2025.09.28 Celebrazione eucaristica in occasione del Giubileo dei Catechisti

Programi i Jubileut të Migrantëve dhe të Botës Misionare më 4 dhe 5 tetor

Jubileu i Botës Misionare, në të cilin do të marrin pjesë shtegtarë nga rreth 100 vende, u kushtohet në veçanti të gjithë misionarëve laikë dhe rregulltarë, punonjësve baritorë në mision, fidei donum dhe organizatave të ndryshme të lidhura me botën misionare. Për Jubileun e Migrantëve priten rreth 10 mijë shtegtarë nga afërsisht 95 vende

R.SH. - Vatikan

Të shtunën, më 4 tetor dhe të dielën, më 5 tetor, do të kremtohen njëkohësisht në Romë, Jubileu i Botës Misionare dhe Jubileu i Migrantëve, organizuar në bashkëpunim me Dikasterin e Vatikanit për Nxitjen e Zhvillimit të gjithanshëm Njerëzor dhe me Dikasterin e Vatikanit  për Ungjillëzimin, Seksioni për Ungjillëzimin e parë dhe Kishat e reja të veçanta. Jubileu i Botës Misionare, në të cilin do të marrin pjesë shtegtarë nga rreth 100 vende, u kushtohet në veçanti të gjithë misionarëve laikë dhe rregulltarë, punonjësve baritorë në mision, fidei donum dhe organizatave të ndryshme të lidhura me botën misionare.

Jubileu do të fillojë paraditen e së shtunës, më 4 tetor, me audiencën jubilare, mbajtur nga Papa në orën 10.00, në Sheshin e Shën Pjetrit, ndjekur nga shtegtimi në Portën Shenjte të Bazilikës së Vatikanit, ndërmjet orës 14.00 dhe 17.00. Nga ora 17.00 deri në orën 18.45, në Universitetin Papnor Urbanian, do të mbahet Takimi Ndërkombëtar Misionar me titull "Missio ad gentes sot: drejt horizonteve të reja", i organizuar nga Dikasteri të Vatikanit për Ungjillëzimin dhe nga Veprat Misionare Papnore. Pas takimit, nga ora 19.30 deri në 20.30, grupet kombëtare ftohen të kremtojnë meshën e Vigjiljes për misionet në kisha të ndryshme pranë Vatikanit. Në orën 21.00, do të thuhet Rruzarja Misionare Ndërkombëtare në Sheshin e Shën Pjetrit.

Të dielën, më 5 tetor, në orën 10.30, shtegtarët do të marrin pjesë në meshën e kryesuar nga Leoni XIV në Sheshin e Shën Pjetrit. Pasdite, nga ora 15.00 deri në 19.00, do të mbahet "Festivali i Popujve" me titull "Migrantët dhe Misionarët e Shpresës ndërmjet popujve", në Kopshtet e Castel Sant'Angelo-s. Për Jubileun e Migrantëve priten rreth 10 mijë shtegtarë nga afërsisht 95 vende. Edhe ai do të fillojë paraditen e së shtunës, 4 tetor, me audiencën jubilare të Papës dhe, më pas, do të vazhdojë, ndërmjet orës 14.00 dhe orës 17.00, me shtegtimin në Portën Shenjte të Bazilikës së Shën Pjetrit.

Të dielën, më 5 tetor, në orën 10.30, shtegtarët do të marrin pjesë në meshën e kryesuar nga Papa Leoni XIV në Sheshin e Shën Pjetrit. Jubileu do të përfundojë pasdite me "Festën e Popujve”, veprimtari falas e hapur për të gjithë.

01 tetor 2025, 15:57