu siç ka pasur vullnet të mirë për të arritur në këtë hap të parë, të ketë edhe të tjerë". Lidhur me Ukrainën, theksoi ai, është e qartë se "ka shumë për të bërë", sepse "nuk po hapen perspektiva pozitive".

IA për një botë humane dhe të drejtë

Në leksionin e tij, kardinali siguroi se "Selia e Shenjtë do të vazhdojë të punojë, në dialog me të gjithë njerëzit vullnetmirë, për t’u siguruar që teknologjia të mbetet ajo, që duhet të jetë: jo qëllim në vetvete, por mjet i fuqishëm për të ndërtuar një botë më të drejtë, më vëllazërore dhe më njerëzore". Tema e IA-së, theksoi kardinali Parolin, përcakton të tashmen dhe plazmon të ardhmen, duke sfiduar dinjitetin e njerëzimit, të cilin "asnjë makinë nuk do të jetë kurrë në gjendje ta kopjojë, ose ta zëvendësojë".

Mundësitë e mëdha të IA-së në fushën mjekësore

Përdorimi i Inteligjencës Artificiale në shëndetësi, deklaroi më tej Sekretari i Shtetit të Vatikanit, mund të përmirësojë ndjeshëm procedurat, mjekimet dhe t’u sigurojë shërbimin shëndetësor edhe rajoneve më të varfra të botës. Kjo lloj teknologjie është “aleate e njerëzimit në luftën kundër sëmundjeve dhe vuajtjeve". Por, ka edhe rreziqe. Për kardinalin Parolin, rreziku i parë është "dehumanizimi i kujdesit shëndetësor", dobësimi i aleancës terapeutike ndërmjet mjekut dhe pacientit, që nuk është vetëm shkëmbim informacioni, por edhe pakt besimi midis dy njerëzve. "Algoritmi mund të japë diagnozën, por nuk mund të ofrojë asnjë fjalë ngushëllimi". Ka rrezik, denoncoi prelati, që mjeku, i ngarkuar nga presionet burokratike dhe financiare, ia delegon gjykimin makinës, duke u shndërruar kështu "nga një mjek klinik i mençur në një mbikëqyrës të thjeshtë të një procesi të automatizuar". Nuk duhet humbur humanizmi i mjekut, kërkoi kardinali, i cili denoncoi edhe rastin kur algoritmi përfshin paragjykime e pabarazi, që krijojnë një lloj “aparteidi shëndetësor”, për të cilin askush nuk e merr përsipër përgjegjësinë.

Zemra e etikës

"Çfarë vlere do t'i japë algoritmi jetës së një të moshuari me patologji të shumta, një të sëmuri terminal, ose një fëmije të palindur me probleme serioze?", pyeti kardinali, duke medituar mbi jetën, që, sipas mendësisë së kësaj bote, “nuk ia vlen të jetohet". Për të krishterët, vërejti ai, “çdo jetë ka vlerë të pafundme, nga zënia deri te vdekja natyrore, vlerë që nuk varet nga dobia, produktiviteti apo përsosmëria fizike. Dinjiteti njerëzor vjen para çdo llogarie”. Kisha, e cila e shikon me admirim dhe maturi progresin shkencor dhe teknologjik, kërkon që kjo udhë të administrohet nga njeriu, të jetë rrugë dialogu "ndërmjet shkencëtarëve, njerëzve të etikës, filozofëve, teologëve dhe politikanëve, për të ndërtuar së bashku një të ardhme në të cilën inovacioni të jetë sinonim i progresit të vërtetë njerëzor". "Vendimi përfundimtar, veçanërisht kur jeta dhe vdekja janë në rrezik, duhet të mbetet gjithmonë në duart e njeriut, i vetmi në gjendje t’i integrojë të dhënat e aparaturave me vlerat e kujdesit, dhembshurisë dhe urtisë".

Parimet kryesore

Duke kujtuar deklaratat e Papëve të mëparshëm, si edhe nismën "Thirrja e Romës për Etikën e Inteligjencës Artificiale", kardinali Parolin ripohoi rëndësinë e disa parimeve kryesore, që duhet të udhëheqin zhvillimin e teknologjive: transparenca, gjithëpërfshirja, përgjegjësia, paanshmëria, besueshmëria, siguria dhe privatësia. Në përfundim, ai shprehu gatishmërinë e Selisë së Shenjtë për të caktuar ekspertë, që marrin pjesë në veprimtaritë e Qendrës së sapopëruruar për Studimin dhe Zhvillimin e Inteligjencës Artificiale.

15 tetor 2025, 16:03